Izraeli kthen trupat e 15 palestinezëve në Gaza

Izraeli ka kthyer trupat e 15 palestinezëve në Gazë më 18 tetor, duke bërë që numri i përgjithshëm i trupave të vdekur të arrijë në 135, tha Ministria e Shëndetësisë në enklavën palestineze. Sipas marrëveshjes së armëpushimit, të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, Izraeli duhet të dorëzojë trupat e 15 palestinezëve për çdo trup […]

Izraeli kthen trupat e 15 palestinezëve në Gaza

Izraeli ka kthyer trupat e 15 palestinezëve në Gazë më 18 tetor, duke bërë që numri i përgjithshëm i trupave të vdekur të arrijë në 135, tha Ministria e Shëndetësisë në enklavën palestineze.

Marketing

Sipas marrëveshjes së armëpushimit, të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, Izraeli duhet të dorëzojë trupat e 15 palestinezëve për çdo trup të pajetë të izraelitëve që i dorëzon Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Të premten, Hamasi dorëzoi trupin e një tjetër pengu izraelit. Që nga nisja e armëpushimit, Hamasi ka dorëzuar trupat e nëntë pengjeve izraelite dhe një të një studenti nepalez. Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se disa nga trupat që u kthyen të shtunën kishin shenja të “abuzimit, rrahjeve dhe prangosjes”.

Kjo ministri kishte bërë pretendime të ngjashme edhe kur kishte pranuar më herët trupa të palestinezëve. Ushtria izraelite i ka cilësuar këto pretendime si “propagandë të rremë të Hamasit”.

“Për më tepër, të gjithë trupat e dorëzuar janë të luftëtarëve brenda Rripit të Gazës”, tha më herët ushtria izraelite.

Më 13 tetor, Hamasi liroi të 20 pengjet e gjalla izraelite dhe nisi të dorëzojë edhe trupat e pengjeve të vrara. Në këmbim, po atë ditë Izraeli liroi afër 2.000 palestinezë që mbaheshin në burgjet izraelite. Lirimi i pengjeve dhe armëpushimi në Gazë është pjesë e fazës së parë të planit 20 pikësh të prezantuar nga presidenti Trump për paqe në enklavën palestineze.

Më 14 tetor, Trump tha se faza e dytë e planit të tij ka nisur. Plani për paqe parasheh çarmatosjen e Hamasit – kërkesë që Izraeli e kishte parashtruar paraprakisht, por ishte refuzuar nga grupi radikal palestinez.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023 pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. Si pasojë e ofensivës hakmarrëse të Izraelit, në Rripin e Gazës janë vrarë më shumë se 67.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë enklavë. Lufta ka shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës dhe 2 milionë banorët e territorit po përballen me krizë të thellë humanitare./REL

Marketing