Kasami e mori mandatin e dytë: Premtoi transport publik falas në tre muajt e para, 100 euro për çdo nxënës të klasës së parë
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami e mori mandatin e dytë në krye të kësaj komune. Gjatë paraqitjes së tij të parë si i rizgjedhur në krye të qytetit, ai premtoi transport publik falas që në 100 ditët e para dhe një sërë premtimesh tjera, shkruan Portalb.mk. Pasi mandatin e kaluar premtoi parkingje falas dhe nuk i realizoi, […]

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami e mori mandatin e dytë në krye të kësaj komune. Gjatë paraqitjes së tij të parë si i rizgjedhur në krye të qytetit, ai premtoi transport publik falas që në 100 ditët e para dhe një sërë premtimesh tjera, shkruan Portalb.mk.
Pasi mandatin e kaluar premtoi parkingje falas dhe nuk i realizoi, Kasami tani premtoi transport publik falas për qytetarët.
“Nga mbledhja e parë e Këshillit Komunal do të nisë implementimi i një premtimi që kemi dhënë, ajo ka të bëjë transport publik falas për të gjithë banorët e Komunës së Tetovës, kjo do të jetë në shërbim të zvogëlimit të kaosit në komunikacion”, tha Kasami.
Ai tha se komuna do të vazhdojë të subvencionojë ndërmarrjen e transportit publik pas këtij vendimi.
Ai premtoi edhe nga 100 euro për çdo nxënës të klasës së parë që nga viti i ardhshëm.
“Çdo nxënës që do të regjistrohet nga viti i ardhshëm shkollor në klasë të parë do të ketë nga 100 euro për materiale shkollore”, tha Kasami.
Ai mes tjerash premtoi se do t’i realizojë premtimet që nuk arriti t’i realizojë në mandatin e parë.
Mes tjerash ai tha se do të përfundojë rikonstruimi i stadiumit, projektet infrastrukturore, kanalizimi fekal mbi 40 milionë euro për kolektorin kryesor të ujërave të zeza dhe filter stacionin në Falisht, ndërtimi i dy objekteve të shkollave të mesme, rikonstruimi i objektit të Gjimnazit, infrastruktura e rrjetit të ujësjellësit, plani i mobilitietit për kaosin urban dhe të tjera.
Në zgjedhjet lokale 2025, Bilall Kasami nga koalicioni VLEN e fitoi mandatin e dytë në krye të Komunës së Tetovës me 21.308 vota përballë Bajram Rexhepit nga AKI i cili mori 16.295 vota.
