‘Kemi vuajtur për ta vizituar Shqipërinë dhe kemi ëndërruar për t’u bashkuar’, fjalët prekëse të qytetarëve
Sot për nder të festës së 28 nëntorit, rrugët e kryeqytetit janë të mbushura me entuziazmin e qytetarëve për të festuar këtë datë historike të popullit shqiptar. Flamuj nëpër qytet, qytetarë me veshje tradicionale shqiptare, fëmijë me figura të shqiponjës historike të vizatuara dhe muzikë patriotike që dëgjohej gjithandej rrugëve. Mesazhet, komentet, urimet e gjithashtu edhe


Sot për nder të festës së 28 nëntorit, rrugët e kryeqytetit janë të mbushura me entuziazmin e qytetarëve për të festuar këtë datë historike të popullit shqiptar. Flamuj nëpër qytet, qytetarë me veshje tradicionale shqiptare, fëmijë me figura të shqiponjës historike të vizatuara dhe muzikë patriotike që dëgjohej gjithandej rrugëve.
Mesazhet, komentet, urimet e gjithashtu edhe emocionet e qytetarëve nuk munguan në deklaratat e tyre. Ukë Shala, ndau emocionin dhe nostalgjinë e viteve të errëta të kombit kur ishte e pamundur ta vizitonin Shqipërinë.
“Ato ishin vite shumë të zymta, shumë të këqija, ne për Shqipëri kemi vuajtur shumë, kemi ëndërruar me shkuar në Shqipëri, me u bashku me Shqipëri, duhet me u bashku me Shqipërinë”, tha ai.
Gjithashtu, për rëndësinë e njohjes së historisë së festës kombëtare dhe festimit të 28 Nëntorit, ai kujtoi si e festonin ilegalisht.
“Duhet me festu, është festa e flamurit, ditëlindja e Adem Jasharit, festa e Skënderbeut. Në moshën time ne punonim ilegalisht, e festonim ilegalisht”, tha ai.
Hysni Zuka ndau me ne rëndësinë dhe vlerën e kësaj date historike.
“Festa e 28 nëntorit që ka datuar me 1912 kurrë nuk e humbë vlerën e vet, edhe pse kemi kriju edhe festa tjera, ne e kemi edhe 17 shkurtin si festë tonën, mirëpo, megjithatë bazat e shtetit tonë janë themelu edhe janë të vitit 1912 në krye me Ismail Qemalinn. Kjo festë nuk duhet të zbehet edhe pse e shoh që pak a shumë ka filluar të zbehet, por kjo rrjedhin nga qeveria e pandërgjegjshme. Ky është element negativ, këto nuk duhet harruar”, tha ai.
Gjithashtu, Zuka shtoi diçka prekëse për periudhën kur ishte e pamundur të shkonin shqiptarët e Kosovës në Shqipëri:
“Ne kur e kemi festuar atëherë, kemi qenë nën sundimin e okupatorit serb dhe me ato masa të diskriminume, ne megjithatë e kemi gjet një mënyrë me e festu si kemi mundur në mënyrë ilegale ndonjëherë edhe ne legale duke e rrezikuar jetën”
Pajazit shpreh rëndësinë e festimit të kësaj date historike të vendit prej të rinjve.
“Më shumë po e festojnë të varfëritë 28 Nëntorin, ku janë ata që janë milionera, të gjithë janë ikë. Për dallim prej vitit të kaluar po vërej ndryshime shumë, nuk po shoh grumbuj të njerëzve. Të rinjtë duhet ta festojnë, të rinjtë veçse kanë shkuar…Nuk kemi mundur ta vizitojmë, ishte situata e tillë, na kanë rrahur shumë, si e kalonim Mitrovicën na kanë rrahur, unë për vete kam qenë sportist ne klubin e boksit Prishtina, ne me sport e kemi rrahur ish- Jugosllavinë. Në kohët më të vështira i kemi rrahur, me sport i kemi mundur. Dikush me sport, dikush me qifteli”, tha ai.
Dita e Flamurit, e Pavarësisë së Shqipërisë, e lindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe e daljes së parë publike të UÇK-së, janë katër ngjarje që përbëjnë boshtin e krenarisë sonë kombëtare./Kosovapress

