Tri kompani transporti pezullojnë nga nesër disa linja nga Fushë Kosova drejt Prishtinës

Tri kompani transporti nga Fushë Kosova kanë njoftuar se, për shkak të vështirësive të mëdha financiare dhe rritjes së shpenzimeve operative, nga 19 gushti 2026 do të pezullojnë përkohësisht shërbimin e transportit në katër linja drejt Prishtinës.
Bëhet fjalë për linjat: Grabovc – Prishtinë – Grabovc, Harilaq – Prishtinë – Harilaq, Hencë – Prishtinë – Hencë, Miradi e Epërme – Prishtinë – Miradi e Epërme.
Në njoftimin e përbashkët, kompanitë theksuan se vendimi është marrë për shkak të pamundësisë për të përballuar shpenzimet e karburantit dhe kostot e tjera operative. Ato kanë theksuar se banorët e këtyre lokaliteteve, në komunën e Fushë Kosovës, varen çdo ditë nga këto linja për të udhëtuar drejt Prishtinës dhe anasjelltas, transmeton Klankosova.
Kompanitë kanë bërë të ditur se para marrjes së vendimit u janë drejtuar institucioneve kompetente për të kërkuar një zgjidhje për vazhdimin e shërbimit. Ato shpresojnë që kërkesa të merret seriozisht dhe të gjendet sa më shpejt një zgjidhje, në mënyrë që transporti të rikthehet në funksion.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



