Kosova kërkon startin e ëndrrave, sonte përballë Irlandës në “Fadil Vokrri”

Kombëtarja e Kosovës nis sonte aventurën e re në Ligën e Kombeve, me “Dardanët” që në stadiumin “Fadil Vokrri” përballen me Republikën e Irlandës, raporton albinfo.ch. Ndeshja zhvillohet nga ora 20:45 dhe shënon startin e Kosovës në Ligën B të këtij kompeticioni, përcjell albinfo.ch.
Kjo do të jetë përballja e parë zyrtare mes Kosovës dhe Irlandës. Mysafirët vijnë në Prishtinë pas dy fitoreve radhazi në Ligën e Kombeve, ndërsa synojnë ta vazhdojnë serinë me një tjetër rezultat pozitiv.
Kosova, në anën tjetër, llogarit në mbështetjen e tifozëve dhe në bilancin pozitiv në shtëpi. “Dardanët” kanë humbur vetëm një nga nëntë ndeshjet e fundit zyrtare në shtëpi ndaj kombëtareve evropiane, ndërsa në shtatë ndeshjet e fundit zyrtare në Prishtinë kanë pësuar vetëm tri gola.
Përzgjedhësi Franco Foda do të ketë disa mungesa të rëndësishme. Amir Rrahmani dhe Florent Hadërgjonaj nuk janë më pjesë e përfaqësueses, ndërsa Florent Muslija dhe Elvis Rexhbeçaj mungojnë për shkak të lëndimeve.
Këto mungesa kanë krijuar hapësirë për futbollistë të rinj. Në listën e Fodës janë përfshirë Erblin Osmani, Dion Kaçuri dhe Milot Avdyli, ndërsa Vedat Muriqi pritet të jetë një prej lojtarëve kryesorë të Kosovës.
Sulmuesi kosovar ka një statistikë të veçantë në Ligën e Kombeve, pasi me 13 gola renditet ndër golashënuesit më të mirë në historinë e këtij kompeticioni.
Edhe Irlanda do të ketë mungesa në këtë sfidë. Përzgjedhësi Heimir Hallgrímsson nuk mund të llogarisë në katër futbollistë, përfshirë Seamus Coleman dhe Nathan Collins.
Me “Fadil Vokrrin” që pritet të jetë i mbushur, Kosova synon ta nisë me tri pikë ciklin e ri në Ligën e Kombeve. Në grup, Austria shihet si një prej kundërshtarëve kryesorë, duke e bërë edhe më të rëndësishëm një rezultat pozitiv në ndeshjen hapëse./Albinfo.ch
The post Kosova kërkon startin e ëndrrave, sonte përballë Irlandës në “Fadil Vokrri” appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



