Kosova në kërkim të së vërtetës, ende e panjohur vendndodhja e shtetasit të arrestuar nga Serbia
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se menjëherë pas marrjes së informacionit për arrestimin e shtetasit të Kosovës, Avni Qenaj, nga autoritetet serbe, janë ndërmarrë hapat e parë zyrtarë për të siguruar informata të sakta dhe trajtim të drejtë të rastit. Sipas MPJD-së, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi i


Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se menjëherë pas marrjes së informacionit për arrestimin e shtetasit të Kosovës, Avni Qenaj, nga autoritetet serbe, janë ndërmarrë hapat e parë zyrtarë për të siguruar informata të sakta dhe trajtim të drejtë të rastit.
Sipas MPJD-së, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi i ka dërguar Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë kërkesë zyrtare për konfirmimin e arrestimit, arsyet konkrete të ndalimit, vendndodhjen aktuale të shtetasit të ndaluar, si dhe informacionet tjera të nevojshme për trajtimin e rastit.
Paralelisht, Zyra Ndërlidhëse ka njoftuar Delegacionin e BE-së në Serbi, duke kërkuar monitorim të shtuar dhe transparencë të plotë të autoriteteve serbe gjatë procedurave të zhvilluara ndaj Qenajt. Me qëllim të koordinimit ndërkombëtar, MPJD ka dërguar notë verbale edhe misioneve diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, për të siguruar mbështetje në mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës.
Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi pritet të parashtrojë kërkesën zyrtare për lejen e vizitës te personi i arrestuar, sapo të konfirmohet lokacioni i tij i saktë. MPJD nënvizon angazhimin e saj të vazhdueshëm për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit, duke garantuar se opinioni publik do të informohet në kohë reale për çdo zhvillim të ri. Në fund, ministria i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të shtojë presionin mbi autoritetet serbe, të cilat – sipas MPJD-së – vazhdojnë praktikat e keqtrajtimit dhe intimidimit ndaj shtetasve të Kosovës, duke cenuar standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
/Kosovapress/

