Kosovarja falsifikoi dëftesën me ChatGPT-në pasi dështoi në provimin profesional në Zvicër

Një rast i falsifikimit të dokumenteve është evidentuar në kantonin Aargau të Zvicrës, ku një 19-vjeçare nga Kosova ka përdorur inteligjencën artificiale për të ndryshuar një dëftesë, me qëllim që të paraqitej sikur e kishte kaluar me sukses provimin përfundimtar të aftësimit profesional, transmeton albinfo.ch.
Referuar raportimit të gazetarit Dominic Kobelt, të publikuar më 14 tetor 2026, e reja nuk kishte arritur të kalonte provimin përfundimtar për kualifikimin si asistente dentare. Nota mesatare e saj ishte 3.0, rezultat që nuk i mundësonte përfundimin me sukses të këtij procesi sipas sistemit zviceran të vlerësimit.
Për të mos e zbuluar dështimin para kompanisë ku po kryente praktikën profesionale, ajo kishte vendosur të manipulonte dokumentin që dëshmonte rezultatet e provimit.
Mundësia për ta bërë këtë iu krijua pasi një shoqe e saj, e cila e kishte kaluar provimin me notën 4.3, i kishte dërguar një fotografi të dëftesës. Në vend që ta përdorte vetëm për të parë rezultatin e shoqes, 19-vjeçarja e kishte modifikuar imazhin me ndihmën e ChatGPT-së.
Ajo kishte përdorur dokumentin origjinal si bazë, kishte zëvendësuar emrin e shoqes me emrin e saj dhe kishte krijuar një version të ndryshuar që paraqiste notën 4.3 si rezultat të vetin, transmeton tutje albinfo.ch.
Shoqja e saj, sipas raportimit, nuk ishte në dijeni se fotografia e dëftesës do të përdorej për falsifikim. Dokumenti i manipuluar më pas i ishte dorëzuar kompanisë ku e reja po ndiqte aftësimin profesional, në përpjekje për të krijuar përshtypjen se e kishte përfunduar me sukses provimin.
Megjithatë, falsifikimi u zbulua dhe rasti përfundoi në Prokurori.
Sipas urdhrit penal, i cili tashmë është bërë i formës së prerë, 19-vjeçarja është dënuar për falsifikim dokumenti. Ajo duhet të paguajë një dënim financiar prej 3.600 frangash zvicerane, i cili është shqiptuar me kusht.
Përveç kësaj, asaj i është shqiptuar një gjobë prej 700 frangash, si dhe janë caktuar 1.200 franga për shpenzimet procedurale.
Kështu, detyrimet që duhet t’i paguajë drejtpërdrejt arrijnë në 1.900 franga zvicerane, ndërsa dënimi financiar prej 3.600 frangash mbetet me kusht./Albinfo.ch
The post Kosovarja falsifikoi dëftesën me ChatGPT-në pasi dështoi në provimin profesional në Zvicër appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



