Krerët e institucioneve në RMV takuan ambasadorin e sapoemëruar të Suedisë, u bisedua edhe për eurointegrimet
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, u takua me ambasadorin e sapoemëruar të Mbretërisë së Suedisë, Ola Solstrom, të cilin e uroi për emërimin në detyrën ambasador dhe i uroi suksese në detyrën e re. Ndër të tjera tema, ata folën edhe për rrugën eurointegruese të vendit, ku ambasadori siguroi […]


Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, u takua me ambasadorin e sapoemëruar të Mbretërisë së Suedisë, Ola Solstrom, të cilin e uroi për emërimin në detyrën ambasador dhe i uroi suksese në detyrën e re. Ndër të tjera tema, ata folën edhe për rrugën eurointegruese të vendit, ku ambasadori siguroi se vendi i tij do të ofrojë mbështetje të plotë për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE, transmeton Portalb.mk.
“Ai (kryeparlamentari Gashi) gjithashtu shfrytëzoi rastin për të shprehur mirënjohjen e tij ndaj Mbretërisë së Suedisë për mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit tonë përmes projekteve të shumta zhvillimore, jo vetëm në nivel politik, diplomatik dhe institucional, por edhe financiarisht përmes programit të reformave për të mbështetur rrugën e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut me afërsisht 10 milionë euro në vit, gjë që e bën Suedinë donatorin më të madh individual midis shteteve anëtare të Bashkimit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Ambasadori Solstrom, duke iu referuar marrëdhënieve të mira dypalëshe midis të dyja vendeve, theksoi se gjatë mandatit të tij do të përqendrohet në marrëdhëniet politike, përkatësisht në mbështetjen e vazhdueshme për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE, bashkëpunimin në NATO, si dhe në promovimin e bashkëpunimit ekonomik. Ai iu referua edhe kontakteve midis njerëzve, dhe në këtë kuptim e vlerësoi bashkëpunimin dypalësh parlamentar si shumë dinamik dhe të frytshëm.
Kryetari Gashi rikujtoi se në të gjitha formacionet e mëparshme të Kuvendit është formuar Grupi Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin Suedez, i cili vazhdimisht tregon gatishmërinë dhe dëshirën për të intensifikuar bashkëpunimin ndërparlamentar, dhe përshëndeti formimin e një Grupi të tillë për Bashkëpunim edhe në Parlamentin Suedez, si vazhdimësi e bashkëpunimit të ngushtë dypalësh.
Takim me ambasadorin zhvilloi edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë, Cvetan Tripunovski.
Në takim, u diskutua forcimi i bashkëpunimit midis dy vendeve, si dhe mbështetja që Mbretëria e Suedisë i ofron sektorit bujqësor në Maqedoni.
Gjatë bisedës, ata ranë dakord se nevojitet një përfaqësim dhe promovim më i madh i produkteve bujqësore maqedonase në tregun suedez.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
- LEXO: Weitz shpreson që Maqedonia e Veriut do t’i bëjë ndryshime kushtetuese pas zgjedhjeve lokale
- LEXO: Presidentja Siljanovska i kërkoi Von der Leyenit ndihmë për zhbllokimin e eurointegrimeve
- LEXO: Von der Leyen pas takimit me Mickoskin: Topi është në fushën tuaj, ju duhet t’i bëni ndryshimet kushtetuese për hyrjen në BE