Rita Ora kujton traditat shqiptare: Gjyshja më lexonte filxhanin si një hartë të së ardhmes

Rita Ora kujton traditat shqiptare: Gjyshja më lexonte filxhanin si një hartë të së ardhmes

Rita Ora ka ndarë disa detaje personale nga jeta e saj, duke folur për besimet, energjinë dhe traditat shqiptare me të cilat është rritur në familje.

Në një intervistë për “The New York Times”, këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare ka treguar se mban pothuajse gjithmonë me vete një varëse të veçantë me kristale, të cilën e konsideron si një objekt që i sjell qetësi dhe e ndihmon të ruajë ekuilibrin gjatë ritmit intensiv të karrierës.

Sipas Ritës, varësja ishte dhuratë për 34-vjetorin e saj nga një prej mikeshave më të afërta dhe është punuar posaçërisht për të. Ajo përmban disa lloje kristalesh, përfshirë citrin, kuarc të tymosur, ametist të gjelbër dhe kuarc të pastër.

Këngëtarja thotë se kristalet i lidh me energjinë pozitive, qetësinë, përqendrimin dhe synimet personale.

“Është një lloj objekti që më ndihmon të çliroj stresin dhe të ruaj energjinë time. Në këtë industri është shumë e lehtë të humbasësh ekuilibrin, ndaj kjo më ndihmon të qëndroj e përqendruar”, është shprehur ajo.

Edhe pse pranon se nuk mund ta shpjegojë shkencërisht ndikimin e kristaleve, Rita thotë se beson në energjinë që ato përcjellin.

“E vendos sa herë që mundem. Ndërroj shpesh veshjet, kështu që, nëse nuk përputhet me to, e mbaj në çantë. Është gjithmonë me mua”, ka treguar ajo.

“Jam rritur me bestytni shqiptare”

Një pjesë veçanërisht interesante e rrëfimit të Ritës lidhet me kujtimet e saj familjare dhe traditat shqiptare.

Artistja ka pranuar se është supersticioze dhe se shumë prej këtyre besimeve i ka trashëguar nga ambienti familjar shqiptar ku është rritur.

“Po, jam supersticioze. Mendoj se ne, evropianët lindorë, sidomos unë që vij nga një familje shqiptare, jemi rritur me bestytni”, ka rrëfyer ajo.

Rita ka kujtuar në veçanti gjyshen e saj dhe ritualet që ajo praktikonte.

“Gjyshja ime bënte gjithmonë rituale nën dritën e hënës së plotë dhe lexonte filxhanin e kafesë të kthyer përmbys, sikur të ishte një hartë e së ardhmes”, ka treguar këngëtarja.

Pavarësisht jetës së saj mes skenave ndërkombëtare, modës dhe industrisë globale të muzikës, Rita Ora vazhdon të ruajë kujtime dhe elemente nga traditat me të cilat është rritur.

Rrëfimi i saj sjell në vëmendje edhe një herë lidhjen e fortë që artistja ka me prejardhjen dhe kulturën shqiptare, të cilën e ka përmendur vazhdimisht edhe gjatë karrierës së saj ndërkombëtare.

The post Rita Ora kujton traditat shqiptare: Gjyshja më lexonte filxhanin si një hartë të së ardhmes appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.