Rreth 19.000 persona të tjerë në Bernë do të përfitojnë subvencion për sigurimin shëndetësor

Qeveria e kantonit të Bernës ka rritur kufirin maksimal të të ardhurave për përfitimin e subvencionit të primeve të sigurimit shëndetësor. Nga 1 janari 2027, rreth 19.000 persona të tjerë do të kenë të drejtë për këtë ndihmë, raporton Keystone-SDA.
Për zgjerimin e mbështetjes parashikohen rreth 16,5 milionë franga. Përfitues do të jenë afërsisht 9.200 ekonomi familjare: 5.200 familje me fëmijë dhe 4.000 ekonomi familjare të personave që jetojnë vetëm ose çifteve pa fëmijë, transmeton albinfo.ch.
Ndërkohë, rreth 2.500 persona në 1.200 ekonomi familjare që tashmë përfitojnë subvencion do të marrin mbështetje më të lartë, pasi kufijtë e rinj i kalojnë në një kategori tjetër të të ardhurave.
Me këto ndryshime, pjesa e popullsisë që përfiton subvencion pritet të arrijë në 25,35 për qind. Legjislacioni kantonal parashikon që mbështetja të përfshijë ndërmjet 25 dhe 45 për qind të banorëve.
Nga viti 2028, Berna do të ndajë edhe rreth 200 milionë franga shtesë për subvencionimin e primeve, si pasojë e kërkesave të reja federale.
The post Rreth 19.000 persona të tjerë në Bernë do të përfitojnë subvencion për sigurimin shëndetësor appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



