Kushtetuesja pranoi kërkesën e Metës

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pranojë këtë të mërkurë kërkesën e paraqitur nga avokatët e ish-presidentit Ilir Meta në lidhje me masën e arrestit ndaj tij, raporton Euronews. Sipas vendimit, kërkesa do të shqyrtohet në themel mbi bazë dokumentesh, pa praninë e palëve në seancë. Meta, përmes mbrojtësve të tij ligjorë, pretendon se vendimet e […]

Kushtetuesja pranoi kërkesën e Metës
Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta. Foto nga Ilir Meta (Facebook)

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pranojë këtë të mërkurë kërkesën e paraqitur nga avokatët e ish-presidentit Ilir Meta në lidhje me masën e arrestit ndaj tij, raporton Euronews. Sipas vendimit, kërkesa do të shqyrtohet në themel mbi bazë dokumentesh, pa praninë e palëve në seancë.

Meta, përmes mbrojtësve të tij ligjorë, pretendon se vendimet e dhëna nga të tre gjykatat, përfshirë Gjykatën e Lartë, Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Shkallës Parë, janë antikushtetuese dhe kanë cënuar rëndë liritë, Kushtetutën, ligjin procedural penal, si dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me heqjen e lirisë. Ilir Meta, ish-President i Republikës, ish-Kryeministër dhe ish-Kryetar i Kuvendit, është vendosur në masën e arrestit në burg, pa akuzë konkrete, por vetëm me dyshime si person nën hetim.

Ilir Meta ndodhet në burg që prej datës 21 tetor 2024, nën akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Shkeljet konkrete të Kushtetutës sipas palës mbrojtëse

“Kërkesa mbështetet në faktin se Gjykata ka lënë në fuqi një masë arresti të bazuar vetëm në dyshime, pa një akuzë të komunikueshme ndaj të pandehurit, në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, e cila përcakton se “çdo dyshim për akuzën çmohet në favor të të pandehurit”. Për më tepër, masa e arrestit me burg e kërkuar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit Organizat përbën një shkelje të parimeve themelore të Kushtetutës dhe është e papërshtatshme për të siguruar një proces të drejtë.

Vendimet e gjykatave janë të paqartë dhe të paarsyeshme në lidhje me rrezikshmërinë individuale të të pandehurit. Arsyetimi i Gjykatës së Lartë ka shkuar përtej kompetencave të saj, duke e paragjykuar ish-Presidentin Ilir Meta si recidivist për të njëjtat vepra penale, një fakt që është i pasaktë pasi Meta nuk ka pasur ndonjë dënim të mëparshëm për ndonjë vepër penale” thuhet në kërkesë.

Shkelja e Kushtetutës dhe ligjeve të tjera

Avokatët e Metës thonë se masa e arrestit me burg, për një person publik si ish-Presidenti dhe lider i një partie opozitare, është konsideruar jo proporcionale dhe e pajustifikuar, duke cenuar liritë themelore të njeriut.

“Ky proces ka shkelur disa nene të Kushtetutës, si:

Neni 17 i Kushtetutës: Kufizimi i të drejtave dhe lirive.

Neni 27 i Kushtetutës: E drejta për liri dhe siguri personale.

Neni 28 i Kushtetutës: Prezumimi i pafajësisë.

Neni 48 i Kushtetutës: Barazia para ligjit dhe ndalimi i diskriminimit politik.

Neni 5 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut: Ndalimi i ndalimit arbitrar.

Neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut: E drejta për një proces të drejtë.

Nëse personi nuk ushtron funksion publik, nuk ka mundësi të ndikojë mbi prova ose dëshmitarë, dhe nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore, masa e sigurisë me burg mund të konsiderohet e papërshtatshme dhe e pamotivuar”, thonë avokatët.

Kërkesa për shfuqizim të vendimeve të gjykatave

“Për të gjitha arsyet e mësipërme, kërkohet nga Gjykata Kushtetuese pranimi i kërkesës dhe shfuqizimi si antikushtetues i vendimeve të mëposhtme:

Vendimi nr. 57, datë 27.02.2025, i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Vendimi nr. 59 (97-2024-333), datë 19.11.2024, i Gjykatës Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Vendimi nr. 125, datë 20.10.2024, i Gjykatës Shkallës Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Vendimi nr. 130, datë 23.10.2024, i Gjykatës Shkallës Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet në kërkesën e avokatëve të Metës.