Kuvendi pret, Qeveria hesht, Kushtetuesja abstenon, KE-ja kritikon ashpër: Kodi Penal në RMV, mjeti më i fortë i pandëshkueshmërisë
Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut u vendos përsëri në qendër të vëmendjes nga Komisioni Evropian në Raportin e Progresit për vitin 2025, duke kërkuar hartimin urgjent të një versioni të ri, plotësisht të harmonizuar me acquisin d BE-së dhe standardet ndërkombëtare. BE kritikon ashpër ndryshimet e vitit 2023, të cilat sollën ulje të dënimeve […]

Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut u vendos përsëri në qendër të vëmendjes nga Komisioni Evropian në Raportin e Progresit për vitin 2025, duke kërkuar hartimin urgjent të një versioni të ri, plotësisht të harmonizuar me acquisin d BE-së dhe standardet ndërkombëtare. BE kritikon ashpër ndryshimet e vitit 2023, të cilat sollën ulje të dënimeve për shpërdorim detyre, shkurtim drastik të afateve të vjetërsimit dhe mundësi për shmangie të përgjegjësisë nga zyrtarët e nivelit të lartë. Sipas Komisionit, këto ndërhyrje kanë minuar luftën kundër korrupsionit, kanë çuar në mbylljen e dhjetëra lëndëve të rëndësishme dhe kanë krijuar një klimë të thelluar pandëshkueshmërie. Por çfarë bën vendi në këtë drejtim? Aktualisht, as Parlamenti, as Qeveria nuk po propozon zgjidhje, e as Gjykata Kushtetuese nuk po vepron sipas premtimeve të saj për të ndalur efektet e ndryshimeve të kontestuara, raporton Portalb.mk.
Për më tepër, BE kërkon kriminalizimin e qartë të veprave ende të pambuluara si martesa e detyruar, dhuna psikologjike dhe ndjekja penale ex officio për rastet e dhunës në familje, duke theksuar se Kodi aktual është i paplotë dhe i papërputhshëm me standardet moderne të drejtësisë penale.
“(Vendi duhet) të miratojë një Kod të ri Penal në përputhje me acquis të BE-së dhe standardet ndërkombëtare. Të përmirësojë historikun e saj në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë – me hetime, ndjekje penale, dënime përfundimtare dhe rikuperim proaktiv në kohë, profesionale dhe transparente, duke përfshirë konfiskimin e aseteve kriminale, konfiskimin e bazuar në vlerë, konfiskimin e zgjeruar dhe konfiskimin nga palët e treta.Kodi Penal ka nevojë për harmonizim të mëtejshëm, veçanërisht duke kriminalizuar martesën e detyruar, dhunën psikologjike dhe ndjekjen penale ex officio për dëmet e lidhura me dhunën në familje”, thuhet mes tjerash në raport.
Në vend që Kuvendi të fokusohej në reformimin e Kodit Penal që për vite ishte kritikuar për krijimin e hapësirave të pandëshkueshmërisë, vëmendja institucionale është orientuar në çështje të tjera si miratimi i Kodit të ri Zgjedhor. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i pyetur nga Portalb.mk, ka bërë të qartë se nisma për ndryshimet në Kodin Penal mbetet në duart e Qeverisë, duke reflektuar mungesë të vullnetit të koordinuar institucional, pavarësisht kritikave të ashpra nga ekspertë vendas dhe tani edhe nga BE.
“Dera është hapur për Kodin Penal, ne presim nga qeveria. Nuk duhet të përzihemi në pjesën materiale, në bazë të asaj nuk është korrekte të prejudikojmë se cila është përgjigjja. E imja është ta vendos në seancë dhe vullneti i shumicës është ai që duhet të jetë vendimtar se si kalon. Ende nuk ka asnjë propozim, varet nga Qeveria”, u përgjigj Gashi në pyetjen e gazetarit të Portalb.mk, i cili kur shpalli zgjedhjet lokale në gusht, tha se popozim Kodi i ri Penal sapo kishte mbërritur në Kuvend, sepse ishte informuar nga ministri i Drejtësisë Igor Filkov dhe Qeveria.
“Në mars të vitit 2025, Gjykata Kushtetuese formuloi rezerva për kushtetutshmërinë në lidhje me ndryshimet e shtatorit 2023 në Kodin Penal. Parlamentit i janë dhënë gjashtë muaj për të shqyrtuar dispozitat përkatëse, përndryshe Gjykata do të ketë fjalën e fundit nëse do t’i shfuqizojë (gjegjësisht, të gjitha vendimet e bazuara në dispozita nuk do të jenë më të vlefshme dhe lëndët përkatëse do të duhet të rifillojnë) ose t’i anulojë ato (përkatësisht, kodi i vjetër do të jetë në fuqi që nga dita e anulimit, ndërsa vendimet e bazuara në ndryshimet e vitit 2023 do të mbeten)”, thuhet në raportin e KE-së.
Gjykata Kushtetuese, e cila në dhjetor 2024 hapi procedurë kundër ndryshimeve të Kodit Penal të miratuara në 2023, i dha Parlamentit afat gjashtëmujor për të korrigjuar dispozitat që konsiderohen në kundërshtim me parimin e barazisë dhe sundimin e ligjit. Megjithëse afati ka kaluar, Gjykata ka zgjedhur të kërkojë sqarime formale nga Kuvendi, duke e shtyrë edhe më tej momentin e marrjes së një vendimi përfundimtar për shfuqizim ose anulim. Ky vakum juridik mban peng jo vetëm qartësinë ligjore, por edhe besimin e qytetarëve në drejtësi.
“Pas disa pyetjeve gazetareske në lidhje me rastet në të cilat është iniciuar procedurë për vlerësimin e Ligjit për ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Penal, dhe për të cilat Gjykata Kushtetuese ka caktuar afat prej 6 muajsh që Parlamenti të përmbushë qëndrimet e Gjykatës të shprehura në Vendim, ju informojmë se: Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, është në komunikim me kryetarin e Parlamentit, Afrim Gashi, dhe do t’i drejtohet Parlamentit me shkrim për të marrë informacion zyrtar në lidhje me afatin e caktuar prej 6 muajsh dhe udhëzimet për përmbushjen e ligjit, të dhëna nga Gjykata Kushtetuese. Bazuar në përgjigjen nga Parlamenti, Gjykata do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të vazhduar në këtë rast”, thanë në gusht nga Gjykata Kushtetuese.
Ndërkohë, efektet e ndryshimeve të vitit 2023 tashmë kanë pasur pasoja të prekshme. Me uljen drastike të afateve të vjetërsimit dhe reduktimin e dënimeve për shpërdorim detyre, një numër i madh çështjesh të rëndësishme, përfshirë ato të ish-Prokurorisë Speciale Publike, janë rrëzuar ose janë drejt mbylljes së parakohshme. Rasti i ish-gjyqtarit Zoran Teofilovski u bë shembulli i parë i një çështjeje që u vjetërsua brenda ditës si rezultat i ndryshimeve ligjore, duke riafirmuar shqetësimet e BE-së për rrezikun e pandëshkueshmërisë së institucionalizuar.
“Pasojat e ndryshimeve të Kodit Penal të shtatorit 2023, mungesa e burimeve të mjaftueshme njerëzore dhe financiare dhe vonesat në procedurat gjyqësore pengojnë krijimin e një historiku të fortë të rasteve kundër korrupsionit, duke përfshirë ato të ish-Prokurorisë Speciale Publike (PSP). Kjo kontribuon më tej në një ndjenjë pandëshkueshmërie. Transparenca e dobët gjyqësore dhe performanca e dobët e prokurorisë vazhdojnë të pengojnë efektivitetin dhe integritetin e procedurave në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë”, thuhet në raport.
Në këtë situatë të ngërçit politik dhe juridik, nevoja për një Kod të ri Penal nuk është më çështje teknike, por emergjente për kredibilitetin e shtetit. Harmonizimi me standardet evropiane, forcimi i kapaciteteve hetimore dhe siguria se shkeljet e zyrtarëve publikë nuk do të zhbëhen nga vakumet ligjore janë bazë për rifitimin e besimit të publikut. Vetëm përmes reformave të qëndrueshme, të koordinuara dhe të panegociueshme, Maqedonia e Veriut mund të fillojë të mbyllë kapitullin e pandëshkueshmërisë dhe të afrohet realisht me standardet e drejtësisë evropiane.
Pasojat e ndryshimeve në Kodin Penal (KP), të cilat parashikojnë dënime më të ulëta, por edhe vjetërsim më të shpejtë për veprat e keqpërdorimit të detyrës, punë nga pakujdesia dhe bashkimit kriminal, për herë të parë u panë 20 ditë pas miratimit të tyre. Në vend të vitit 2051, lënda për ish-anëtarin e Këshillit Gjyqësor, gjyqtarit nga Tetova Zoran Teofilovski skadoi po atë ditë, i cili gjykohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Me ndryshimet në Kodin Penal, asnjë zyrtar nuk do të përballet me dënim më të lartë se 5 vjet burg, nëse keqpërdorë detyrën. Gjithashtu, të gjitha aktet e shpërdorimit të shërbimit të kryera para vitit 2013 iu nënshtruan vjetërsimit (më parë vjetërsimi absolut ishte 40 vjet, ndërsa tani 10).
Kjo ndikoi më shumë në rastet e ish- Prokurorisë Speciale Publike, “TNT”, “Talir”, “Talir 2”, “Thesari”, “Tarifa”, “Dizajni”, “Toplik”, “Titanik”, “Titanik 2”, “Shkallët spanjolle”, “Target-Fortesa” dhe të tjera.
