LIbri “Bisedë përmes hekurash”, një rast reflektimi për peshën e mendimit të Ukshin Hotit

LIbri “Bisedë përmes hekurash”, një rast reflektimi për peshën e mendimit të Ukshin Hotit

Ukshin Hoti, një nga emblemat më të rëndësishme të rezistencës shqiptare, ishte njëri nga ato pak personalitete  që shkrinte në vete intelektualin, mendimtarin par exellance dhe veprimtarin aktiv. Zhdukja e një personaliteti kaq madhor e ka ndikuar sigurisht skenën politike dhe intelektuale të Kosovës. Shëmbëlltyra e tij është bërë shpesh subjekt i shkrimeve, vështrimeve dhe librave që rreken të shpalosin figurën e tij poliedrike, e cila i mungon shumë realitetit të tashëm shqiptar.

Libri “Bisedë përmes hekurash” është mbase subjekti më i qëlluar për të sjellë mendimin brilant politik të Ukshin Hotit nga koha kur është krijuar  për t`i folur kohës së sotme. Promovimi në Gjenevë i përkthimit të këtij libri  në gjuhën frënge nga autori dhe veprimtari i njohur (tashmë pjesë e kulturës shqiptare), Sébastien Gricourt, ishte një rast për të reflektuar për peshën e mendimit jo vetëm politik të Hotit.

Libri u promovua në kuadër të aktiviteteve kushtuar Ditës së të zhdukurve me forcë, që u mbajt më 30 gusht në Gjenevë, një organizim i iniciuar nga Shoqata Kulturore “Dora D`Istria” të udhëhequr nga Mirishahe Hiler Limani dhe i mbështetur nga shumë subjekte të tjera shqiptare e më gjerë, në Zvicër. Promovimi në një kontekst të tillë ishte një veprim i qëlluar edhe për faktin se vetë Hoti bën pjesë në mesin e të zhdukurve me forcë. Një zhdukje që edhe sot, pas 27 vitesh vazhdon të mbetet enigmatike.

Promovimit i parapriu një dokumentar i shkurtër i autorit Edon Duraku që bën fjalë për personalitetin e Ukshin Hotit dhe rrethanat e zhdukjes së tij. Filmi u kishte dhënë fjalën disa prej njohësve më të mirë dhe familjarëve të mendimtarit Ukshin Hoti

Në prezantimin e librit “Bisedë përmes hekurash” (Conversation  a travers les barreaux) të përkthyer në gjuhën frënge mori pjesë vetë autori i përkthimit, Sebastien Gricourt, Driton Kajtazi, drejtor i ISEAL dhe Milazim Ukëhaxhaj, nga Shoqata e Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës. Prezantimin në gjuhën shqipe e ka drejtuar aktivistja dhe krijuesja nga Gjeneva, Nerxhivane Sejdiu Ferati ndërsa në atë frënge, Jeremy Seydoux, shef i redaksisë së TV Leman bleu.

Kryetarja e parlamentit të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, Znj. Dilara Bayrak u ka uruar mirëseardhjen të pranishmëve me një fjalë rasti.

Mbrëmjen e priti zyrtarisht dhe u dëshiroi mirëseardhje të gjithë të pranishmëve edhe këshilltari administrativ i Komunës së Vernierit dhe ish-kryetar i kësaj komune, Mathias Buschbeck.

Në fjalën e tij, Buschbeck tregoi se organizimi i kësaj ngjarjeje në komunën e tij i kishte dhënë mundësinë të njihej më nga afër me jetën, veprën dhe fatin e Ukshin Hotit. Ai shprehu njëkohësisht kënaqësinë që Vernieri, si një komunë e karakterizuar nga shumëllojshmëria kulturore, krijon hapësira ku njerëzit dhe komunitetet nuk njihen me njëri-tjetrin vetëm përmes festave dhe momenteve të gëzimit, por edhe përmes historive, kujtesës dhe dhimbjeve që ndajnë së bashku.

Sipas tij, pikërisht kjo gatishmëri për të njohur dhe për të kuptuar edhe përvojat e dhimbshme të komuniteteve të ndryshme e forcon bashkëjetesën dhe afërsinë mes njerëzve. Në këtë frymë, mbrëmja kushtuar Ukshin Hotit mori një dimension që shkonte përtej një komuniteti të vetëm, duke e vendosur kujtesën, mirëkuptimin dhe solidaritetin në qendër të takimit mes njerëzve me prejardhje dhe histori të ndryshme.

Një fjalë të ngrohtë mirëseardhjeje në emrin e komunës Vernier (ku mbahej promovimi) e ka mbajtur z. Martin Staub, kryetar i komunës. Ai ka përshëndetur organizatorët për vullnetin dhe kurajën që kanë treguar duke shënuar Ditën e Personave të Zhdukur me Forcë, ditë kjo që ka një peshë të veçantë për bashkëqytetarët e tij me rrënjë shqiptare, në komunë. Staub ka theksuar edhe karakterin multinacional të komunës që drejton, një karakter që, sipas tij, e pasuron jetën në komunitet.

Libri i promovuar është një letërkëmbim interesant i zhvilluar në mes të shkrimtarit të madh Ismail Kadare dhe të burgosurit politik, intelektualit të veçantë e politikanit të njohur me natyrë kryengritëse, Ukshin Hoti. Edhe vetë mënyra e realizimit të këtij letërkëmbimi është një rrëfim më vete, me sakrifica e rreziqe për bartësit dhe veçanërisht për Ukshin Hotin, i cili ishte prapa grilave.

Përkthyesi i librit,  z. Gricourt ka shpjeguar arsyet e përcaktimit të tij, gjegjësisht frymëzimin për të përkthyer këtë libër. Ai ka kujtuar se Ukshin Hotin e njihte prej kohësh. Kjo njohje vinte nga rrethana shumë interesante: nga burgjet serbe ku qëndronte i mbyllur Hoti në fund të viteve `90 të shekullit të kaluar. Gricourt asokohe punonte si përkthyes për Kryqin e Kuq Ndërkombëtar dhe detyrë e tij ishte, veç tjerash edhe të vizitonte, në kuadër delegacionesh, të burgosurit politikë në Serbi. Në njërën nga vizitat e tilla ai kishte qenë dëshmitar i ndalimit që autoritetet e burgut i kishin bërë Ukshin Hotit që të fliste me delegacionin. Aty i kishte bërë përshtypje personaliteti i fuqishëm i mendimtarit të shquar shqiptar.

Vetëm më vonë, thotë autori i përkthimit, kam hasur librin ”Bisedë përmes hekurash” dhe jam entuziazmuar nga ajo që kam lexuar. Ideja ishte që ai të përkthehej në disa gjuhë botërore dhe të shërbente kështu për të sensibilizuar opinionin e botës mbi Ukshin Hotin dhe të zhdukurit tjerë me forcë. Sidoqoftë, libri deri më sot pati vetëm këtë përkthim, pra, në gjuhën frënge. Mbetet të shpresohet që ai të bëjë punën e vet, duke e dorëzuar në adresat e duhura, me ndikim, në botën frankofone.

Për veprën e promovuar por edhe për personalitetin e Ukshin Hotit ka folur edhe Driton Kajtazi, i cili ka vënë theksin në punën e vlefshme që ka bërë përkthyesi, duke folur në superlativ për nivelin e përkthimit dhe sjelljen me sukses të librit në botën e gjuhës frënge.

Krijuesi Milazim Ukëhaxhaj në fjalën e tij është angazhuar rreth njohjes së veprës së Ukshin Hotit nga brezi i ri gjegjësisht rreth ndikimit që kjo vepër mund të ketë në ngritjen kulturore të këtij brezi.

Në debatin që u zhvillua në vazhdim, u shtruan pyetje lidhur me atë se sa i mungon Ukshin Hoti politikës shqiptare të Kosovës, sot. Sipas Gricourt, mungesa e një mendjeje të tillë si ajo e Hotit është evidente dhe, me praninë e Hotit shumë procese në Kosovë mbase do të zhvilloheshin ndryshe. Shumë nga problemet që kanë penguar përparimin e proceseve shtetformuese do të ishin shmangur sikur Ukshin Hoti të ishte gjallë dhe të vepronte politikisht, ka theksuar Gricourt.

Promovimin e ka nderur me fjalën e tij edhe Andin Hoti, ministër në Qeverinë e Kosovës, i biri i mendimtarit dhe veprimtarit, Ukshin Hoti. Ai, pas falënderimeve për organizatorët dhe për përkthyesin e librit ka ndriçuar edhe një segment të qasjes  ndaj Ukshin Hotit: si baba dhe si njeri me veprimtari të njohur politike. Si baba, Ukshin Hoti ka qenë pak i pranishëm në fëmijërinë dhe rininë e hershme të Andinit: shumë vite të kaluara në burg, nuk i kanë lejuar atij të jetë i pranishëm në rritjen e fëmijëve të tij. Prandaj Andini më shumë flet për kohën pas zhdukjes së babait të tij, kohë me shumë dhimbje, stres, pritje të gjata, zhgënjime dhe shpresë.

Ai ka rrëfyer për premtimet e rreme që i vinin familjes së Ukshin Hotit për “gjetjen” e tij në një vend ose një tjetër, për dëshpërimin që pastaj sillte mosgjetja e tij. Mungesë që po e zgjat prej më shumë se një çerekshekulli ankthin e familjes së tij, ashtu si edhe të mbi 1500 familjeve tjera të personave të pagjetur.

Pas promovimit të librit ka pasuar një program i shkurtër artistik. Një improvizim skenik me tematikë për të zhdukurit është prezantuar nga tri aktore të shoqatës “Bashkimi” të Bernës ndërsa këngëtarja e mirënjohur shqiptare me qëndrim në Gjenevë, Mimoza Nazarko ka interpretuar disa këngë shqip dhe frëngjisht duke sjellë një atmosferë të këndshme në sallë.

The post LIbri “Bisedë përmes hekurash”, një rast reflektimi për peshën e mendimit të Ukshin Hotit appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.