Maqedonia e Veriut mes BE-së dhe Kushtetutës: Reforma të domosdoshme, e konfirmon edhe Komisioni i Venedikut

Tashmë, rekomandimet për ndryshime kushtetuese në adresë të Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk vinë vetëm nga fusha politike, por edhe në lidhje me gjyqësorin. Në mendimin e fundit të miratuar në seancën plenare në Venedik më 9 dhe 10 tetor 2025, Komisioni i Venedikut i Këshillit të Evropës mes tjerash theksoi se pavarësia e […]

Maqedonia e Veriut mes BE-së dhe Kushtetutës: Reforma të domosdoshme, e konfirmon edhe Komisioni i Venedikut
Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut. Foto nga arkivi

Tashmë, rekomandimet për ndryshime kushtetuese në adresë të Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk vinë vetëm nga fusha politike, por edhe në lidhje me gjyqësorin. Në mendimin e fundit të miratuar në seancën plenare në Venedik më 9 dhe 10 tetor 2025, Komisioni i Venedikut i Këshillit të Evropës mes tjerash theksoi se pavarësia e plotë e shërbimit të prokurorisë do të kërkojë edhe ndryshime kushtetuese. Sipas ekspertëve të fushës përkatëse, rekomandimet e komisionit duhet të merren parasysh, por kur bëhet fjalë për ndryshime kushtetuese, është vështirë e zbatueshme, shkruan Portalb.mk.

mendim rekomandohet ndryshimi i Kushtetutës, i cili do të kufizonte të drejtën e rizgjedhjes së prokurorit publik, si dhe të zgjedhjes dhe shkarkimit të tij me shumicë të kualifikuar në Parlament. 

“Duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre çështjeve për autonominë dhe pavarësinë relative të Prokurorisë Publike, Komisioni i Venedikut rekomandon që, në kontekstin e reformës së ardhshme kushtetuese, Kushtetuta të ndryshohet edhe në këto pika”, thuhet në dokument. 

Lidhur me Projektligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë, mendimi i Komisionit të Venedikut rekomandon rishikimin e kohëzgjatjes së përvojës profesionale të të gjithë anëtarëve porotë të Këshillit, si dhe ofrimin e një alternative për mënyrën se si zgjidhen katër anëtarët porotë, duke siguruar kështu një përzgjedhje të bazuar në meritat dhe integritetin e kandidatëve, si dhe përfaqësim të larmishëm. 

Ndryshe, Portalb.mk, ka marrë edhe mendimin e Institutit IHR (Institute for Human Rights) në lidhje me opinionet e Komisionit të Venedikut.  

“Opinionet e Komisionit të Venedikut janë të dobishme për harmonizimin e legjislacionit tonë me atë evropian, veçanërisht pasi ato opinione i specifikojnë ose i drejtojnë më tej dispozitat në përputhje me standardet dhe praktikat evropiane dhe ndërkombëtare, dhe është e këshillueshme që të respektohet dhe të zbatohet opinioni i Komisionit të Venedikut. Megjithatë, disa nga propozimet e bëra prej tyre kërkojnë një ndryshim të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, kështu që në këtë pikë rekomandimet e tyre nuk mund të zbatohen plotësisht”, tha për Portalb, Jelena Kadriq udhëheqëse e IHR. 

Sipas ekspertes juridike Kadriq, lidhur me transparencën e procedurës për zgjedhjen e një Prokurori Publik, natyrisht, është e nevojshme të specifikohen më tej dispozitat ekzistuese në ligj, siç thekson edhe Komisioni i Venedikut.

Domosdoshmërinë e ndryshimeve e kujtoi edhe Ursula von der Leyen 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas takimit  me kryeministrin Hristijan Mickoski në Shkup tha se vendi duhet të bëjë ndryshime kushtetuese për të vazhduar rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian (BE). Von der Leyen vizitoi vendin si pjesë e turneut të saj ballkanik.

“Ne e mbështesim plotësisht Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së. Mund të mbështeteni tek ne. Hapi tjetër dhe i vetëm para hapjes së negociatave është i qartë. Ju duhet të bëni ndryshimin kushtetues të dakordësuara. Topi është në fushën tuaj. BE-ja është gati”, shkroi Von der Leyen në X pas takimit me Mickoskin në Qeveri, pas të cilit nuk pati konferencë për media. 

Kujtojmë se, eksponentë të BE-së e kujtojnë Maqedoninë e Veriut dhe krerët e saj politik për ndryshim të kushtetutës, pas çdo vizite në Shkup. Megjithatë, vendi sikur i ka vënë vijë të kuqe kësaj çështje, pas formimit të qeverisë vitin e kaluar nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM. Ndryshimi kushtetutës, mes tjerash, përfshin edhe shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.   

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.