MASH organizon diskutim publik: Sugjeroni libra për lektyra në arsimin fillor

Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit po organizojnë diskutim publik mbi një propozim listë të re lektyrash për arsimin fillor dhe u bëjnë thirrje të gjitha palëve të interesuara – mësuesve, shërbimeve profesionale dhe palëve të tjera të interesuara në arsim, që të angazhohen aktivisht në përcaktimin e një liste […]

MASH organizon diskutim publik: Sugjeroni libra për lektyra në arsimin fillor
Libra shkollor. Foto: MASH

Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit po organizojnë diskutim publik mbi një propozim listë të re lektyrash për arsimin fillor dhe u bëjnë thirrje të gjitha palëve të interesuara – mësuesve, shërbimeve profesionale dhe palëve të tjera të interesuara në arsim, që të angazhohen aktivisht në përcaktimin e një liste moderne, gjithëpërfshirëse dhe cilësore, e cila do t’u përgjigjet nevojave reale të nxënësve dhe procesit mësimor, transmeton Portalb.mk.

Formulari për propozim-libra duhet të dërgohet në [email protected] më së voni deri më 30 nëntor.

“Nevoja për të azhurnuar listën e lektyrave lind nga dëshira për të përshtatur vazhdimisht përmbajtjen mësimore me qëllimet moderne arsimore, karakteristikat zhvillimore të nxënësve dhe kontekstin e tyre social dhe emocional. Lista e propozuar bazohet në listën e zbatuar në vitin shkollor 2019/2020. Disa tituj janë hequr për shkak të lexueshmërisë së ulët, për shkak të mospërshtatshmërisë së moshës ose përmbajtjes. Për shkak të ndryshimeve në kurrikulat dhe lidhjeve ndërdisiplinore në mësimdhënie, disa vepra janë zhvendosur në klasë tjetër ose kanë marrë status të ri – nga i detyrueshëm në zgjedhor dhe anasjelltas”, tha Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) në njoftim.

Propozimi përfshin vepra që trajtojnë tema bashkëkohore dhe të rëndësishme, duke përfshirë: identitetin dhe vetëbesimin, miqësitë dhe marrëdhëniet ndërpersonale, jetën shkollore dhe ngacmimin, sfidat emocionale dhe psikologjike, diversitetin kulturor, përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore.

“Qëllimi është që nxënësit të lexojnë përmbajtje që është afër realitetit të tyre, por edhe mjaftueshëm e shtresuar për analizë dhe interpretim simbolik, gjë që do të inkurajojë të menduarit kritik, diskutimin dhe zhvillimin personal. Lista është e hapur për sugjerime për të gjitha klasat nga klasa e dytë deri në të nëntën. Parashikohet mundësia e përfshirjes së nga një vepre nga letërsitë kombëtare në të gjitha gjuhët e mësimdhënies, me çka secila vepër do të përkthehet në të gjitha gjuhët zyrtare të mësimdhënies në Maqedoni”, shtohet në njoftim.

Propozim-lista e lektyrave është në këtë link.