Matematika e zgjedhjeve në RMV, kush kundër kujt dhe me kë në raundin e dytë?
Kush kë do të mbështesë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale dhe a ka gjasë që mbështetja e mundshme midis partive të ndryshme të vendosë se kush do të bëhet kryetar komune në një komunë të caktuar, është pyetja që po imponohet si vendimtare në prag të 2 nëntorit – ditës kur do të […]

Kush kë do të mbështesë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale dhe a ka gjasë që mbështetja e mundshme midis partive të ndryshme të vendosë se kush do të bëhet kryetar komune në një komunë të caktuar, është pyetja që po imponohet si vendimtare në prag të 2 nëntorit – ditës kur do të zgjidhet njeriu i parë në 33 komuna në Maqedoninë e Veriut, si dhe në Qytetin e Shkupit, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
Në raundin e parë të zgjedhjeve që u mbajt më 19 tetor të gjitha komunat u bënë me përbërje të reja të këshillave, ndërsa kryetarë të komunave u zgjodhën në 44 komuna. Megjithatë, në komunat që gjatë fushatës u treguan si më të pa parashikueshme dhe ngjallën interes më të madh tek publiku votuesit do të vendosin më 2 nëntor.
Komunat e Shkupit, Qendra dhe Karposhi, por edhe Kërçova, Tetova dhe Struga, si dhe Koçani, janë disa nga komunat që analistët politikë i theksojnë si më interesante për t’u ndjekur dhe ku votuesit e kandidatëve që nuk vazhdojnë në raundin e dytë mund të jenë vendimtarë për fitoren ose për të bërë një kthesë.
Për disa prej tyre mbështetja është e qartë, por për disa të tjerë, të paktën publikisht, partitë ende nuk janë deklaruar dhe nuk e kanë drejtuar anëtarësinë e tyre se cilin kandidat të mbështesin.
Sa anëtarët i dëgjojnë partitë se për kë të votojnë?
Analisti dhe kryetari i Institutit BIRC, Xhelal Neziri, është i mendimit se partitë e kanë të vështirë t’i kontrollojnë votuesit dhe t’i drejtojnë ata se për kë të votojnë. Sipas tij, kjo është dëshmuar se nuk funksionon as në raundin e parë në komunat ku ka pasur një marrëveshje të hapur ose të fshehtë të partisë për bashkëpunim, kështu që ai është i mendimit se do të jetë edhe më e vështirë ta bëjnë këtë gjë në raundin e dytë.
“Në raundin e parë ishte shumë më e lehtë të orientohesn votat drejt kandidatëve të partive të tjera sepse u votua edhe përbërja e këshillave, pra për partitë. Në raundin e dytë votohet vetëm për kandidatët për kryetarë të komunave, kështu që do të jetë shumë e vështirë të binden votuesit të dalin dhe të votojnë verbërisht për një kandidat që nuk është i tyre”, tha Neziri për Radion Evropa e Lirë (REL).
Por, ka më shumë kategori të votuesve, si dhe dallime mes partive – dhe sipas analistit politik Petar Arsovski, disa i kontrollojnë anëtarët e tyre, disa jo.
“Kjo varet nga baza e partisë. Ka mbështetës të partisë që do të votojnë për kandidatin e partisë, ata janë personat që janë të përfshirë drejtpërdrejt në komunikim me partitë përmes strukturave të partisë – organizatave komunale dhe lokale. Por ka edhe simpatizantë që shpesh votojnë për një parti. Kur nuk votojnë për atë parti ata qëndrojnë në shtëpi dhe e kanë të vështirë të kalojnë nga një kandidat tek tjetri”, tha Arsovski për REL.
Kësaj ai ia shton edhe “vetë strukturimin e partive”, sepse thotë se partitë tradicionalisht të krahut të djathtë janë më të disiplinuara, si dhe mbështetësit e tyre, për dallim nga ato të krahut të majtë.
Kërçova dhe Tetova – a do ta mbështesin VMRO-DPMNE-ja dhe VLEN-i njëra-tjetrën kundër AKI-t?
Tetova dhe Kërçova janë qytetet për të cilat Arsovski thekson se pa një koalicion midis partive do të jetë e vështirë zgjedhja e kryetarit të komunës.
Në Tetovë do të përballen kandidatët e dy blloqeve shqiptare– Bilall Kasami nga koalicioni qeverisës VLEN dhe Bajram Rexhepi nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) e udhëhequr nga BDI-ja.
Atje diferenca në raundin e parë ishte më pak se 4.000 vota në favor të Kasamit. LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja nuk kishin kandidatët e tyre. E Majta kishte dhe fitoi rreth 3.300 vota. Socialdemokratët nuk i kanë dhënë mbështetje asnjërës prej tyre, ndërsa VMRO-DPMNE-ja që në raundin e parë bëri thirrje për ta votuar Kasamin, i cili është partneri i tyre i koalicionit në nivel qendror.
Por deklaratat e përfaqësuesve të VLEN-it mes dy raundeve, përfshirë këtu edhe të vetë Kasamit, në lidhje me zgjedhjet në Kërçovë këto ditë i kanë luhatur marrëveshjet e koalicionit në strukturën qeverisëse.
Banorët e Kërçovës do të zgjedhin midis kryetarit aktual nga radhët e BDI-së, Fatmir Dehari, dhe kandidatit të VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Jovanovski.
Kasami, i cili në intervistë për një media shqiptare aludoi për një mbështetje të mundshme për Deharin, më vonë u kundërpërgjigj se deklarata ishte keqinterpretuar dhe ishte dhënë në një kohë kur kundërshtari politik u përpoq të luante në kartën etnike.
Jovanovski nga VMRO-DPMNE-ja, i cili pas raundit të parë kishte rreth 6.000 vota më shumë se Dehari, në fjalimin e tij i falënderoi publikisht votuesit e LSDM-së opozitare dhe partisë E Majta, edhe pse këto parti paraprakisht, të paktën publikisht, nuk u kishin bërë thirrje anëtarëve të tyre që ta votojnë atë.
Karposhi dhe Qendra – komunat më të pa parashikueshme në Shkup
Përveç se në këto komuna betejë interesante mund të ketë edhe në disa komuna të Shkupit. Në Karposh do të përballen kryetari aktual i komunës nga radhët e partisë GROM, Stevço Jakimovski, dhe Sotir Llukrovski nga radhët e VMRO-DPMNE-së, i cili në raundin e parë kishte një avantazh prej rreth 1.500 votash.
Kandidatët që nuk kaluan në raundin e dytë deri më tani nuk e kanë mbështetur publikisht asnjërin prej tyre. Shifrat tregojnë se votat e tyre do të ndikojnë në rezultatin përfundimtar – në raundin e parë kandidatja e LSDM-së fitoi 3.800, kandidatja e Të Majtës rreth 2.800, ndërsa e pavarura Nevena Georgievska rreth 2.600 vota.
Pastaj e kemi edhe komunën Qendër ku Goran Gerasimovski nga LSDM-ja hyri në raundin e dytë me një diferencë prej rreth 2.800 votash kundrejt Mirosllav Llabudoviqit nga radhët e ZNAM-it. VMRO-DPMNE-ja nuk kishte kandidatin e vet, por e mbështeti Llabudoviqin. E Majta ende nuk e ka deklaruar mbështetjen e saj, ndërsa “Të Pavarurit Së Bashku”, kandidatja e të cilëve Biljana Ivanovska mblodhi rreth 4.400 ose 20 përqind të votave, tha se nuk do të bëjnë thirrje që të votohot për cilindo sepse “çdo votues është i vetëdijshëm, përgjegjës dhe ka të drejtë të vendosë vetë”.
“Mbështetja e atyre që nuk kaluan në raundin e dytë është e rëndësishme në të dy komunat, por më e rëndësishme do të jetë në Karposh. Në Qendër votuesit e Ivanovskës nuk janë të lidhur me një parti, ndërsa diferenca midis Gerasimovskit dhe Llabudoviqit është më e madhe, nuk është e vogël si në Karposh. Duhet të merret parasysh se gjysma e votave të atyre që ranë nga gara mund të shkojnë për njërin nga kandidatët. Kështu që mendoj që në Qendër matematika është e përafërt, por në Karposh jo dhe mund të bëjnë dallim”, thotë analisti Arsovski lidhur me atë se sa e rëndësishme është mbështetja ndërpartiake për këto komuna.
Nga komunat e Shkupit raund të dytë do të ketë edhe në Aerodrom midis Dejan Miteskit nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe Aleksandar Trajanovskit nga LSDM-ja. Atje diferenca në raundin e parë ishte pothuajse 10.000 vota.
Edhe Qyteti i Shkupit do të bëhet me një kryetar të ri më 2 nëntor – banorët e Shkupit do të zgjedhin midis Orce Gjorgievskit nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe Amar Mecinoviqit nga E Majta. Gjorgievski hyri në raundin e dytë me një epërsi prej mbi 60.000 votash, por E Majta dhe kandidati i saj bëjnë thirrje për “veprim kolektiv” dhe besojnë se ky raport do ndryshojë.
Koçani – kandidat i pavarur ose qeveritar
Tragjedia në Koçan ku në zjarrin që shpërtheu në klubin e natës “Pulse” jetën e humbën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u lënduan e ktheu vëmendjen e publikut edhe drejt këtij qyteti gjatë këtyre zgjedhjeve lokale.
Në raundin e dytë banorët e Koçanit do të zgjedhin midis u.d. kryetarit të komunës dhe kandidatit të pavarur, Venko Krstevski, dhe Vllatko Grozdanovit nga VMRO-DPMNE-ja. Më 19 tetor Grozdanov fitoi rreth 2.200 vota më shumë se Krstevski.
LSDM-ja, kandidati i së cilës Igor Hristov doli i treti me 2.400 vota, ende nuk ka dalë me mbështetje publike.
Sido që të jenë kombinimet dhe mbështetja e ndërsjellë midis partive për raundin e dytë, analisti Arsovski thekson se “koalicionet kalimtare” nuk duhet të shihen si një përcaktim i përhershëm politik. Këto janë marrëveshje që bëhen për një komunë konkrete, për një kandidat konkret dhe zgjasin aq sa zgjasin zgjedhjet lokale, thekson Arsovski.
Nga 44 komunat ku do të zgjidhet kryetar komune në raundin e dytë, VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja do të kenë më shumë përballje me njëra-tjetrën – në 16 komuna. Koalicionet në bllokun shqiptar, AKI dhe VLEN do të përballen me njëri-tjetrin në tre komuna. Në komunat e tjera këto parti dhe koalicione do të luftojnë për postin e kryetarit të komunës me njërën nga partitë ose me kandidatët e pavarur.
Krahas postit të kryetarit të komunës do të ketë rivotim për anëtarët e këshillit në tre qendra votimi në Shuto Orizare për shkak të mospërputhjeve të konstatuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në raundin e parë.
Në katër komuna – Gostivar, Mavrovë-Rostushë, Vrapçisht dhe Qendra Zhupa, zgjedhjet për kryetar komune dështuan dhe do të shpallen zgjedhje të reja sepse nuk u arrit pragu i pjesëmarrjes prej të paktën një të tretës së votuesve të regjistruar në Listën e Zgjedhësve.
Maqedonia e Veriut më 19 tetor mbajti zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e shtetit në të cilat zgjidhen kryetarë komunash dhe lista këshilltarësh në 81 njësi të vetëqeverisjes lokale, në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.
Raundi i dytë do të mbahet më 2 nëntor.
