Mbrëmë filloi edicioni i tretë i Festivalit të Këngës në RTK, ngjarje që bashkon artistët e të gjitha trevat shqiptare

Në Pallatin e Rinisën në Prishtinë mbrëmë nisi edicioni i tretë i Festivalit të Këngës në RTK, një prej ngjarjeve më të rëndësishme muzikore të vitit në Kosovë. Nata e parë u hap me interpretimin magjepsës të këngës “Këngë Moj”, kompozuar nga Musa Piperku dhe performuar mjeshtërisht nga kori “Siparantum” nën drejtimin e dirigjentit Memli […]

Mbrëmë filloi edicioni i tretë i Festivalit të Këngës në RTK, ngjarje që bashkon artistët e të gjitha trevat shqiptare
Fotografi nga Festivali i Këngës në RTK. Foto: Arben Llapashtica (Facebook)

Në Pallatin e Rinisën në Prishtinë mbrëmë nisi edicioni i tretë i Festivalit të Këngës në RTK, një prej ngjarjeve më të rëndësishme muzikore të vitit në Kosovë. Nata e parë u hap me interpretimin magjepsës të këngës “Këngë Moj”, kompozuar nga Musa Piperku dhe performuar mjeshtërisht nga kori “Siparantum” nën drejtimin e dirigjentit Memli Kelmendi. Kjo paraqitje mahnitëse shënoi hyrjen solemne të festivalit, duke krijuar një atmosferë plot emocion, elegancë dhe energji artistike që mbushi sallën me duartrokitje dhe entuziazëm, shkruan Portalb.mk.

Gjatë mbrëmjes, publiku pati mundësinë të shijojë një varg performancash që sollën energji, emocione dhe shumëllojshmëri zhanresh muzikore. Njëzet konkurrentë të përzgjedhur nga mbi 40 aplikime ngjitën skenën duke përfaqësuar një kombinim të artistëve të rinj dhe emrave tashmë të njohur të muzikës shqiptare, çka garantoi një garë të fortë dhe spektakolare për tri netët e festivalit.

Programi i natës u hap me interpretimin e Teutë Halilit me këngën “Amin”, për të vazhduar me Almir Krabën dhe “Nuk ka si ti”. Më pas, publiku u përfshi në emocionet e baladave të Elmedinë Ramushit dhe Semi Tafajt, ndërsa ritmet dinamike dhe interpretimet plot energji sollën në skenë Arsi Bakon, Laorjan Ejllin, Vjosa Shehun, Art Lokajn, Kiara Jubën, Egzon Pirecin, Klea Dinën, Florent Abrashin, Bledi Kason, Nita Latifin & Algert Salën, Arjeta Palushajn, Dea Berishën, Vlera Kastratin, Zerxhina Hasanajn, Santino De Bartolon dhe Xuxin.

Fotografi nga Festivali i Këngës në RTK. Foto: Arben Llapashtica (Facebook)
Fotografi nga Festivali i Këngës në RTK. Foto: Arben Llapashtica (Facebook)

Një moment të veçantë solli homazhi për Violeta Rexhepagiqin, ku moderatorja Rina Krasniqi dhe orkestra interpretuan një improvizim në kujtim të artistes, duke krijuar një atmosferë emocionuese dhe të paharrueshme.

Nata u përmbyll me një performancë të jashtëzakonshme nga 20 konkurentët e festivalit, të cilët interpretuan së bashku këngën “Baresha”, një kompozim i njohur i Rexho Mulliqit. Ky interpretim solli një përfundim madhështor të natës së parë, duke evidentuar trashëgiminë muzikore të Kosovës dhe energjinë e brezave të rinj të artistëve.

Nga “Këngë Moj” tek “Baresha”, por edhe me 20 këngët konkurruese, nata e parë e Festivalit të Këngës premtoi tre netë të mbushura me muzikë, emocion dhe konkurencë të fortë.

Fotografi nga Festivali i Këngës në RTK. Foto: Arben Llapashtica (Facebook)
Fotografi nga Festivali i Këngës në RTK. Foto: Arben Llapashtica (Facebook)

Mbrëmë gjithashtu u bë e ditur edhe juria profesionale e festivalit e cila është në përbërje të: Dren Abazi, një nga kantautorët më të suksesshem të skenës sonë, Eneda Tarifa, këngëtare me një karrierë të pasur dhe moderatore e njohur televizive, Jeta Dida Bujari, drejtoreshë e shkollës së mesme të muzikës ‘Prenk Jakova’ në Prishtinë, me një përvojë mbi 20 vjeçare në fushën e edukimit muzikor, Rreze Kryeziu, muzikologe, profesoreshë universitare, drejtoreshë e përgjithshme e festivalit muzikor DAM dhe kryetare e Këshillit Inicues të Operas së Kosovës dhe kryetari i jurisë Xhevdet Gashi, një nga kompozitorët dhe producentët më të mirë të skenës sonë ndër dekada.

Sonte mbahet nata e dytë e edicionin të tretë të festivalit me fillim nga ora 21:00, ku po ashtu priten befasi të shumta. 

Fotografi nga Festivali i Këngës në RTK. Foto: Arben Llapashtica (Facebook)
Fotografi nga Festivali i Këngës në RTK. Foto: Arben Llapashtica (Facebook)