Me çfarë kërkesash pritet të vijë Richard Grenell në Kosovë?
Vendimet e fundit të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me ndihmat ushtarake për Ukrainën dhe taksat prej 25% për importet e Kinës, Kanadasë e Meksikës, kanë pasur ndikime të mëdha në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ekonominë globale. Këto hapa janë pjesë e politikës së tij të orientuar nga “Amerika e Para”, një qasje që synon përparësinë

Vendimet e fundit të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me ndihmat ushtarake për Ukrainën dhe taksat prej 25% për importet e Kinës, Kanadasë e Meksikës, kanë pasur ndikime të mëdha në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ekonominë globale.
Këto hapa janë pjesë e politikës së tij të orientuar nga “Amerika e Para”, një qasje që synon përparësinë e interesave të Shteteve të Bashkuara në fushën e sigurisë dhe të ekonomisë, politikë kjo me të cilën Trump edhe kishte bërë fushatë në vitin e kaluar.
Një nga vendimet më të kontestuara të Trump ishte vendosja e kushteve për ndihmat ushtarake që SHBA ofronte për Ukrainën, duke përfshirë bllokimin e dërgesave të ndihmave të armatimit. Trump kishte argumentuar se Ukraina duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur interesat e SHBA dhe se vende të tjera, si Evropa, duhet të kontribuonin më shumë për mbështetje.
Gjatë mandatit të tij të parë, Trump ka promovuar një qasje më të drejtpërdrejtë për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke mbështetur normalizimin e marrëdhënieve përmes një procesi të lehtësuar nga administrata amerikane.
Javën e ardhshme është paralajmëruar se mund të ketë vizitë në Kosovë nga Richard Grenell, i dërguari për misione të veçanta të SHBA-së.
Arifi: Kosova po funksionon si provincë e jo si shtet
Ish-kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Avni Arifi, thotë për FrontOnline se Kosova nuk po bën asgjë për të vendosur kontakt me Administratën e Donald Trump.
‘’Kosova nuk është duke bere asgjë për te vendosur kontakt me administratën e re’’, thotë ai.
Arifi, shprehet se siç duket Kosova është në pritje se kush po vije nga Amerika për ti ‘‘treguar detyrat’’.
‘’Është ne pritje se “kur po vijnë” dhe me vesh ne krah se si do te kërkojnë qe ata nga Kosova qe ti kryen obligimet ndërkombëtare’’ potencoi ai.
Sipas Arifit, Kosova po funksionon si provincë e jo si shtet.
Dedaj: Qeveria “Kurti” ka luajtur me fatin dhe të ardhmen e Kosovës
Ish-diplomati kosovar, Gjergj Dedaj, për FrontOnline, thotë se është krejtësisht normale politika që po zhvillohet nga Presidenti Donald Trump, dhe se sipas tij, ai po i mbron interesat e Amerikës.
‘’Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump,moto te fushatës elektorale e kishte “Amerika First- Amerika e para ” dhe pastaj të tjerët. Pra, çdo lider dhe burrështetas se pari duhët t’i mbrojë interesat nacionale të vendit dhe të popullit të tij, kjo është më se normale’’ shprehet ai.
Dedaj, potencon se vendet dhe popujt që keqpërdorën mbështetjen amerikane, ndëshkimi është i drejtë.
‘’Popujt,vendet dhe liderët të cilët e keqëpërdorin mbështetjen, partneritetin dhe miqësinë me Ameriken ata jo vetëm që moralisht janë në anën tjeter të kodit etik,por padyshim se i pret ndëshkimi me plot të drejt’’ ,thotë ai.
Ish-ambasadori kosovar, potencon se derisa SHBA është e para, vendet tjera nuk duhet ta injorojnë.
‘’Presidenti Trump të gjithë partnerëve ua ka bërë me dije se nuk mund ta injorojnë ndihmen dhe besimin e Amerikës për vetëfaktorizim dhe vetëlavdata. Pushteti, autoriteti dhe fuqia e nje vendi në NATO,në institucionet botërore politike,ekonomike dhe të sigurisë matet me ate sa dhe si i kontribuon nje vend gjeopolitikave botërore dhe në këtë aspekt ShBA janë numër NJË! Edhe Ukraina si dhe vendet tjera të cilat e kanë konsumuar mbështetjen Amerikane për nevoja të faktorizimit dhe fuqise së tyre politike,ekonomike dhe ushtarake duhet t’a trajtojnë me kujdes, mirënjohje, përgjegjësi dhe respekt,mbështetjen dhe partneritetin me SHBA’’ shprehet ai.
Sipas Dedajt, kjo gjë vlenë edhe për politikën e Kosovës që nuk duhet neglizhuar partneritetin me SHBA-në e veçmas ndihmën.
‘’Kjo vlen edhe për klasen politike të Kosovës qe nuk duhet të “harrojne” dhe t’a neglizhojnë partneritetin dhe mbështetjen e Amerikës gjatë tërë historisë së shtetbërjes së Kosoves,në veçanti nga vitet e 90-ta,pastaj në rastin e Marrëveshjes se Rambujesë,të intervemit të NATO-s, shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, procesit të njohjeve ndërkombëtare, mbeshtetjes ekonomike, ndertimit të Policisë dhe Forcave të Sigurisë,rolit historik të KFOR-it dhe një mori mbeshtetjesh tjera nga Amerika,pa të cilat vështirè se do të ekzistonte dhe mbijetonte shteti i Kosovës’’ u shpreh ai.
Ish-ambasadori Dedaj, thotë se Qeveria e Re e Kosovës do ballafaqohet me këto sfida dhe rikuperimin e dëmeve kolosale që, siç thotë ai, i ka berë pushteti aktual I Kosovës
‘Pushteti aktual dhe Qeveria në ikje e Kosovës për këto katër vite kanë luajtur me fatin dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës, duke menduar se mund ta sfidojne Uashingtonin, NATO-n dhe partnerët e besueshëm ndërkombëtar. Çdo gjë në jetë eshtë̈ më e vështirë të ruhet se sa të fitohet. Qeveria e Re e Kosovës do ballafaqohet me këto sfida dhe rikuperimin e dëmeve kolosale që i ka berë pushteti aktual I Kosovës raporteve dhe partneritetit me SHBA,NATO-n dhe BE! Ndryshimi i qeverisjes eshte krucial,historik dhe imediat për të ardhmen e Republikës së Kosovës!’’ potencoi ai.
Matoshi: Tash vjen Grenell dhe e tregon kursin e Zyrës Ovale për Prishtinën, si shtet nuk jemi keq, si lidership po
Analisti poltik, Halil Matoshi, për FrontOnline, thotë se Kosova është në izolim nga BE dhe SHBA.
Duke folur për situatën e fundit dhe vendimeve të Administratës së Presidentit Donald Trump, thotë se Kosova po trajtohet vetëm si zonë sigurie e NATO-s dhe se në aspektin diplomatik nuk është duke u marrë askush me të.
‘’Kosova është në izolim nga BE dhe ShBA. Askush s’merret me të në aspektin diplomatik. Po trajtohet vetëm si zonë sigurie e NATO-s, pra aktualusht vetëm si zonë ushtarake’’ thotë ai.
Matoshi, thotë se së shpejti do të vije në Kosovës, emisari amerikan, Richard Grenell, i cili sipas tij do ta tregoj kursin e Zyrës Ovale karshi Kosovës.
‘’Shpejt vjen Ric Grenell e i tregon Prishtinës zyrtare cili është kursi i Zyrës ovale karshi saj!’’ shprehet ai.
Analisti politik, potencon se si shtet nuk qëndrojmë keq në raport me SHBA-në, por si lidership po.
‘’Nuk mendoj se jemi aq keq si shtet. Si lidership po’’ u shpreh ai.
Njohësi i sigurisë: Kosova mund të përballet me presion direkt nga SHBA, pas luftës në Ukrainë
Njohës i i çëshjtjeve të sigurisë Drizan Shala, thotë për FrontOnline, se ndëshkimet e SHBA-së ndaj disa vendeve, janë të angazhuara më shumë në përdorimin e presionit.
‘’Masat, taksat dhe ndëshkimet e SHBA-së ndaj disa vendeve: SHBA janë shumë të angazhuara në përdorimin e sanksioneve dhe taksave si mjete presioni ndaj shteteve që konsiderohen si kërcënime për sigurinë, stabilitetin global, ose që nuk respektojnë normat ndërkombëtare’’ thotë ai.
Sipas tij, këto masa prekin një serë sektorësh.
‘’Këto masa shpesh prekin sektorë të caktuar të ekonomisë, si sektori energjetik, bankar, ose i tregtisë ndërkombëtare. Për vendet që nuk bashkëpunojnë me politikën e SHBA-së, ndëshkimet mund të jenë një mjet për të forcuar politikën e jashtme amerikane dhe për të detyruar shtetet që të rishikojnë qëndrimet e tyre’’ shprehet ai.
Për të, përmbyllja e luftës me Ukraininën, mund të krijoj hapësirë që rritë presionin ndaj vendeve tjera e që mund të të bëhen pjesë e përplasjeve.
‘’Përmbyllja me Ukrainën dhe ndikimi në Kosovë: Përsa i përket përmbylljes së luftës në Ukrainë, mund të krijohet një hapësirë që mund të rris presionin ndaj vendeve të tjera që janë në rrezik të bëhen pjesë e përplasjeve më të mëdha në Evropë. Kosova, për shkak të lidhjeve të saj historike dhe politike me rajonin e Ballkanit, mund të përballet me pasiguri shtesë, veçanërisht nëse tensionet mes Perëndimit dhe Rusisë eskalojnë më tej. Në këtë kontekst, Kosova mund të ndikohet nga një rishikim i politikës ndërkombëtare që mund të sjellë një rritje të presionit diplomatik, politik dhe ekonomik’’ thotë njohësi i sigurisë.
Sipas Drizan Shalës, janë gjasat që të vijë presioni nga Ukraina në Kosovë nëse ndodhin zhvillime që kanë synim tensionimin e gjendjen në rajon.