Me leje të komunës ndërtimi kufizon komunikacionin në Tetovë, këmbësorët në rrezik pa trotuar
Për shkak të ndërtimit të një objekti të madh, tani e disa javë, një pjesë e bulevardit dhe trotuarit në bulevardin ‘Vidoe Smilevski Bato’ në Tetovë është pjesërisht e bllokuar. Qytetarët ankohen për mungesën e trotuarit dhe rrezikun që u kanoset, ndërsa institucionet arsyetohen se punimet dhe regjimi i komunikacionit janë me leje dhe nën […]

Për shkak të ndërtimit të një objekti të madh, tani e disa javë, një pjesë e bulevardit dhe trotuarit në bulevardin ‘Vidoe Smilevski Bato’ në Tetovë është pjesërisht e bllokuar. Qytetarët ankohen për mungesën e trotuarit dhe rrezikun që u kanoset, ndërsa institucionet arsyetohen se punimet dhe regjimi i komunikacionit janë me leje dhe nën mbikëqyrje, shkruan Portalb.mk.
Për më shumë se disa javë, trotuari në kryqëzimin e rrugës “29 Nëntori” me bulevardin ‘V.S Bato’ (Industrial) është jashtë përdorimit dhe i bllokuar, pasi aty realizohen punime për ndërtimin e një objekti.
Në ndërkohë e bllokuar është edhe një pjesë e njërës korsi të bulevardit Industrial, pasi aty vazhdimisht ka ekskavatorë.
Qytetarët ankohen se tani e një kohë të gjatë lëvizja në këtë zonë është e kufizuar dhe përbën rrezik për ata.
“Nuk më duket normale mënyra se si është rregulluar qarkullimi, siguria nuk mendoj se është në nivel, uroj të mos ketë ndonjë fatkeqësi”, tha një qytetar.
Një tjetër tha se kufizimet më tepër ndikojnë te personat në moshë të shtyrë dhe ata në karrocë.
“Duhet të kishte ndonjë zgjidhje më praktike, kështu nuk më duket mirë, sidomos për pleqtë dhe personat në karrocë apo ata me vështirësi në ecje. Po kjo rruga është shumë e frekuentuar, nonstop ka bagera lëvizje, pengon komunikacionin”, tha një qytetare.

Nga Komuna e Tetovës thonë se nuk e kanë lejuar këtë situatë pa procedurë, por kanë lëshuar Leje për Regjim të Përkohshëm të Qarkullimit, të bazuar në projekt të miratuar të komunikacionit dhe të pajisur me pëlqimin zyrtar të Sektorit për Siguri Rrugore në kuadër të MPB-SPB Tetovë.
“Regjimi i përkohshëm është vendosur për arsye sigurie, për shkak të thellësisë së gropës, makinerive të rënda dhe rrezikut potencial për qytetarët nëse trotuari do të lihej i hapur. Ky është një standard i detyrueshëm për të garantuar siguri gjatë fazës së punimeve nëntokësore dhe dislokimit të rrjetit energjetik në koordinim me EVN”, thanë nga Komuna e Tetovës.
Ata shtojnë se janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës në terren dhe se në momentin që krijohen pengesa të panevojshme ose punimet vonohen nga ana e investitorit apo operatorëve të rrjetit, komuna do të ndërhyjë dhe detyrojë hapjen e qarkullimit sipas afateve të lejes.
“Qytetarët kanë të drejtë të mos rrezikohen dhe Komuna ka detyruar investitorin të vendosë sinjalistikën e nevojshme, barrierat mbrojtëse dhe qarkullimin alternativ për këmbësorët. Nëse konstatohet mospërputhje me kushtet e lejes, Komuna do të ndërmarrë masa për rivendosje të menjëhershme të qarkullimit”, thanë nga Komuna e Tetovës.
Nga SPB Tetovë konfirmuan për Portalb.mk se kanë dhënë pëlqim për regjim të kufizuar të komunikacionit më 25 gusht 2025 dhe se e njëjta vlen për gjashtë muaj.
