Mediat përballë ndikimeve politike dhe kushteve të pasigurisë, RMV-ja nuk i ka përmbushur reformat
Media në Maqedoninë e Veriut përballet me ndikim politik, mungesë transparence dhe kushte të pasigurta pune për gazetarët. Korniza ligjore mbetet e paplotë dhe mbrojtja ndaj padive SLAPP çalon. Komisioni Evropian në Raportin e fundit të progresit konstatoi se përparimi është minimal dhe se shumica e rekomandimeve nga vitet e kaluara nuk janë zbatuar, transmeton […]

Media në Maqedoninë e Veriut përballet me ndikim politik, mungesë transparence dhe kushte të pasigurta pune për gazetarët. Korniza ligjore mbetet e paplotë dhe mbrojtja ndaj padive SLAPP çalon. Komisioni Evropian në Raportin e fundit të progresit konstatoi se përparimi është minimal dhe se shumica e rekomandimeve nga vitet e kaluara nuk janë zbatuar, transmeton Portalb.mk.
Maqedonia e Veriut është midis njëfarë niveli dhe një niveli të moderuar të përgatitjes për lirinë e shprehjes dhe ka bërë përparim të kufizuar në këtë fushë. Korniza ligjore që rregullon median ende nuk është plotësisht e përafruar me acquis –in e BE-së, veçanërisht Aktin Evropian për Lirinë e Medias (EMFA), megjithëse është arritur njëfarë progresi në Ligjin për median.
Sfidat mbeten në lidhje me transparencën e pronësisë së medias. Korniza për ndarjen e reklamave shtetërore ngre shqetësime në lidhje me keqpërdorimin e mundshëm të fondeve politike dhe çrregullimin e tregut.
Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar u zbatuan vetëm pjesërisht dhe për këtë arsye mbeten të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, vendi në veçanti duhet:
- Të vazhdojë të rishikojë kornizën ligjore që rregullon median për ta përafruar atë me acquis të BE-së dhe standardet evropiane, veçanërisht duke futur rregulla mbi transparencën e plotë në pronësinë e medias dhe ndarjen e fondeve publike për reklamat shtetërore, konkurrencën dhe ndihmën shtetërore, dhe të drejtat e pronësisë intelektuale;
- Të zbatojë strategjinë për reformimin e Transmetuesit Publik;
- Të vazhdojë të adresojë menjëherë të gjitha kërcënimet dhe aktet e dhunës kundër gazetarëve dhe të sigurojë që autorët të sillen para drejtësisë.
Raporti hedh dritë edhe mbi zgjedhjet dhe fushatën në media.
“Qasja në media dhe shpërndarja e fondeve shtetërore nuk janë të rregulluara në mënyrë të mjaftueshme… Dezinformimi zgjedhor, manipulimi i informacionit të huaj dhe kërcënimet e ndërhyrjes mbeten sfida që duhet të adresohen më tej në mënyrë efektive. Natyra kryesisht e parregulluar e fushatës online dhe mungesa e mbikëqyrjes së reklamave politike në platformat e mediave sociale janë faktorë që kontribuojnë në dezinformimin zgjedhor”, thuhet në raport.
Mbrojtja ligjore për gazetarët, siç e thekson edhe KE-ja, vazhdon të jetë sfidues, veçanërisht në lidhje me ngacmimin online dhe dhunën me bazë gjinore të drejtuar ndaj gazetareve vajza/gra. Në vitin 2024 pati katër sulme fizike ndaj gazetarëve dhe 15 raste të fyerjes dhe shpifjeve.
“Mungesa e legjislacionit specifik kundër padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP) dhe ndërgjegjësimi i kufizuar i gjyqtarëve, avokatëve dhe gazetarëve për këtë çështje vazhdon të pengojë mbrojtjen efektive të gazetarëve dhe personave të tjerë që angazhohen në pjesëmarrjen publike nga kjo formë e persekutimit. Duhet të sigurohet përputhshmëria me Direktivën dhe Rekomandimet e BE-së Anti-SLAPP“, thotë BE-ja..
Raporti thekson edhe shqetësimet në lidhje me mënyrën se si u zgjodhën anëtarët e Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (AVMU) për shkak të mungesës së transparencës, kritereve të qarta dhe paanshmërisë.
Edhe KE-ja e tha se zbatimi i Ligjit për qasje të lirë në informacion mbetet i paqëndrueshëm.
“Kjo për shkak se disa institucione publike refuzojnë kërkesat mbi baza arbitrare, duke përfshirë përdorimin e mbrojtjes së të dhënave personale si një justifikim të përgjithshëm. Procesi i marrjes së informacionit është tepër i gjatë”, thuhet në raport.
Vëmendje të veçantë iu kushtua edhe transmetuesit publik, ku siç thuhet, pavarësisht përmirësimit të financimit, transmetuesi publik vazhdon të përballet me sfida të rëndësishme, veçanërisht në lidhje me autonominë e tij institucionale, dhe se RTM ende nuk i ka shlyer borxhet e papaguara.
“Vendi ka nevojë për një strategji gjithëpërfshirëse për zhvillimin e të gjithë sektorëve të medias. Mediat private lokale janë në rënie, ndërsa mediat jofitimprurëse dhe ato komunitare vazhdojnë të përballen me sfida të rëndësishme financiare, me stacionet televizive kombëtare që mbeten më të qëndrueshmet financiarisht”, theksoi KE-ja.
Nga Brukseli theksojnë se mangësitë në kushtet e punës së gazetarëve vazhdojnë, veçanërisht për shkak të kontratave afatshkurtra ose me kohë të pjesshme, mungesës së sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore, orëve shtesë të papaguara dhe pagave të ulëta.
“Këto çështje kontribuojnë në vetëcensurë dhe u lejojnë pronarëve të medias të ushtrojnë ndikim mbi përmbajtjen editoriale”, tha KE-ja.
Përndryshe, më 4 nëntor u publikua Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në.
