Memli Krasniqi: Do të vazhdoj të angazhohem në PDK, nuk kam shtëpi tjetër politike
Kryetari i dorëhequr i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar se edhe pas dorëheqjes do të vazhdojë të jetë aktiv në parti dhe do të angazhohet për përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. Ai tha se nuk ka shtëpi tjetër politike dhe se do të punoj për arritjen e objektivave të partisë. Krasniqi […]


Kryetari i dorëhequr i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar se edhe pas dorëheqjes do të vazhdojë të jetë aktiv në parti dhe do të angazhohet për përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme.
Ai tha se nuk ka shtëpi tjetër politike dhe se do të punoj për arritjen e objektivave të partisë.
Krasniqi tha se PDK do t’i dalë zot vendit.
Në një intervistë në Klan Kosova Krasniqi tha se konventa e partisë do të mbahet të hënën, ndërsa shpreson që Presidentja të shpallë zgjedhjet të enjten, dhe më pas KQZ-ja t’i caktojë afatet.
“Do të jemi në vrap duke punuar,” tha ai.
Krasniqi gjithashtu ka reaguar ndaj spekulimeve për ekzistencën e “grupeve komandantësh” brenda partisë, duke i quajtur ato të stisura nga kundërshtarët politikë.
“Unë për vete kam qenë komandant tyre, e them figurativisht, sepse më kanë zgjedhur kryetar dhe më kanë besuar. Unë e kam pasur besimin e tyre. Sa i përket pjesës së vendimmarrjes qendrore, e kam marrë në Kryesi. PDK është reflektim i shoqërisë së Kosovës,” tha ai.
Ai shtoi se, edhe pse në PDK kanë ekzistuar mendime të ndryshme, vendimet janë marrë gjithmonë bashkë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe unitetit brenda partisë.
Krasniqi po ashtu ka folur edhe për Ramiz Lladrovcin duke thënë se nuk ka hatërmbetje me të.
