Ministri Aliu u vaksinua kundër gripit: Siguruam numrin më të madh të vaksinave, deri më tani janë paraqitur rreth 49 mijë qytetarë

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot vizitoi repartin e epidemiologjisë në Gostivar, ku edhe vetë mori vaksinën kundër gripit sezonal, transmeton Portalb.mk. “Sot ndodhem në Gostivarin tim të lindjes, ku edhe u vaksinova dhe përmes shembullit personal dua të theksoj rëndësinë e vaksinimit në kohë, si masë më efektive parandaluese për mbrojtjen e shëndetit. Apeloj […]

Ministri Aliu u vaksinua kundër gripit: Siguruam numrin më të madh të vaksinave, deri më tani janë paraqitur rreth 49 mijë qytetarë
Azir Aliu. Foto: Ministria e Shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot vizitoi repartin e epidemiologjisë në Gostivar, ku edhe vetë mori vaksinën kundër gripit sezonal, transmeton Portalb.mk.

“Sot ndodhem në Gostivarin tim të lindjes, ku edhe u vaksinova dhe përmes shembullit personal dua të theksoj rëndësinë e vaksinimit në kohë, si masë më efektive parandaluese për mbrojtjen e shëndetit. Apeloj qytetarët që të mbrohen me kohë nga gripi sezonal, veçanërisht i ftoj personat që bëjnë pjesë në grupet e rrezikut, të paraqiten përmes aplikacionit vakcinacija.mk ose tek mjeku i tyre amë”, tha gjatë vizitës ministri Azir Aliu.

Në nivel shtetëror, deri më tani janë paraqitur rreth 49 mijë qytetarë për vaksinim kundër gripit sezonal. Vetëm në ditën e parë janë vaksinuar mbi dy mijë persona.

“Ky është me të vërtetë një interesim i madh, që tregon vetëdije të shtuar për rëndësinë e mbrojtjes nga gripi, dhe njëherësh e vërteton edhe më shumë nevojën dhe rëndësinë e kësaj mase parandaluese. Këtë vit, Ministria ka siguruar numrin më të madh të vaksinave kundër gripit sezonal – 80 mijë doza të vaksinës katërvalente nga prodhuesi i njohur ‘Abot’ nga Holanda”, theksoi Aliu.

Me vaksinimin falas përfshihen kategoritë e rrezikut të popullsisë, siç janë: personat e moshuar mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, punonjësit shëndetësorë, gratë shtatzëna, fëmijët nga mosha 6 muaj deri në 5 vjeç, si dhe personat e vendosur në institucionet e mbrojtjes sociale për të moshuar dhe punonjësit e këtyre institucioneve.

Dje në Maqedoni ka nisur vaksinimi kundër gripit sezonal, i cili po realizohet në gjithsej 35 pika vaksinimi në mbarë vendin, prej të cilave pesë janë në Shkup. Deri më tani, 43.000 qytetarë janë paraqitur përmes aplikacionit, ndërsa mundësia për paraqitje mbetet e hapur pnë vakcinacija.mk.