Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, përkujton figurën e Petro Janurës

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, përkujton figurën e Petro Janurës

Shkup, 30 gusht – Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, përkujtoi sot figurën dhe veprën e Petro Janurës (1913–1983), në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, duke vlerësuar kontributin e tij në fushën e së drejtës, arsimit, gjuhës dhe kulturës.
Petro Janura ishte jurist, pedagog, profesor, shkrimtar, gazetar, kritik letrar, folklorist dhe studiues. I lindur në vitin 1913 në Fier, ai arsimin e lartë e ndoqi në Rumani dhe Itali, ndërsa doktoroi në shkencat juridike në Universitetin e Pizës me temën “Prezenca e zakoneve popullore në Kodin Civil Shqiptar”.
Në vitin 1945, me vendim të ASNOM-it, Janura u zgjodh drejtor i parë i gazetës “Flaka e vëllazërimit”.
Në përkujtimin e tij, Shasivari theksoi se veprimtaria e Janurës e tejkaloi dukshëm profesionin juridik, duke u shtrirë në zhvillimin e arsimit të lartë në gjuhën shqipe dhe të albanologjisë në Maqedoni.

Kontribut të veçantë Janura dha në themelimin dhe zhvillimin e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Shkupit, ndërsa si profesor, studiues dhe publicist u angazhua në fushën e gjuhës, letërsisë, folklorit dhe kritikës letrare.

Një vend të rëndësishëm në veprimtarinë e tij zë edhe pjesëmarrja si delegat nga Maqedonia në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, të mbajtur në Tiranë në vitin 1972. Në këtë ngjarje historike, Janura prezantoi referatin “Disa mendime margjiniale rreth ortografisë së shqipes”, duke dhënë kontributin e tij në diskutimet profesionale për standardizimin e gjuhës shqipe.

Ministri Shasivari vlerësoi se trashëgimia e Petro Janurës duhet të shihet në tërësinë e saj, si pjesë e historisë së së drejtës, arsimit, gjuhës dhe kulturës.

“Petro Janura mbetet një personalitet që me dijen dhe veprën e tij i shërbeu zhvillimit të shoqërisë. Dija ndërton institucione, e drejta ndërton besim, ndërsa arsimi ndërton të ardhmen”, theksoi Shasivari. (INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.