MPB u bën thirrje qytetarëve në RMV që të mos hapin mesazhe të rreme në emër të drejtorit të BSP-së

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) u bën thirrje qytetarëve që të mos i hapin ose t’u përgjigjen mesazheve të dërguara në emër të Drejtorit të Byrosë së Sigurisë Publike (BSP), Aleksandar Janev, pasi ato janë të rreme, transmeton Portalb.mk. MPB thekson se disa qytetarë kanë marrë mesazhe të rreme në lidhje me një hetim […]

MPB u bën thirrje qytetarëve në RMV që të mos hapin mesazhe të rreme në emër të drejtorit të BSP-së
Foto e krijuar nga Portalb.mk me inteligjencë artificiale në Sora/ChatGPT

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) u bën thirrje qytetarëve që të mos i hapin ose t’u përgjigjen mesazheve të dërguara në emër të Drejtorit të Byrosë së Sigurisë Publike (BSP), Aleksandar Janev, pasi ato janë të rreme, transmeton Portalb.mk.

MPB thekson se disa qytetarë kanë marrë mesazhe të rreme në lidhje me një hetim të supozuar që është duke u zhvilluar kundër tyre, dhe se dërguesit po prezantohen në mënyrë të rreme në emër të drejtorit të BSP-së. Në mesazhet e rreme thuhet se marrësi i mesazhit është subjekt i hetimeve penale për një numër krimesh, siç janë pornografia e fëmijëve, pedofilia dhe trafikimi i drogës, dhe janë udhëzuar të shkojnë në një stacion policie ose të dërgojnë email kthyes brenda 24 orëve.

“Ministria e Brendshme i informon qytetarët se këto janë mesazhe të rreme që nuk janë dërguar nga Byroja e Sigurisë Publike e Ministrisë së Brendshme. Këto email-e janë përpjekje klasike për mashtrim në të cilën qëllimi i mashtruesve është të marrin të dhënat personale të qytetarëve, me qëllim keqpërdorimin e mëtejshëm. Ftesat për qytetarët për procedurat hetimore nga Ministria e Brendshme nuk dërgohen përmes email-adresave”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Prandaj, ata u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos hapin linqe dhe skedarë që janë të bashkangjitur në ndonjë email nga ndonjë dërgues i panjohur, me qëllim mbrojtjen e sistemeve kompjuterike nga softuerët keqdashës.