Tre fjalë nga Brukseli për Ballkanin pas paketës së zgjerimit: Angazhim, gatishmëri dhe mundësi
Pas prezantimit të djeshëm të Paketës së Zgjerimit të vitit 2025 nga Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, sot organizatat rajonale nga Rrjeti Mendo për Evropën, u mblodhën për të diskutuar gjetjet, sfidat dhe mundësitë. Rrugëtimi i RMV-së drejt BE-së gjithë këto vite mbetet tregim i trishtë, transmeton Portalb.mk. Guilio Venneri, nga Komisioni Evropian theksoi tre pika […]

Pas prezantimit të djeshëm të Paketës së Zgjerimit të vitit 2025 nga Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, sot organizatat rajonale nga Rrjeti Mendo për Evropën, u mblodhën për të diskutuar gjetjet, sfidat dhe mundësitë. Rrugëtimi i RMV-së drejt BE-së gjithë këto vite mbetet tregim i trishtë, transmeton Portalb.mk.
Guilio Venneri, nga Komisioni Evropian theksoi tre pika kryesore lidhur me zgjerimin: angazhim, gatishmëri dhe mundësi.
“Angazhimi është i nevojshëm në anën tonë te vendet anëtare të BE-së. Gatishmëria, procesi mbetet i bazuar në merita. Mundësia, komisionerja jonë ishte e qartë se kjo tani është mundësi e madhe”, tha Venneri.
Ai theksoi se zgjerimi tani është ndër prioritetet kryesore, që nuk ka qenë më parë.
I pyetur nga Portalb.mk lidhur me ndryshimet kushtetuese që duhet t’i bëjë RMV-ja dhe nëse në BE ka ndonjë plan për të garantuar se nuk do të ketë më bllokada nga Bullgaria. Venneri tha se vendimet i merr Këshilli i BE-së.
“Mund të them se ka përfundime të qarta, kjo nuk është rreth asaj që një shtet individual të bllokojë, është Këshilli i cili merr vendim, përfundimet e Këshillit janë të qarta”, tha Venneri.
Simonida Kacarska nga Instituti i Politikave Evropiane (EPI) në Shkup , duke përmendur gjetjet e raportit theksoi se vendi nuk ka përparuar shumë në këtë drejtim.
“Në tetë kapituj kemi progres, në tetë kemi regres, që i bie se është një zero”, tha Kacarska mes tjerash.
Ajo theksoi se raporti nuk është i mirë.
“Shpresojmë se do të lexohet si shenjë paralajmëruese veçanërisht për administratën”, tha Kacarska.
Mirodrag Milosavljeviç, nga Fondacioni Shoqëri e Hapur tha se “në thelb të angazhimit tonë është të përpiqemi t’u ofrojmë dhe t’u lejojmë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor të ndiejnë përfitimet e BE-së përpara anëtarësimit”.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut u përmend shumë shkurtimisht nga Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos gjatë prezantimit të Paketës së Zgjerimit të vitit 2025 të Bashkimit Evropian dje në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian.
Pasi e lavdëroi Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën për përparimin e bërë në rrugën euro-integruese, si, në fund, në pjesën e vendeve që kanë ngecur i erdhi radha të përmendet Maqedonia, pas Serbisë dhe Bosnjës.
“Vendi nuk ka ndërmarrë hapa vendimtare për të përparuar në negociata brenda këtij viti, Duhet të miratojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të ecur përpara në rrugën e saj eurointegruese”, tha shkurt Kos.
Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia u përmendën disa herë nga ajo si vende që kanë arritur të kryejnë me sukses të madh detyrimet brenda një viti dhe madje përmendi data konkrete për mbarimin e negciatave dhe atë Mali i Zi deri në fund të 2026, Shqipëria deri në fund të 2027 kurse Ukraina dhe Moldavia në 2028.
Sipas Paketës së Zgjerimit të vitit 2025, Maqedonia duhet të miratojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese me qëllim që të përfshijë në Kushtetutë qytetarët që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e popujve të tjerë, siç janë bullgarët, siç theksohet në Konkluzionet e Këshillit të korrikut 2022, për të cilat vendi u zotua t’i nisë dhe t’i arrijë.
Gjithashtu, siç thuhet në paketë, Maqedonia e Veriut duhet të intensifikojë përpjekjet për të mbështetur sundimin e ligjit, duke mbrojtur pavarësinë dhe integritetin gjyqësor dhe duke forcuar luftën kundër korrupsionit.
Sa i përket Raportit të ri të progresit 2025, në të thuhet se ndonëse ka pasur progres të kufizuar në përafrimin teknik me Aquis-në e BE-së në disa fusha, vërehet pak ose aspak lëvizje në çështjet themelore dhe politikisht të ndjeshme. Vlerësimi i përgjithshëm tregon se reformat thelbësore të lidhura me BE-në ende duhet të zbatohen.
Grupi 1, i njohur si “Themeloret”, ka përjetuar ngecje në fushat e tij më kritike:
- Demokracia dhe Ndryshimet Kushtetuese: Nuk është bërë asnjë progres në ndryshimet kushtetuese të nevojshme për të përfshirë në Kushtetutë qytetarët që janë pjesë e popujve të tjerë (p.sh., bullgarët), një zotim thelbësor nga Konkluzionet e Këshillit të vitit 2022. Polarizimi politik në Parlament vazhdoi të pengonte miratimin e reformave të rëndësishme.
- Sundimi i Ligjit dhe Gjyqësori: Vendi shënoi zero progres dhe mbetet midis një niveli të caktuar dhe të moderuar përgatitjeje. Korrupsioni mbetet një shqetësim i përhapur dhe serioz, me raste të profilit të lartë që shpesh përballen me vonesa, arrijnë afatin e parashkrimit, ose rezultojnë me dënime minimale.
- Të Drejtat Themelore: Progresi ishte i kufizuar. Veçanërisht shqetësuese është çështja e kushteve të tmerrshme të jetesës në burgje.
- Ekonomia: Ndërsa Maqedonia e Veriut është në një nivel të mirë përgatitjeje për një ekonomi funksionale të tregut, ajo bëri progres të kufizuar për shkak të vonesës në planet e konsolidimit fiskal dhe tejkalimit të objektivit fillestar të deficitit fiskal për vitin 2024.
- Kushti Kryesor: Negociatat për hapjen e grupit të parë, Themeloret, do të nisin vetëm pasi të miratohen ndryshimet specifike kushtetuese
Progresi ishte i ndryshëm në pesë grupet (klasterët) e tjerë të anëtarësimit:
- Grupi 2: Tregu i Brendshëm: Regjistroi progres të mirë në Lëvizjen e Lirë të Kapitalit, me Maqedoninë e Veriut që iu bashkua fushës gjeografike të skemave të Zonës Unike të Pagesave në Euro (SEPA) në mars 2025. Megjithatë, fusha kryesore si Lëvizja e Lirë e Mallrave, Liria e Lëvizjes për Punëtorët, E Drejta e Kompanive dhe Politika e Konkurrencës shënuan zero progres.
- Grupi 3: Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse: Raportoi progres të mirë në Bashkimin Doganor, veçanërisht përmes përmirësimit të sistemeve të TI-së dhe lansimit të suksesshëm të Fazës 5 të Sistemit të Ri të Tranzitit të Kompjuterizuar (NCTS) në janar 2025. Gjithashtu bëri progres të mirë në Shkencë dhe Kërkim duke zhvilluar Strategjinë e Specializimit të Mençur.
- Grupi 4: Agjenda e Gjelbër dhe Lidhshmëria e Qëndrueshme: Arriti progres të caktuar në Energji me miratimin e një plani zbatimi për Tranzicion të Drejtë dhe një ligj të ri për energjinë. Në të kundërt, sektori thelbësor i Mjedisit dhe Ndryshimeve Klimatike është në një nivel të caktuar përgatitjeje dhe bëri progres të kufizuar, pasi zbatimi dhe zbatimi i ligjeve vazhdimisht mbeten prapa.
- Grupi 5: Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni: Vuri në dukje progres të caktuar në Sigurinë e Ushqimit, Politikën Veterinare dhe Fitosanitare, por paralajmëroi se Dispozitat Financiare dhe Buxhetore mbeten në një fazë të hershme dhe dobësitë në kapacitetin administrativ rrisin rrezikun e çangazhimeve të mëtejshme të fondeve të BE-së.
- Grupi 6: Marrëdhëniet e Jashtme: Dëshmoi progres të mirë në Politikën e Jashtme, të Sigurisë dhe Mbrojtjes, duke ruajtur përafrimin e plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
