VLEN: Nacionalizmi serbomadh nuk ka vend në Maqedoninë e Veriut

VLEN ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministres serbe Milica Gjurgjeviq Stamenkovski në Zebërnjak, duke i cilësuar ato provokim politik dhe përpjekje për promovimin e narrativave nacionaliste serbe në Maqedoninë e Veriut.
Në kumtesë, VLEN kundërshton interpretimin e Betejës së Kumanovës si përmbushje të “betimit të Kosovës” dhe i bën thirrje politikës zyrtare të Beogradit të heqë dorë nga, siç e cilëson, mendësia hegjemoniste.
“Politika zyrtare e Beogradit duhet njëherë e mirë të heqë dorë nga mendësia hegjemoniste”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
VLEN ka kritikuar edhe pjesëmarrjen e ministrit Ivan Stoilkoviq në manifestim, duke e akuzuar se, në vend që të mbrojë interesat e shtetit ku ushtron detyrën, merr pjesë në aktivitete që, sipas VLEN-it, shërbejnë për afirmimin e agjendave nacionaliste të Serbisë.
“Maqedonia e Veriut nuk do të jetë kurrë platformë për pretendime historike e politike të Serbisë!”, theksohet në kumtesë.
VLEN ka bërë të ditur se kundërshton çdo përpjekje për përdorimin e historisë si instrument të nacionalizmit, duke paralajmëruar se nuk do të heshtë përballë veprimeve të tilla.
The post VLEN: Nacionalizmi serbomadh nuk ka vend në Maqedoninë e Veriut appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



