Nata e dytë e Festivalit të Këngës në RTK: Diversitet muzikor dhe emocione në skenë

Mbrëmë u mbajt nata e dytë e Festivalit të Këngës në RTK, një prej ngjarjeve më të rëndësishme muzikore të vitit në Kosovë. Atmosfera në sallë u mbush me energji, emocione dhe një gamë të gjerë performancash që sollën në skenë zhanre të ndryshme nga baladat emocionale deri te ritmet moderne dhe interpretimet live plot […]

Nata e dytë e Festivalit të Këngës në RTK: Diversitet muzikor dhe emocione në skenë
Foto nga Festivali i Këngës në RTK. Foto: Arben Llapashtica

Mbrëmë u mbajt nata e dytë e Festivalit të Këngës në RTK, një prej ngjarjeve më të rëndësishme muzikore të vitit në Kosovë. Atmosfera në sallë u mbush me energji, emocione dhe një gamë të gjerë performancash që sollën në skenë zhanre të ndryshme nga baladat emocionale deri te ritmet moderne dhe interpretimet live plot stil, shkruan Portalb.mk.

Artistë të rinj dhe emra të njohur të muzikës shqipe ndanë skenën duke dëshmuar se festivali mbetet një platformë e fuqishme për afirmimin e talenteve dhe për ruajtjen e traditës muzikore. Çdo performancë u prit me entuziazëm nga publiku, ndërsa juria vlerësoi nivelin e lartë artistik dhe profesionalizmin e pjesëmarrësve.

BB Poqi, Muhamet Veseli dhe Shkëlzen Veseli ishin mysafirë specialë të festivalit ku sollën një performancë që ktheu publikun prapa në kohë, duke rikrijuar atmosferën e lokaleve ku rock’n’rolli kosovar mbante gjallë skenën muzikore gjatë viteve të vështira të okupimit.

Pjesë e kësaj mbrëmje ishte edhe e mirënjohura Gili e cila interpretoi dy këngëve të saj më të njohura.

Njëra këngë i kushtohet dashurisë për Prishtinën, ndërsa tjetra, një hit i vjetër që kishte marrë pjesë në festivalin e RTSH-së në vitin 1995 “Xixëllonjë”, e që vazhdon të këndohet dhe të pëlqehet nga publiku edhe sot. Performanca e Gilit u prit me duartrokitje të zjarrta, duke rikthyer atmosferën e magjisë së skenës dhe duke kujtuar rëndësinë e trashëgimisë muzikore kosovare.

Pas një nate të gjatë dhe emocionuese konkurrimi, juria e Festivalit të Këngës, me kryetar Xhevdet Gashin, ka përzgjedhur 10 këngët që do të garojnë në finale.

Zgjedhja ka qenë sfiduese, pasi të gjitha këngët e këtij edicioni kanë treguar nivel të lartë cilësie dhe kreativiteti. Sidoqoftë, në fund pas performancave në dy netët e festivalit juria është përcaktuar për këto 10 këngë:

  • Art Lokaj- “Ty”
  • Elmedinë Ramushi – “A po m’sheh”
  • Florent Abrashi–“Unë dhe Ti”
  • Teutë Halili–“Amin”
  • Kiara Juba–“Nirvana”
  • Klea Dina–“At”
  • Laurian Ejlli–“Një natë shkruajta për ty”
  • Arjeta Palushaj–“Andrra”
  • Arsi Bako–“Rreze zjarr”
  • Xuxi–“Identiteti”

Nata e tretë, që pritet të mbahet sonte, do të kurorëzojë fituesit dhe do të mbyllë edicionin e sivjetshëm me një spektakël muzikor që pritet të mbetet gjatë në kujtesën e publikut.