Ndalen dritat në bulevardin e Tiranës, protestuesit hedhin molotovë dhe fishekzjarrë drejt policisë

Ndalen dritat në bulevardin e Tiranës, protestuesit hedhin molotovë dhe fishekzjarrë drejt policisë

Është përshkallëzuar në orët e mbrëmjes protesta e të rinjve në Tiranë. Mediat në Shqipëri kanë raportuar se ka përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Gjatë mbrëmjes janë fikur dritat në bulevard, ndërsa protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë dhe molotovë në drejtim të efektivëve. Disa prej tyre kanë shkulur pllakat e gurit nga trotuaret për t’i përdorur në përplasjet me policinë.

Situata është tensionuar edhe më tej pas zjarrit që përfshiu një kioskë të mbyllur pranë Lulishtes së Vëllezërve Frashëri. Flakët janë përhapur edhe te pemët përreth, ndërsa tymi ka mbuluar zonën e bulevardit.

Përplasjet rifilluan me breshëri fishekzjarrësh dhe përdorimin e gazit lotsjellës nga policia, ndërsa protestuesit janë shpërndarë në disa segmente të kryeqytetit.

Më herët në një konferencë për media, drejtori i Policisë, Skënder Hita, ka deklaruar se do t’u përgjigjen protestuesve me forcën që ua garanton ligji, duke shtuar se vetëpërmbajtja e policisë, nuk duhet marrë për dobësi.

Ka thënë se për rreth 72 orë 71 policë kanë marrë lëndime trupore.

Studentët kanë përsëritur kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërkaq ky i fundit ka deklaruar se nuk do të dorëhiqet.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.