25 ndërmarrës nga Kosova vizitojnë tri kompani prestigjioze në Zvicër: Orllati, Probat dhe Coutaz

Pas Forumit B2B të mbajtur më 28 tetor në Lausanne, dita e dytë e qëndrimit në Zvicër i çoi ndërmarrësit kosovarë në ambientet e kompanive Coutaz SA, Probat Group SA dhe Groupe Orllati. Takimet ndërthurën shkëmbimin e përvojave me diskutime për partneritete të mundshme në prodhim, furnizim dhe ndërtim.
Në Coutaz SA, një pritje e ngrohtë nga Mentor Citaku
Ditën e dytë të qëndrimit në Zvicër, 25 ndërmarrësit nga Kosova morën rrugën drejt Saint-Maurice, në kantonin Valais, një zonë e njohur turistike mes peizazheve alpine. Ndalesa e parë ishte kompania Coutaz SA, ku i priti Mentor Citaku, me rrënjë nga Drenica e Kosovës, ortak i kompanisë dhe përgjegjës për zhvillimin dhe burimet njerëzore.
Çitaku u shpreh tejet i emocionuar që kaq shumë ndërmarrës nga vendi i tij i origjinës po vizitonin kompaninë. Ai theksoi se, me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, eksportet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës duhet të shumëfishohen.
Ndërmarrësit vizituan ambientet e kompanisë, duke u njohur nga afër me ndërtesën që spikat për arkitekturën e saj të veçantë, sidomos nga aspekti i teknologjive të fundit për kursin të energjise si dhe shfrytezimin e energjisë së ripërtrishme (label Minergie P)
Probat: rrëfimi i Labinot Haxhajt për ngritjen në biznes
Në Probat Group SA, pjesë e ACL GROUP, ndërmarrësit u pritën nga pronari i saj Labinot Haxhaj. Gjatë takimit, ai rrëfeu historinë e ngritjes së tij në Zvicër, nga ardhja si refugjat deri te drejtimi i një grupi me qindra punonjës.
Rrugëtimin në biznes e nisi në vitin 2003, me kompaninë HAXHAJ dhe një numër të vogël punëtorësh në Lozanë. Me punë të palodhshme dhe përkushtim, aktiviteti u zgjerua në kantonet frankofone, ndërsa grupit iu bashkuan edhe kompanitë PROBAT GROUP dhe BATI-PLUS.
Duke folur për vështirësitë dhe sakrificat që e shoqëruan, Haxhaj vlerësoi mbështetjen e familjes, si dhe nje miku te tij vendas qe e kishte mbeshtetur ne ngritjen e tij, si dhe angazhimin e punonjësve dhe besimin e partnerëve si shtylla të zhvillimit të kompanisë. E gjithë familja Haxhaj e mirëpriti me buzëqeshje dhe bujari delegacionin nga Kosova.
Pas drekës së shtruar me specialitetin zviceran raclette (raklet), ndërmarrësit kosovarë diskutuan me mikpritësit për mundësitë e bashkëpunimit, veçanërisht në sektorin e ndërtimit, në tri komunat ku vepron kompania.
Groupe Orllati SA, një hapësirë sa një qytezë
Në ambientet e gjigandit të ndërtimit Groupe Orllati, të vëllezërve Orllati, ndërmarrësit kosovarë u njohën nga afër me përmasat e veprimtarisë së kësaj kompanie shqiptaro-zvicerane.
Në një hapësirë sa një qytezë, ndërmarrësit përshkuan me autobus kantieret dhe impiantet e kompanisë, të shoqëruar nga Gjevgjet Orllati (Gjeti) dhe drejtoresha e komunikimit, Véronique Chaignat, të cilët u shpjeguan nga afër proceset e punës. Gjatë vizitës, ata panë se si riciklohen materialet e ndërtimit dhe si realizohen shpimet gjeotermike, si dhe u njohën me parkun e gjerë të makinerive dhe infrastrukturën gjigante të Grupit.
Në përfundim të vizitës, ndërmarrësit u pritën në takim nga Avni Orllati dhe dy vëllezërit e tij, Velush dhe Gjevgjet Orllati.
Gjatë takimit, ata mësuan për historinë e kompanisë, e cila nisi rrugëtimin në vitin 1995 dhe u zhvillua në një grup që sot numëron mbi 1.200 punonjës dhe është lider në sektorin e ndërtimit në Zvicrën frankofone.
Përfaqësuesit e secilës kompani prodhuese nga Kosova diskutuan me mikpritësit për mundësitë e bashkëpunimit, me synimin që t’u hapin dyert produkteve “Made in Kosova” në tregun zviceran.
Më shumë kontakte për bashkëpunime të reja
Vizitat plotësuan takimet e Forumit B2B Zvicër-Kosovë, ku në fokus ishin rreth 25 kompani prodhuese nga Kosova dhe mundësitë që ato ofrojnë për eksport, furnizim, prodhim me porosi dhe nënkontraktim.
Katër sektorët e përfaqësuar ishin përpunimi i drurit dhe prodhimi i mobiljeve, shtëpitë dhe strukturat e parafabrikuara, përpunimi dhe konstruksionet metalike, si dhe tekstili e veshmbathja.
Vizita përfundoi me një aperitiv, me shpresën që forume të tilla të organizohen më shpesh, duke krijuar më shumë mundësi për kontakte dhe bashkëpunime ndërmjet bizneseve në Kosovë dhe Zvicër.Forumi dyditor B2B Zvicër-Kosovë u organizua nga platforma albinfo.ch, me bashkepunim te Think B, Groupe Orllati SA dhe Probat Group SA, dhe Shoqatës e Përpunuesve të Drurit të Kosovës (SHPDK), projekt ky i mbështetur në kuadër të projektit GROW, i financuar nga SIDA dhe i zbatuar nga Swisscontact në Kosovë.
Në ditët në vijim, albinfo.ch do të publikojë një videoreportazh nga forumi dyditor, me pamje nga takimet B2B, vizitat në kompani dhe rrëfimet e pjesëmarrësve.
Foto: Gent Mersinaj
The post 25 ndërmarrës nga Kosova vizitojnë tri kompani prestigjioze në Zvicër: Orllati, Probat dhe Coutaz appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



