Në prag të ndeshjes Austri–Kosovë, presidenti i FFK-së pritet nga homologu austriak

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka njoftuar se në prag të përballjes mes Austrisë dhe Kosovës, delegacioni i Federatës së Futbollit të Kosovës ka marrë pjesë në një drekë zyrtare të shtruar nga presidenti i Federatës së Futbollit të Austrisë, Josef Pröll.
Dreka u mbajt në Hotel Sacher në Vjenë, ndërsa i pranishëm ishte edhe i ngarkuari me punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë, Albinot Bimbashi.
Ademi ka theksuar rëndësinë që Austria ka pasur për Kosovën, duke përmendur mbështetjen e saj në rrugëtimin drejt anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, si dhe rolin e saj në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë teksa tha se presidenti i Federatës Austriake, Josef Pröll, ka shprehur kënaqësinë që stadiumi “Ernst Happel” pritet të jetë i stërmbushur.
“Për ne, Vjena është një vend i veçantë. Austria jo vetëm që na ka mbështetur në rrugëtimin drejt anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, por ka qenë edhe aleat dhe vend i rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë. Presidenti Pröll na uroi mirëseardhjen dhe shprehu kënaqësinë për faktin se “Ernst Happel” do të jetë i stërmbushur, duke theksuar se prania e madhe e tifozëve tanë, veçanërisht e bashkatdhetarëve që jetojnë në Vjenë dhe Austri, i jep kësaj ndeshjeje një dimension të veçantë. Ai vlerësoi atmosferën e krijuar rreth kësaj përballjeje dhe u shpreh se pret një ndeshje shumë të mirë”, ka shkruar Ademi, transmeton albinfo.at.
Ademi u shpreh se e veçantë ishte edhe biseda për Franco Fodën, i cili dikur drejtonte Kombëtaren e Austrisë, ndërsa sot është përzgjedhës i Kombëtares së Kosovës teksa u përmend edhe përballja e ardhshme e Kombëtareve të femrave të Kosovës dhe Austrisë, të cilat në tetor do të garojnë për një vend në Kupën e Botës 2027.
“Në tetor, edhe Kombëtaret tona të femrave do të përballen për një vend në Kupën e Botës 2027, çka i jep edhe më shumë rëndësi lidhjes sportive mes Kosovës dhe Austrisë në këtë periudhë. Ndërkohë, duke e falënderuar presidentin Pröll për mikpritjen e ngrohtë urova që sonte të kemi një ndeshje të bukur, të fortë dhe mbi të gjitha në frymën e fair-play-it. Një pjesë e rëndësishme e ulëseve në stadium do të jenë të mbushura me bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Austri, por edhe nga vende të tjera të Evropës e botës. Pikërisht kjo e bën edhe më të veçantë këtë përballje. Me besim të plotë që edhe sonte do të jehojë kënga e Dardanëve, uroj që në fund t’i gëzohemi një tjetër rezultati pozitiv!”, ka shkruar tutje ai.
The post Në prag të ndeshjes Austri–Kosovë, presidenti i FFK-së pritet nga homologu austriak appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



