Nga Zogu te Begaj: Roland Qafoku sjell historinë e një shekulli republike në librin e ri “11 Presidentët”
Gazetari, analisti dhe studiuesi Roland Qafoku së fundmi ka sjellë një vepër të rrallë dhe të nevojshme për kujtesën historike të shtetit shqiptar, librin “11 Presidentët (1925-2025)”, botuar nga UET Press. Përmes këtij botimi, Qafoku rrëfen një shekull të tërë republike përmes jetëve, vendimeve dhe sfidave të 11 presidentëve shqiptarë, duke na udhëhequr nëpër periudha […]

Gazetari, analisti dhe studiuesi Roland Qafoku së fundmi ka sjellë një vepër të rrallë dhe të nevojshme për kujtesën historike të shtetit shqiptar, librin “11 Presidentët (1925-2025)”, botuar nga UET Press. Përmes këtij botimi, Qafoku rrëfen një shekull të tërë republike përmes jetëve, vendimeve dhe sfidave të 11 presidentëve shqiptarë, duke na udhëhequr nëpër periudha të trazuara politike, tranzicione, kriza dhe momente krenarie kombëtare. Me një përvojë mbi tre dekada në media dhe me disa botime historike e publicistike në emër të tij, Roland Qafoku mbetet një nga gazetarët dhe studiuesit më të vëmendshëm ndaj mënyrës se si pushteti formëson fatin e shtetit. Në intervistë për Portalb.mk, ai rrëfeu prapaskenat e librit, risitë që sjell në raport me historinë e Presidencës.
Portalb.mk: Si lindi ideja për ta përmbledhur një shekull të Republikës së Shqipërisë përmes figurave të 11 presidentëve? Cili ka qenë kriteri juaj në përzgjedhjen e mënyrës së trajtimit të secilit president më shumë si portret njerëzor apo si figurë institucionale?
Roland Qafoku: Së pari ju falenderoj për intervistën që po më merrni. Së dyti, ky është libri i shtatë i imi me të njëjtën natyrë, pothuajse. Në vitin 2015 unë botova librin “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë. Nga Ismail Qemali te Edi Rama”. Në vitin 2017 botova librin “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar, 1912-2017. Në vitin 2021 botova librin “50 pyetje për 50 personazhe. Historitë e jetës së shqiptarëve më të famshëm.” Në vitin 2022 botova librin “Ambasadorët amerikanë në Shqipëri 1922-2022. Në 100-vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA.” Në vitin 2023 botova librin “100 sportistët më të mirë të Tiranës, (në të gjitha kohët).” Në vitin 2024 botova librin “100 personalitetet më të spikatura të Skraparit.”
Duke krijuar një set librash, besoj unë, me një profil të veçantë, është e natyrshme që të vijoja në këtë drejtim. Në fakt unë e kisha projekt timin që punoja paralelisht për një libër për presidentët e Shqqipërisë. Por duke qenë se ishin pak si numër mendoja se kjo do ishte një kohë relativisht e largët. Por, presidenti i Universitetit Evropian të Tiranës, Henri Çili, më kërkoi që në 100 vjetorin e presidencës shqiptare, unë të botoja një libër me historinë e presidentëve. E prita më shumë kënaqësi propozimin e tij dhe pas një punë disa vjeçare libri u botua këtë vit nga shtëpia Botuese “UET Press”. Në të janë historitë e 11 presidentëve të shtetit shqiptar që nisin me Ahmet Zogun në vtitin 1925 e deri te Bajram Begaj që është presidenti aktual.
Libri është i mbështetur në disa shtylla. E para, në dokumente të kohës që 11 kanë qenë presidentë, të gjetura nëpër arkiva nga ana ime. E dyta, në të dhëna të veçanta personale për secilin president, në forma tabelash që lidhen me fakte dhe shifra që nga lindja deri në vdekje, me me kohën e qendrimit në detyrë, me arsimin, familja dhe se si përfunuan ata. E treta, në ngjarjet që presidentët menaxhuan dhe u involvuan gjatë kohës që ishin në detyrë. E katërta, për atë që secili president mbahet mend. E pesta, në atë çfarë kanë thënë personalitetet e ndryshme për secilin president. E gjashta, çfarë deklaratash të bujshme ka bërë secili president. E shtata, me intervistat që unë i kam marrë, ose vetë presidentëve, ose të afërmve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. E teta, me në fotografitë e veçanta dhe të rralla që janë botuar gjatë jetës dhe aktivitetit të secilit si president.
Libri është tërësisht shkencor, i shoqëruar me referencë për çdo fakt. Por në të njëjtën kohë ai është shkruar me një stil gazetaresk dhe besoj se është i kuptueshëm dhe i lexueshëm për një masë të gjerë.
Portalb.mk: Sa e vështirë ishte të mbani ekuilibrin mes historisë dhe analizës personale, duke pasur parasysh se disa prej presidentëve janë ende gjallë?
Roland Qafoku: Kjo ka qenë pjesë delikate e librit. Por mua më ka ndihmuar shumë fakti se që nga Ramiz Alia e në vijim unë i kam intervistuar të gjithë presidentët. Për ironi, nuk kam intervistuar presidentin aktual Bajram Begaj, i cili ka ruajtur një profil të ulët publik në ndryshim nga të gjithë paraardhësit e vet.
Pikërisht intervistimi më kë bërë që ti njoh shumë mirë personazhet e librit. Tu marrë atyre fakte dhe detaje interesante dhe të realizoja profilet e veçanta të secilit. Sa e vështirë është kjo mënyrë? është jo pak e vështirë. Fjala vjen, një president u mërzit shumë kur doli libri sepse nuk i pëlqeu që përveç shumë fakteve dhe vlerësimeve pozitive për të, unë kisha publikuar edhe një deklaratë negative të një bashkëpunëtori të tij të ngushtë. Por për mua kjo nuk përbën problem. Unë nuk bëra një libër siç do të donin presidentët të ishte. Ose, siç thoshte gjyshja ime nga Toskëria, si sherbet për bakllava. Unë kam synuar të jem realist, të mos mbajë asnjë anë dhe të pasqyroj të mirat dhe të këqiat e presidentëve, anët pozitive dhe negative të tyre dhe mbi të gjitha çfarë gjurme lanë ata gjatë presidencës. Nëse dikujt nuk i pëlqeu, ky nuk është faji im, por i atyre vet.

Portalb.mk: Cila është figura presidenciale që ju ka befasuar më shumë gjatë hulumtimit ndoshta për diçka që historia zyrtare nuk e kishte theksuar? Cilin prej 11 presidentëve do ta cilësonit si më të suksesshmin në raport me kohën e tij?
Roland Qafoku: Befasia është një që në fakt nuk është më befasi. Është Ahmet Zogu që kur më 31 janar 1925 mori detyrën e presidentit ishte 29 vjeç, 3 muaj e 28 ditë, qendroi në detyrë 3 vjet, 7 muaj e 1 ditë, por pati vizionin që një Shqipëri kaotike ta shndërronte në një Shqipëri të stabilizuar. Jam befasuar tejet nga vizioni i atij burri shteti që mendoi shumë për të ardhmen e kombit. Falë këtij vizioni Ahmet Zogu u bë shumë shpejt figura numër një e Shqipërisë dhe një nga politikanët më të rëndësishëm në Ballkan dhe një figurë e njohur në Evropë. Sigurisht që Ahmet Zogu ishte diktator, por me atë që bëri për Shqipërinë na ka lënë një shtet modern në drejtim të strukturës, legjislacionit dhe emnacipimit të shoqërisë. Dhe kjo i dedikohet ekskluzivisht atij. Ai ka shtruar rrugën në të cilën kanë ecur të tjerëtë, por edhe pushtetarëtë e tjerë në periudha të ndryshme. Prej dekadash Shqqipëria nuk është më si dikur një shtet i brishtë që Fuqitë e Mëdha dhe veçanërisht fqinjët bënin ç’të donin. Prej disa dekadash Shqipëria është një nga shtetet më të rëndësishme në Ballkan dhe dominant në politikën e jashtme duke patur një peshë specifike që nuk e kanë patur më parë. E them me bindje se asnjë vendim nuk mund të merret në Ballkan ma miratimin e shqiptarëve gjë që tregon se fuqia e tyre është rritur falë forcimit të shtetit duke përfshirë edhe presidencën si dhe një politike paqeje. Këtu qëndron fuqia e shqiptarëve, një fuqi që e nisi ta aplikojë Ahmet Zogu.
Pas tij, të gjithë besoj se kanë vendosur tullën e tyre në presidencën e shtetit shqiptar. Por këtë tullë e kanë vendosur pasi kanë marrë në dorësim ngrehinën e kishte ndërtuar më parë Ahmet Zogu.
Kështu presidenti i dytë, Omer Nishani, do kujtohet si presidenti që triumfoi falë kontributit në Luftën e Dytë Botërore, por që i shërbeu komunizmit dhe në fund u detyrua të vrasë veten.
Presidenti i tretë, Haxhi Lleshi kujtohet vetëm për një karrikë në qoshenë e regjimit komunist, pa ndonjë vlerë, por besnik i përhershëm i diktatorit Hoxha.
Presidenti i katërt, Ramiz Alia, ishte diktatori i fundit dhe demokrati i parë.
Presidenti i pestë Sali Berisha do kujtohet si antikomunisti që u bë autokrat.
Presidenti i gjashtë Rexhep Meidani vlerësohet si nga mendjet intelektuale më të larta që ka patur presidenca. Por ai ishte një president i parakohshëm në një Shqipëri të trazuar.
Presidenti i shtatë, Alfred Moisiu, vlerësohet si më i miri në këto 34 vjet. Ndonëse u zgjodh me konsensus, ai u sulmua nga të gjitha palët politike.
Presidenti i tetë, Bamir Topi, ishte produkti më sipëror i Tiranës dhe një president që nuk bëri keq.
Presidenti i nëntë, Bujar Nishani do mbahet mend që edhe pse punoi me dy kryeministra, ai nuk prodhoi asnjë krizë.
Preiodneti i dhjetë Ilir Meta do mbahet mend për turbulencat që krijoi në politikën e ditës.
Presidenti i 11-të Bajram Begaj do mbahet mend për një profil të ulët që ai ka mbajtur dhe mban. Por, ndoshta, duhet të mësohemie dhe me këtë mungesë protagonizmi.
Portalb.mk: Në libër ju keni përfshirë Ahmet Zogun si presidentin e parë sa e vështirë ishte ta trajtonit atë në vijën mes republikës dhe monarkisë?
Roland Qafoku: E shkruajta edhe më lart. Ahmet Zogu është një personazh i vështirë për ta përfshirë në çdo libër. Ai ka dimensione të atilla që të çudit. Ishte diktator por njëkohësisht ishte edhe demokrat. Ishte i egër me kundërshtarët e tij politike aq sa i vrau disa prej tyre, por njëkohësisht me disa prej tyre ai bashkëpunoi duke u dhënë poste të larta. Zogu nuk kishte diplomë universiteti. Por ishte i pajisur me shumë dije, fliste disa gjuhë perëndimore, ishte aq i mënçur dhe i ditur dhe kishte një talent natyral në politikë më shumë edhe se sa Fan Noli i diplomuar në Harvard. Ai kishte intuitë dhe reflekse në polikë që nuk i kishte kush. Aaq sa edhe vetë Imzot Noli e pranoi në fund duke thënë që “Zogu më mundi”. Rezulton se të gjitha zhvillimet më të mëdha, revoluconin juridik por edhe reforma në fusha të tjera, Ahmet Zogu i bëri kur ishte president. Kjo e bëri atë të pushtetshëm dhe që më pas të shpallej mbret. Kur u bë mbret Zog i kishte përfunduar të gjitha operacionet politike. Mbi të gjitha Zogu ishte një patriot i madh. Të gjitha synimeve dhe projekteve të fqinjëve për të dëmtuar Shqipërinë, ai u tha ndal. Kjo besoj është një meritë e jashtëzakonshme e tij.
Portalb.mk: Çfarë tregon evolucioni i presidencës për evolucionin e vetë shtetit shqiptar?
Roland Qafoku: Shiko, ka një veçanti Shqipëria që nuk besohet se e ka ndonjë shtet tjetër në Evropë. Shteti shqiptar ka provuar të gjitha format e regjimit; Principatë, Republikë parlamentare, Republikë presidenciale, mbretëri, Republikë dikatoriale dhe së fundi republikë demokratike. Këto oshilacione kanë bërë që shteti të kalojë shumë tallaze. Por ama, edhe pse me shumë sakrifica, edhe pse me fqinj si Jugosllavia dhe Greqia që pasi na kishin marrë toka, kishin synime deri ta zhduknin na harta vendin tonë, ne kemi patur shtet. Ne shqiptarët jemi krenarë për këtë. Një gazetar anglez që botoi një reportazh nga Tirana në vitin 1921 e mbyllte me fjalët; Kryeqyteti më i ri në Evropë ka edhe parlament. E pra, në vitin 1921, kur Evropa kishte shtete që nuk i dinin emrin parlamentit, në Shqipëri merrte udhë institucioni më i lartë dhe më i rëndësishëm i shtetit. Kjo është një domethënie e madhe. Dhe për këtë kanë meritë shqiptarët që kishin shpirtin e tyre për shtetin dhe atdheun.
Portalb.mk: Ju njiheni për librat investigativë e kronikat historike çfarë e bën këtë libër ndryshe nga botimet tuaja të mëparshme?
Roland Qafoku: Po, është një pasion dhe dëshirë e brendshme kjo. Puna si gazetar prej afër 3 dekadash më ka bërë të akumuloj shumë materiale. Kam krijuar një arkiv personal fizik dhe elektronik që mbi bazën e tij krijoj ide për shkrimin dhe botimin e librave. Për më tepër që përveç punës si gazetar duke drejtuar media të ndrushme gjatë karrierës time, unë kam edhe një aktivitet akademik. Prej vitit 2019 jam Doktor i Shkencave dhe pedagog i jashtëm në Universitetin e Tiranës dhe unë nuk e imagjinoj dot që një person me gradë shkencore të mos kryejë studime. Unë nuk zëvendësoj historianin. Unë jam gazetar por ndjek parimet e gazetarisë për të shkuar një libër me të vetmin ndryshim që shkoj në vendngjarje me vonesë. Në librat e mi unë botoj fakte, të dhëna dhe detaje që i mbështes në dokumentacione. Pa dokumente, pa fotografi e të tjera si këto, unë nuk i botoj. Modeli im në këtë drejtim janë libra dhe studime të publikuara në SHBA, një vend që kam kaluar një përvojë atje.
Kërkoja në arkiva dhe biblioteka një libër kush ishin kryeministrat e Shqipërisë. Pasi nuk e gjeta vendosa ta shkruaj vet. Kështu pas kësaj mori udhë krijimtaria ime.
Në 12 shtator 1998 si gazetar isha në vendngjarje ku u vra deputeti Azem Hajdari. Kuptova që ajo ngjarje do ishte pjesë e historisë së Shqipërisë. Në ato çaste e pyeta veten: Po Isa Boletini si është vrarë? Kështu ideova librin “100 vrasjet më të bujshme” që e botova në vitin 2017. Meqënëse ju jeni një media shqiptare në Maqedoninë e Veriut ju tregoj se në këtë libër është përfshirë një krim i ndodhur më 25 prill 1933 në Vjenë me autor albanologun austro-hungarez Franz Nopcsa ndaj shqiptarit nga Shtirovica e Rekës së Sipërme, Bajazid Doda. Është një ngjarje e rëndë dhe një krim pasioni, i denjë për një skenar filmi thriller.
Portalb.mk:Nëse do të duhej ta përmblidhnit këtë libër me një fjali, cila do të ishteajo?
Roland Qafoku: Presidenca, hija e përjetshme e kryeministrisë.
