Një nga punët e para të kryetarit të ri të Shkupit, Orce Gjorgjievski ishte vënia e gurthemelit të një kishe në Draçevë
Një nga aktivitetet e para të kryetarit të ri të Shkupit, Orce Gjorgjievski, pas hyrjes në detyrë ishte vendosja e gurthemelit të një kishe të re në lagjen Draçevë të Shkupit. Kjo erdhi vetëm një ditë pasi u mor me pastrimin e qytetit, i cili ishte përplot në mbeturina. Ceremonia u zhvillua së bashku me […]

Një nga aktivitetet e para të kryetarit të ri të Shkupit, Orce Gjorgjievski, pas hyrjes në detyrë ishte vendosja e gurthemelit të një kishe të re në lagjen Draçevë të Shkupit. Kjo erdhi vetëm një ditë pasi u mor me pastrimin e qytetit, i cili ishte përplot në mbeturina. Ceremonia u zhvillua së bashku me kryepeshkopin e Ohrit dhe të Maqedonisë, Stefan, ku u shënua fillimi i ndërtimit të tempullit të ri fetar, transmeton Portalb.mk.
Gjorgjievski publikoi mesazh në rrjetet e tij sociale, ku theksoi se Shkupi dhe Maqedonia “janë të bekuara me shumë kisha e manastire që ruajnë besimin dhe traditën e popullit, ndërsa ky tempull i ri do të jetë një tjetër vend i shenjtë ku besimtarët do të mblidhen në lutje, me dashuri ndaj Zotit dhe në frymën e bashkësisë”.
Kjo është një nga veprat e para të kryetarit të ri të Shkupit, i cili në ditën e parë të mandatit nisi aksionin e shumë-diskutuar për pastrimin e qytetit, ndërsa një ditë më pas orientoi vëmendjen në ndërtimin e një kishe, derisa qytetarët presin hapa konkretë për menaxhimin urban dhe mjedisor.
Shkupi tashmë njihet për disa kryqe gjigande, një në Vodno, i cili duket në mbarë qytetin dhe një tjetër në lagjen Aerodrom, të ndërtuara gjatë viteve të fundit, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e banorëve të qytetit i përkasin edhe komunitetit mysliman dhe feve të tjera.
Sa i përket pastrimit, Shkupi përpara se të vijë Gjorgjievski ishte lënë të mbytej në mbeturina për javë të tëra, derisa pushteti dhe opozita vazhdonin ritualin e akuzave – njëra palë thoshte se mungonin makinat e pastrimit, tjetra se mungonte vullneti politik. Por sapo erdhi Gjorgjievski, për çudi, gjithçka nisi të funksionojë si me shkop magjik. Kamionët e pastrimit dolën në terren, mbeturinat u zhdukën dhe qyteti filloi të marrë frymë. Për opozitën, kjo u interpretua më shumë si skenar i përgatitur me kujdes-një teatër i tërë, vetëm që Gjorgjievski të shkëlqente në skenën e tij të parë publike si “shpëtimtari” i Shkupit.
