Nuk është e vërtetë që aeroplanët e NATO-s na “spërkasin” me viruse, baktere dhe oksid grafeni

Nuk është e saktë ajo që thuhet në postim se “variantet e reja të virusit Covid përhapen përmes spërkatjes nga aeroplanët e NATO-s”, as që “aeroplanët e NATO-s lëshojnë metale të rënda mbi Shkup”, e as që “aeroplanët e NATO-s lëshojnë viruse, baktere dhe oksid grafeni”, transmeton Vërtetmatësi. Po recensojmë një postim në rrjetin social Facebook, në të […]

Nuk është e vërtetë që aeroplanët e NATO-s na “spërkasin” me viruse, baktere dhe oksid grafeni
Aeroplan i NATO-s. Foto: nato.int

Nuk është e saktë ajo që thuhet në postim se “variantet e reja të virusit Covid përhapen përmes spërkatjes nga aeroplanët e NATO-s”, as që “aeroplanët e NATO-s lëshojnë metale të rënda mbi Shkup”, e as që “aeroplanët e NATO-s lëshojnë viruse, baktere dhe oksid grafeni”, transmeton Vërtetmatësi.

Po recensojmë një postim në rrjetin social Facebook, në të cilin shpërndahet një video ku shfaqen pamje të qiellit mbi Shkup, i cili është pjesërisht me re, dhe thuhet:

Tridhjetë tetor 2025, Kisha Katolike në Shkup. Me gjasë, tërë natën dhe gjysmën e ditës po spërkasin me aeroplanë. Patjetër duhet të vaksinoheni, vaksinat sigurisht janë të mira për metalet e rënda që i lëshojnë nga aeroplanët e NATO-s, sigurisht janë të mira për viruset dhe bakteret që i shpërndajnë nga aeroplanët e NATO-s, janë të mira për oksidin e grafenit që do t’ju bllokojë enët e gjakut – janë vaksina të shkëlqyera këto, kështu që, ndoshta deri në vitin 2030, nëse merrni nga këto vaksina, nuk do të ekzistoni më. Bukur e mirë, do të zhdukeni, do të qajnë për ju të afërmit, miqtë, vëllezërit, motrat e të tjerë, por ju s’do të jeni më. Por e rëndësishme është që do të jeni të “mbrojtur” për 3 vitet e ardhshme, dhe papritur do të rrëzoheni në rrugë dhe do të zhdukeni. Kjo është ideja. Ende po spërkasin, ka filluar fushata për vaksinat e kështu me radhë. Siç thashë para 5 ditësh, nuk kishte filluar ende, por tani kanë nisur përsëri fushatën që të vaksinoheni dhe të jeni të lumtur, ja kështu.

Në kuadër të postimit është publikuar edhe një tekst me përmbajtjen:

30 tetor 2025 – Përsëri helmim i qytetarëve të Shkupit nga aeroplanët e NATO-s!!! (Ja si “përhapen variantet e reja të virusit Covid”).

Nuk është e saktë ajo që thuhet në postim se “variantet e reja të virusit Covid përhapen përmes spërkatjes nga aeroplanët e NATO-s”, as që “aeroplanët e NATO-s lëshojnë metale të rënda mbi Shkup”, e as që “aeroplanët e NATO-s lëshojnë viruse, baktere dhe oksid grafeni”.

Fushata e vaksinimit që përmendet në postim nuk ka lidhje me Covid-19, por me gripin sezonal. Arsyeja pse u bëhet thirrje kategorive të cenueshme të qytetarëve të vaksinohen kundër gripit sezonal nuk ka të bëjë fare me spërkatje nga aeroplanët, siç pretendohet rrejshëm në postim, por me faktin që në periudhën e vjeshtës fillon sezoni i gripit. Vaksinimi kundër gripit nuk është i detyrueshëm dhe shteti nuk i detyron qytetarët të vaksinohen; ata e bëjnë këtë me dëshirë të lirë, në mënyrë vullnetare, duke u paraqitur përmes aplikacionit të vaksinimit. Vaksinat kundër Covid-19 nuk përmbajnë oksid grafeni, dhe këtë dezinformim “Vërtetmatësi” tashmë e ka demantuar.

Aeroplanët e NATO-s nuk i helmojnë njerëzit nga ajri. Kjo ide është pjesë e një teorie të vjetër konspirative të njohur si “chemtrails”. Në realitet, gjurmët e kondensimit (contrails) – vijat e bardha që shihen pas aeroplanëve që fluturojnë lart – përbëhen nga avujt e ujit që ngrijnë në kristale akulli kur gazrat e nxehtë të motorëve takohen me ajrin e ftohtë në lartësi të mëdha. Nuk ka asnjë provë të besueshme shkencore se aeroplanët ushtarakë apo civilë lëshojnë qëllimisht kimikate toksike mbi popullatën. Institucionet mjedisore dhe shëndetësore (si OBSH, NASA dhe institucionet kombëtare meteorologjike) kanë kryer shpeshherë analiza të ajrit dhe ujit dhe nuk kanë gjetur asgjë që të mbështesë këto pretendime.

Aeroplanët e NATO-s përdoren për shumë qëllime, por asnjëri prej tyre nuk ka të bëjë me “spërkatje”, “helmim”, “lëshim të metaleve të rënda” apo “shpërndarje të baktereve dhe viruseve”.

Aeroplanët e NATO-s përdoren për patrullim ajror dhe mbrojtje të hapësirës ajrore. NATO mban një mision të përhershëm të quajtur “NATO Air Policing” (Patrullimi Ajror i NATO-s), me qëllim mbrojtjen e hapësirës ajrore të vendeve anëtare. Në këtë mision përfshihen aeroplanë luftarakë dhe ekuipazhe që janë në gatishmëri 24 orë në ditë, 365 ditë në vit, për të reaguar ndaj çdo shkeljeje të mundshme të hapësirës ajrore.

NATO i përdor aeroplanët edhe për paralajmërim të hershëm ajror, mbikëqyrje, komandë dhe kontroll. Ajo ka një flotë të vetën të aeroplanëve të specializuar me sisteme radarësh që mundësojnë zbulimin dhe ndjekjen nga larg të objektivave ajrorë dhe detarë, si dhe përcjelljen e informacionit në kohë reale tek forcat tokësore, detare dhe ajrore.

Aeroplanët përdoren gjithashtu si reagim në situata krize, për mbështetje në operacione dhe për pengim të kërcënimeve. Ata kryejnë misione të ndryshme – ndjekje të lëvizjeve ajrore të armikut, mbështetje në luftën kundër terrorizmit, evakuim të civilëve, zbatim të embargove dhe të tjera. Për shembull, fluturimet e NATO-s AWACS sigurojnë mbrojtje dhe parandalim të kërcënimeve në raste incidentesh si aneksimi i Krimesë.

Këto qëllime tregojnë se aeroplanët nuk përdoren për “helmim” apo spërkatje të fshehtë me kimikate, por për mbrojtje, mbikëqyrje dhe koordinim. Misionet janë të dokumentuara publikisht nga NATO dhe agjencitë e saj, dhe qëllimi i tyre është mbrojtës dhe kolektiv.

Asnjë vaksinë nuk ka si qëllim që pas tre vjetësh ata që e kanë marrë të “zhduken”. Nuk ka asnjë bazë faktike apo logjike që jeta e një personi i cili është vaksinuar kundër Covid-19 apo gripit të kufizohet në tre vjet pas vaksinimit. Fushata e vaksinimit kundër gripit sezonal në Maqedoninë e Veriut është e suksesshme dhe çdo vit Ministria e Shëndetësisë siguron një numër gjithnjë e më të madh vaksinash kundër gripit. Këtë vit, ky numër arrin në 80 mijë doza, të cilat merren në mënyrë vullnetare, nëse qytetari shpreh interes dhe bën pjesë në grupet e rrezikut.

Vaksinimi kundër gripit sezonal është masa më efektive për parandalimin e gripit, pasi parandalon format më të rënda të sëmundjes, komplikimet dhe vdekjet, sidomos te grupet e rrezikuara. Ai nuk është i detyrueshëm dhe bëhet me dëshirën e qytetarit. Vaksinimi falas kundër gripit sezonal në Republikën e Maqedonisë së Veriut është i destinuar për grupet e mëposhtme të rrezikut: të moshuarit mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, punonjësit shëndetësorë, gratë shtatzëna dhe fëmijët e moshës nga 6 muaj deri në 5 vjeç.

Vetë videoja që është prezantuar nuk tregon asgjë të veçantë që të dëshmojë se “aeroplanët e NATO-s spërkasin nga qielli”. Shihen thjesht pamje të zakonshme të qiellit.

Konkretisht, influenza (gripi) nuk përhapet nga aeroplanët, por përmes pikave kur njerëzit kolliten, teshtijnë ose flasin. Raste më të rralla ndodhin përmes prekjes së një sipërfaqeje ose objekti të infektuar dhe më pas prekjes së gojës, hundës ose syve.

Covid-19 nuk përhapet nga virusi që bie në tokë nga aeroplanët, por përmes kontaktit të afërt me një person të infektuar. OBSH është e qartë se ekzistojnë kontekste sociale, domethënë kushte në të cilat virusi përhapet.

Për shkak të të gjitha fakteve të mësipërme, postimi që po recensojmë e vlerësojmë si i pavërtetë.