Parlamenti Evropian kërkon një polici përfshirëse në veri

Shpalosja e draft raporteve të ndara për Kosovën dhe Serbinë është pasuar me një debat mes eurodeputetësh. Në mbledhjen e sotme të Komitetit për Çështje të Jashtme të Parlamentit Evropian, raportuesi për Kosovën, Riho Terras, ka kërkuar heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës, dhe njohjen nga pesë vendet anëtare. Derisa ka shprehur urgjencën për

Parlamenti Evropian kërkon një polici përfshirëse në veri

Shpalosja e draft raporteve të ndara për Kosovën dhe Serbinë është pasuar me një debat mes eurodeputetësh. Në mbledhjen e sotme të Komitetit për Çështje të Jashtme të Parlamentit Evropian, raportuesi për Kosovën, Riho Terras, ka kërkuar heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës, dhe njohjen nga pesë vendet anëtare. Derisa ka shprehur urgjencën për nxjerrjen para drejtësisë të përgjegjësve të sulmeve në Banjë dhe Zubin Potok, draft raporti ka kërkuar që Policia e Kosovës në veri të jetë një “forcë përfaqësuese etnike”.

Col Mehmeti

Eurodeputetët kanë kërkuar që Policia e Kosovës në veri të përfshijë në radhët e saj serbët, kurse Serbia t’i sjellë para drejtësisë dorasit e sulmit terrorist të vitit 2023 në Banjë.

Këto kanë qenë disa nga nënvizimet e bëra në draft raportet për Kosovën dhe Serbinë që u shpalosën sot para anëtarëve të Komitetit për Çështje të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET).

Këto draft raporte përfaqësojnë pozicionin e Parlamentit Evropian në lidhje me raportet vjetore të dy viteve të kaluara për të dyja vendet.

Teksa ka njoftuar për raportimin e sotëm, Terras ka thënë se BE duhet ta përshpejtojë integrimin e Kosovës e të marrë një rol më proaktiv në rajon.

“Kam vizituar Kosovën dhe mbështetja publike për BE-në është tepër e lartë. Kosova ka nevojë që të qëndrojë në udhën e reformave”, ka shkruar Terras në llogarinë e tij në platformën ‘X’.

Të hiqen masat ndaj Kosovës

Draftraporti i përgatitur nga raportuesi për Kosovën, estonezi Riho Terras — i cili pritet të miratohet nga ky komision gjatë javëve të ardhshme — ka kërkuar që Kosova të nxirret nga ‘zona gri’.

Ai ka kërkuar, me këtë rast, që të hiqen menjëherë masat e BE-së kundrejt Kosovës, duke theksuar se ato “më nuk janë të përligjura dhe qëndrojnë në kundërthënie me përkushtimin e dëshmuar të Kosovës për vlerat evropiane dhe përputhshmërinë e saj me politikat e BE-së”.

Terras, në këtë draft, u ka kërkuar shteteve anëtare që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë “pa vonesë”, kurse qeveria e re në Kosovë të rifillojë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Të hetohen ngjarjet në Banjë dhe Vragë

Në raport janë dënuar incidentet serioze të sigurisë, siç ishte shpërthimi në kanalin e sistemit Ibër-Lepenc në afërsi të fshatit Vragë në Zubin Potok.

Po kështu, Terras në emër të Parlamentit Evropian “ka shprehur mbështetje për institucionet e Kosovës për të kryer një hetim të plotë të këtyre veprimeve kriminale ashtu që dorasit të sillen para drejtësisë”.

Një pjesë e shënueshme e draft raportit për Kosovën i kushtohet ripajtimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Aty është bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të heqin dorë nga veprimet e njëanshme që “mund të përshkallëzojnë në tensione”, si dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e kaluara, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Draft raporti ka theksuar pritjen e Parlamentit Evropian që Kosova dhe Serbia të bashkëpunojnë plotësisht e të marrin të gjitha masat e nevojshme që t’i sjellin shpejt para drejtësisë kryerësit e sulmit terrorist në Banjë.

Në të është shprehur keqardhje për faktin që “Serbia ende nuk ka hetuar fajtorët, veçanërisht Milan Radoiçiqin, nënkrytetar i Listës Serbe”, duke nënvizuar që kryerësit e sulmit terrorist në Zubin Potok të mbahen përgjegjës e të përballen me drejtësinë.

Policia të ketë përfaqësim etnik në veri

Draft raporti, më tej, ka dënuar të gjitha “veprimet që e rrezikojnë stabilitetin dhe e vënë në kërcënim procesin e ripajtimit”, duke përfshirë tensionet në veri të Kosovës.

Derisa përpiluesi i draftraportit ka kërkuar që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura, ai i ka bërë thirrje “Policisë së Kosovës që të sigurohet se i përmbahet plotësisht sundimit të ligjit dhe kritereve të të drejtave të njeriut, si dhe të sigurohet që një forcë përfaqësuese etnike, plotësisht në vijë me kërkesat ligjore, të vendoset në veri të Kosovës”.

Kritika për Serbinë

Në këtë takim u bë edhe shpalosja e draft raportit për Serbinë, i përgatitur nga raportuesi Tonino Picula.

Në të janë përfshirë vërejtje e shqetësime për përparimin e kufizuar të Serbisë për sa u përket kapitujve negociues për anëtarësim në BE, sidomos mangësitë në sundimin e ligjit, reformën në administratën publike si dhe përputhjen me politikat e BE-së.

Duke iu adresuar krizës politike dhe sociale në Serbi, Picula ka dënuar sulmet e dhunshme ndaj protestuesve paqësorë.

Sipas tij, autoritetet serbe kanë bërë “deklarime të pambështetura se shtetet anëtare të BE-së janë përfshirë në organizimin e protestave studentore”.

Edhe në këtë draf traport janë përfshirë të njëjtat pritje për sa i përket nevojës për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, shmangie të veprimeve të njëanshme, si dhe zbatim të marrëveshjeve të arritura.

Edhe Serbisë, në draft raport, i është kërkuar që “të bashkëpunojë plotësisht e të marrë të gjitha masat e nevojshme për të sjellë sa më parë para drejtësisë kryerësit e sulmit terrorist të 2023-s në Banjë”, sikurse që edhe shprehur keqardhje që Serbia nuk i ka hetuar fajtorët për sulmin në Banjë si dhe ata në Zubin Potok.