Pothuajse të gjithë abortet në klinikat e RMV-së bëhen me tableta, ndërsa ato ende nuk janë të regjistruara
Vitin që shkoi mjekët në Klinikën e Gjinekologjisë kanë kryer gjithsej 1.285 aborte. Pothuajse 95 përqind e tyre janë kryer me tableta. Këto të dhëna u referohen shtatzënive që janë ndërprerë deri në javën e dymbëdhjetë të shtatzënisë shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk. Edhe pse aborti medikamentoz po përdoret gjithnjë e më shumë […]


Vitin që shkoi mjekët në Klinikën e Gjinekologjisë kanë kryer gjithsej 1.285 aborte. Pothuajse 95 përqind e tyre janë kryer me tableta. Këto të dhëna u referohen shtatzënive që janë ndërprerë deri në javën e dymbëdhjetë të shtatzënisë shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
Edhe pse aborti medikamentoz po përdoret gjithnjë e më shumë dhe konsiderohet më i sigurt dhe më pak invaziv sesa ndërhyrja klasike kirurgjikale, barnat që përdoren për ta kryer këtë procedurë ende nuk janë të regjistruara në Maqedoninë e Veriut.
Аborti me tableta u bë i disponueshëm në fund të vitit 2020, kur organizatat joqeveritare për të drejtat e grave e vlerësuan atë si një alternativë të sigurt kundrejt metodës kirurgjikale. Ligji që mundësoi abortin me tableta u miratua vitin e kaluar.
Pothuajse 30 organizata të bashkuara në Platformën për Barazi Gjinore që në vitin 2021 kërkuan regjistrimin e barnave për këtë qëllim, në mënyrë që ato të mund të përdoren në nivel spitalor, por edhe në ordinancat gjinekologjike në nivelin primar të mbrojtjes shëndetësore.
Tabletat e abortit nuk janë të regjistruara në MALMED
Por, pilulat që përdoren për abortin, si Mifepristone dhe Misoprostol, nuk janë të regjistruara, pra të miratuara për shitje në Maqedoninë e Veriut, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë nga Agjencia për Barna dhe Pajisje Ndihmëse Mjekësore (MALMED).
Por, aborte me këto dy lloje barnash po kryhen tashmë plot pesë vjet, ndërsa dy klinikat gjinekologjike në Shkup i sigurojnë ato përmes importit intervent. Edhe ky lloj import miratohet nga MALMED.
Për REL nga MALMED sqarojnë se prokurimi i barnave të paregjistruara rregullohet me Ligjin për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore, neni 79 i të cilit e lejon importin intervent.
Duke e cituar ligjin, nga MALMED në përgjigjen e tyre me shkrim sqarojnë se “për lëshimin e një miratimi për importimin e barnave që nuk kanë miratim për lëshim në treg, importuesi është i detyruar të dorëzojë kërkesë pranë Agjencisë bashkë me dokumentacionin përkatës, certifikatë për cilësinë dhe arsyetimin për kërkesën”.
Pas kësaj Agjencia e përcakton procedurën, kryen kontrollin e cilësisë dhe i kontrollon edhe certifikatat.
Procedura për prokurim urgjent është definuar në Ligjin për Barna kur bëhet fjalë për importimin e barnave që nuk janë të regjistruara në vend, por janë të nevojshme për trajtimin e qytetarëve, kështu që në këtë mënyrë MALMED ka mundësuar që këto barna për abort të arrijnë direkt në klinikat gjinekologjike.
Por, ata nuk u përgjigjen se pse nuk i kanë regjistruar ende këto barna.
Dy praktika të ndryshme në Shkup
Aborti medikamentoz është i disponueshëm në Кlinikën e Gjinekologjisë dhe në Gjinekologjinë në Çair, por qasja e këtyre dy institucioneve është e ndryshme.
Klinika e Gjinekologjisë përdor dy lloje tabletash – Mifepristone dhe Misoprostol, të cilat, siç konfirmon një burim nga atje për Radion Evropa e Lirë, sigurohen me import intervent.
Këto tableta, të cilat nuk janë të regjistruara në vend, prodhohen në Indi. Më parë Klinika ka përdorur tableta të prodhuara në Holandë dhe Francë.
Dy llojet e tabletave vijnë në një paketim të përbashkët që përmban një tabletë Mifepristone dhe katër tableta Misoprostol.
Me to, vitin e kaluar në Klinikën e Gjinekologjisë janë kryer 94,5 përqind e numrit të përgjithshëm të aborteve deri në javën e dymbëdhjetë të shtatzënisë, ndryshe nga viti 2020 kur kjo përqindje ishte 13,7.
Prof. dr. Jadranka Georgievska thotë se përqindja e aborteve medikamentoze të kryera është në rritje sepse me to, ndryshe nga procedura kirurgjikale, shtatzënia ndërpritet pa ndërhyrje kirurgjikale dhe pa anestezi.
“Pacientet që vijnë për ndërprerje të shtatzënisë nuk kanë nevojë të kenë udhëzim nga gjinekologu i tyre amë. Ato mund të vijnë vetëm me një dokument identifikimi personal dhe me kërkesën e tyre ato ekzaminohen në ambullantën e urgjencës, pas çka miratohet ndërprerja e shtatzënisë “, shton Dr. Georgievska, kryetare e Komisionit të Shkallës së Parë për Ndërprerjen e Shtatzënisë në Klinikën e Gjinekologjisë.
Procedura kushton nga 5.000 deri më 13.500 denarë, varësisht nga tremujori. Nëse aborti është rezultat i dhunës seksuale ose me indikacion mjekësor, shpenzimet mbulohen nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.
Në “Çair” përdoret vetëm Misoprostoli, ndërsa pacientet domosdoshmërisht shtrohen në spital dhe janë nën mbikëqyrjen e një mjeku, sepse mund të ndodhë që të kenë gjakderdhje të madhe.
Si funksionojnë këto tableta?
Dr. Georgievska thotë se me disa bllokohen receptorët e progesteronit, ndërsa me të tjerat shkaktohen kontrakcione dhe nxjerrje e fetusit.
Klinika e Gjinekologjisë i ndjek protokollet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe sipas tyre, “në shtatzënitë deri në 12 javë të shtatzënisë, nëse nuk ka rreziqe të mëdha për shëndetin e gruas dhe ndonjë gjendje më të komplikuar, ajo i merr tabletat dhe i administron ato në shtëpi”.
“Caktohet një kontroll dy deri në tre javë pas abortit për të parë nëse është përfunduar plotësisht. Nëse është e nevojshme, caktohen kontrolle shtesë.”
Por, pacientet tek të cilat duhet të kryhet abort nga java e 12 deri në javën e 22-të të shtatzënisë, edhe nëse aborti kryhet me ndihmën e barnave, pacientja përsëri duhet të shtrohet në spital, shpjegon Dr. Georgievska.
Por, kolegët e saj nga Spitali i Gjinekologjisë dhe Obstetrikës “Çair” përdorin vetëm tableta Misoprostol dhe të gjithë pacientet shtrohen në spital për të qenë nën mbikëqyrjen e mjekut.
Dr. Janev: Nuk ka rregullore dhe udhëzime klinike kombëtare
Fakti që në Maqedoninë e Veriut nuk ka një medikament të regjistruar për abort medikamentoz e ndërlikon edhe më shumë disponueshmërinë e këtij shërbimi, sepse përdorimi i tij është i kufizuar nga furnizimet spitalore dhe është rreptësisht i kontrolluar në kuadër të spitalit – shpjegon për REL Dr. Gjorgji Janev, doktor shkencash në fushën e mjekësisë sociale dhe ekonomisë në shëndetësi.
Ai thotë se përdorimi i një medikamenti të paregjistruar krijon një boshllëk rregullator, për shkak të të cilit nuk ka udhëzime klinike kombëtare për përdorim më të gjerë, ndërsa kjo është pikërisht ajo që e kufizon qasjen.
Dr. Janev thotë se MALMED duhet të fillojë procesin e regjistrimit të tabletave Mifepristone dhe Misoprostol, ndërsa Ministria e Shëndetësisë duhet të përgatisë dhe zbatojë udhëzime klinike për kryerjen e sigurt të abortit medikamentoz. Sipas tij, regjistrimi i tabletave do ta zvogëlojë edhe rrezikun nga komplikacionet e rënda shëndetësore.
Pabarazi midis grave
Asociacioni HERA pak kohë më parë bëri thirrje për disponueshmëri më të madhe të këtij lloji aborti për vajzat dhe gratë në Maqedoninë e Veriut, por që kjo të ndodhë doemos duhet që këto barna të regjistrohen – thonë mjekë me përvojë në këtë fushë, të cilët u intervistuan nga Radio Evropa e Lirë.
Tabletat për abort janë pothuajse të padisponueshme për gratë që nuk jetojnë në Shkup, ku edhe ndodhen dy klinikat gjinekologjike.
Në mesin e grave që e kanë ndërprerë vullnetarisht shtatzëninë e tyre në këtë mënyrë është një 28-vjeçare, nënë e papunë me dy fëmijë nga një zonë rurale. Gruaja, e cila nuk kishte sigurim shëndetësor, si dhe që tha se ishte diskriminuar edhe për shkak të etnisë, iu drejtua për ndihmë Аsociacionit HERA, nga ku u udhëzua në Klinikën e Gjinekologjisë.
Atje, pas këshillimit, gruaja iu nënshtrua një aborti medikamentoz, ndërsa po të njëjtën ditë ishte e lirë të kthehet në shtëpi tek fëmijët e saj.
“Kjo qasje mundësoi që gruaja të marrë një shërbim të sigurt dhe në kohë, duke e zvogëluar rrezikun nga metodat e pasigurta të ndërprerjes së shtatzënisë”, tha Olivera Stojkovska Ivanovska nga HERA për REL.
Stojkovska Ivanovska thotë se autoritetet duhet ta shqyrtojnë edhe mundësinë e telemjekësisë, e cila do ju mundësonte sidomos grave rurale të marrin shërbim të sigurt më shpejt dhe më lehtë.
“Sigurisht që edhe këtu duhet të ketë një mundësi për kontroll nga mjeku, por konsultimi fillestar mund të bëhet edhe me telefon ose online. Kjo është e rëndësishme sepse sa më herët të kryhet aborti, aq më i sigurt është. Kjo do ta zvogëlojë edhe presionin mbi spitalet dhe klinikat”, shton Stojkovska Ivanovska.
Edhe pse në Klinikën e Gjinekologjisë pothuajse të gjitha abortet vitin e kaluar u kryen në mënyrë medikamentoze, statistikat ndryshojnë kur bëhet fjalë për në nivel kombëtar. Nga HERA thonë se nga gjithsej 2.207 aborte në vend, vetëm 36 përqind janë kryer në mënyrë medikamentoze.
Apele për disponueshmëri të tabletave për abort
Edhe pse në Programin për Mbrojtje Aktive të Shëndetit për Nënat dhe Fëmijët për vitin 2025 janë paraparë 3 milionë denarë për abort medikamentoz, barnat për këtë kryesisht janë të disponueshme vetëm në Shkup.
Disa spitale rajonale, si ai i Kumanovës, kanë marrë tableta nga Klinika e Gjinekologjisë, por në vitin 2025 atje nuk është kryer asnjë abort mjekësor për shkak të mungesës së barnave. Në Manastir aborti kryhet vetëm në mënyrë kirurgjikale.
Organizatat joqeveritare paralajmërojnë se sistemi aktual krijon pengesa dhe kërkojnë që shteti të thjeshtojë procedurën e prokurimit dhe shpërndarjes, si dhe të sigurojë më shumë fonde.
“E drejta e grave për të pasur kontroll mbi trupat e tyre dhe për të pasur qasje të barabartë në shërbime të sigurta shëndetësore është një pjesë thelbësore e së drejtës universale për shëndet”, thuhet në një deklaratë të përbashkët nga HERA dhe Shoqata e Gjinekologëve dhe Obstetërve të Maqedonisë (ShGjOM).
Ato bëjnë thirrje që ky shërbim të vihet në dispozicion edhe në qytete të tjera në mënyrë që gratë të mos diskriminohen, as të mos u duhet të udhëtojnë për në Shkup dhe të përballen me pengesa financiare dhe logjistike.