Prani policore dhe dronë do të ketë rreth qendrave të votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve në RMV
Ashtu si në raundin e parë, edhe gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, pranë qendrave të votimit dhe në vendet me rrezik potencial do të vendosen zyrtarë policorë, ndërsa siguria do të garantohet shtesë nga mbikëqyrja ajrore me dronë, transmeton Portalb.mk. Këtë e njoftoi Drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike (BSP), Aleksandar Janev, pas […]

Ashtu si në raundin e parë, edhe gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, pranë qendrave të votimit dhe në vendet me rrezik potencial do të vendosen zyrtarë policorë, ndërsa siguria do të garantohet shtesë nga mbikëqyrja ajrore me dronë, transmeton Portalb.mk.
Këtë e njoftoi Drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike (BSP), Aleksandar Janev, pas vizitës së djeshme në DPB Koçan, ku, siç deklaroi ai, u takua me udhëheqjen e të gjitha qyteteve ku do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale. Gjatë takimit, ai u informua për situatën aktuale të sigurisë dhe të gjitha sfidat me të cilat përballet policia përpara votimit më 2 nëntor.
“Detyrimi ynë është i qartë – të sigurojmë proces zgjedhor paqësor, të sigurt dhe demokratik. Policia ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në mënyrë që qytetarët të mund të ushtrojnë lirisht të drejtën e tyre demokratike për të votuar pa presion, pa frikë dhe pa kërcënime. Nuk ka dhe nuk do të ketë tolerancë për asnjë veprim të paligjshëm. Çdo individ që përpiqet të shkelë ligjet dhe rregullat demokratike, pavarësisht nga vjen, do të përballet me përgjigje të shpejtë, profesionale dhe vendimtare të policisë”, theksoi Janev.
Maqedonia e Veriut më 19 tetor mbajti zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e shtetit në të cilat zgjidhen kryetarë komunash dhe lista këshilltarësh në 81 njësi të vetëqeverisjes lokale, në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Raundi i dytë do të mbahet më 2 nëntor në 33 komuna.

