Prej 10 ditësh në grevë, naftëtarët e Marinzës kërkojnë që shteti të mos heshtë

Përfaqësues të Sindikatës dhe shoqërisë civile protestuan përballë Ministrisë së Infrastrukturës në mbështetje të naftëtarëve në grevë të Marinzës, të cilët kërkojnë paga dinjitoze dhe kushte më të mira pune. Naftëtarët e Marinzës, punonjës të kompanisë Bankers Petroleum, ndodhen tashmë në ditën e tyre të 10-të të grevës së urisë, nëpërmjet të cilës ata kërkojnë […] The post Prej 10 ditësh në grevë, naftëtarët e Marinzës kërkojnë që shteti të mos heshtë appeared first on Ditar.al.

Prej 10 ditësh në grevë, naftëtarët e Marinzës kërkojnë që shteti të mos heshtë

Përfaqësues të Sindikatës dhe shoqërisë civile protestuan përballë Ministrisë së Infrastrukturës në mbështetje të naftëtarëve në grevë të Marinzës, të cilët kërkojnë paga dinjitoze dhe kushte më të mira pune.

Naftëtarët e Marinzës, punonjës të kompanisë Bankers Petroleum, ndodhen tashmë në ditën e tyre të 10-të të grevës së urisë, nëpërmjet të cilës ata kërkojnë pagat e prapambetura dhe rritjen e tyre.

Të premten*, përfaqësues të Sindikatës së Punonjësve të Hidrokarbureve, të mbështetur nga aktivistë të shoqërisë civile protestuan përballë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë duke kërkuar reagim për situatën e naftëtarëve.

“Gjendja shëndetësore e grevistëve po shkon nga ora në orë drejt përkeqësimit duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e tyre”, tha Ilia Kondi, drejtues i Unionit të Sindikatave.

“Ata po luftojnë për paga dinjitoze. Nuk mundet që qeveritarët të kenë 10-fishin e pagave të tyre, ndërkohë ata të diskutojnë minimumin jetik, pra janë në pragun e minimumit jetik”, vijoi Kondi gjatë fjalës së tij në protestën e naftëtarëve.

Kompania “Bankers Petroleum”, e cila shfrytëzon fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës prej më shumë se 20 vitesh, gjendet sot nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, për ngritjen e një skeme mashtrimi. Prokuroria akuzon drejtuesit dhe ish-drejtuesit e kompanisë se i kanë shkaktuar miliona euro dëm buxhetit të shtetit.

Nëpërmjet grevës së urisë, naftëtarët kërkojnë paga dinjitoze, nëpërmjet rritjes transparente të fondit të pagave nga kompania me 18%, dhe shpërndarjen e tij tek pagat e ulëta që ata kanë aktualisht.

Juristi Gentian Serjani i tha BIRN se është e patolerueshme që institucionet shqiptare nuk po reagojnë në mbrotje të naftëtarëve dhe ndaj një kompanie që abuzon me ata dhe pronën e përbashkët.

“Kërkesa jonë ishte që Ministria përgjegjëse të mos heshtë, por të marrë rolin e ndërmjetësueses pa u përkeqësuar akoma më shumë shendeti dhe jeta e naftëtarëve që janë në grevë urie”, tha Serjani.

Edhe Rigels Xhemollari nga “Qëndresa Qytetare” u shpreh se kushtet në të cilat punonin naftëtarët ishin tejet të vështira krahasuar me pagën që ato marrin.

“Në një kohë kur Bankers ka zhdukur miliarda lekë nga pasuria e shqiptarëve, punëtorët e kësaj kompanie janë në grevë urie për pagat e prapambetura”, tha Xhemollari.

“Këta punëtorë që shkojnë në rafineritë e naftës marrin një pagë aq sa duhet të merrnin dëmshpërblim për helmin që kalon në gjakun e tyre për shkak të punës së vështirë,” përfundoi ai. BIRN

The post Prej 10 ditësh në grevë, naftëtarët e Marinzës kërkojnë që shteti të mos heshtë appeared first on Ditar.al.