Prindërit e fëmijëve viktima në zjarrin e Koçanit do të marshojnë për drejtësi të shtunën në Shkup
Prindërit e fëmijëve që vdiqën në zjarrin në diskotekën Pulse kanë paralajmëruar marsh protestues për të shtunën dhe kanë kërkuar mbështetje nga qytetarët që t’u bashkohen atyre. “Marshimi i Engjëjve” do të mbahet në Shkup, ndërsa fillimi i marshimit është planifikuar për në orën 12:05 në Sheshin Maqedonia, nga ku do të vazhdojë para Parlamentit […]

Prindërit e fëmijëve që vdiqën në zjarrin në diskotekën Pulse kanë paralajmëruar marsh protestues për të shtunën dhe kanë kërkuar mbështetje nga qytetarët që t’u bashkohen atyre. “Marshimi i Engjëjve” do të mbahet në Shkup, ndërsa fillimi i marshimit është planifikuar për në orën 12:05 në Sheshin Maqedonia, nga ku do të vazhdojë para Parlamentit dhe para Gjykatës Themelore Penale në Shkup.
Iniciativa “Kush e ka radhën?” ka publikuar video në Instagram në të cilën prindërit e fëmijëve që vdiqën, të emocionuar, u bëjnë thirrje qytetarëve të bashkohen me marshimin dhe t’i mbështesin ata në kërkimin e drejtësisë për vdekjen e fëmijëve të tyre.
“Fëmijët tanë vdiqën më 16 mars. Nuk po kërkojmë mëshirë, po ju kërkojmë të bashkoheni me ne në luftën për drejtësi, sepse fëmijët tanë e meritojnë. Më 15 nëntor, ne po marshojmë në Shkup për të vërtetën. Do të fillojmë nga Sheshi drejt Parlamentit dhe Gjykatës Themelore Penale. Dhimbja është e jona, por lufta është për të gjithë ne, kemi nevojë për mbështetjen tuaj, njerëz”, thonë prindërit në videomesazh.
Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 63 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë. Prokuroria ka ngritur akuza kundër 34 personave të cilët, nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve të tyre brenda sistemit, shkaktuan katastrofën. Aktakuza përfshin gjithashtu tre kompanitë e pronarit të diskotekës, i cili është i pandehuri kryesor.
