Projektligj i ri për të dhënat e hapura në RMV: transparencë apo kufizime të reja?

Ministria e Transformimit Digjital ka përgatitur një Projektligj për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e të dhënave nga sektori publik, i cili siç paralajmërojnë shoqatat mediatike, në vend që të rrisë transparencën ngre dyshime për kufizimin e mëtejshëm të qasjes në informacion, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk. Me këtë projektligj prezantohet një […]

Projektligj i ri për të dhënat e hapura në RMV: transparencë apo kufizime të reja?
Agjencia për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik. Foto nga Meta.mk

Ministria e Transformimit Digjital ka përgatitur një Projektligj për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e të dhënave nga sektori publik, i cili siç paralajmërojnë shoqatat mediatike, në vend që të rrisë transparencën ngre dyshime për kufizimin e mëtejshëm të qasjes në informacion, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Me këtë projektligj prezantohet një rregull i ri: kushdo që dëshiron t’i ripërdorë të dhënat publike për të krijuar përmbajtje, në raste të caktuara do të duhet të kërkojë leje nga institucioni që i zotëron ato.

Ministria këtë gjë e paraqet si një lehtësim të qasjes, por ekspertët mediatik me të cilët ne biseduam janë të mendimit se në vend të një niveli më të madh të hapjes ky ligj mund të sjellë pengesa të reja, sidomos për gazetarët që punojnë me të dhëna shtetërore në bazë ditore.

“Përveç kufizimit të qasjes në informacion me karakter publik, projektligji mund të krijojë edhe paqartësi që do t’i dekurajojnë gazetarët nga përdorimi i të dhënave”, tha Dragan Sekullovski, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.

“Nëse boshllëqet e tilla mbeten në ligj, atëherë janë të mundshme interpretime të ndryshme nga institucionet, kështu që çdo kërkesë për informacion në vend se me një rrugë të qartë dhe të parashikueshme drejt dokumenteve me interes publik do të ngjasojë me një rrugë me pengesa”, tha Sekullovski.

Transparencë me vulë

Draft-teksti parasheh që nëse një media ose kompani dëshiron të përdorë të dhëna nga sektori publik për të krijuar informacion, përmbajtje, aplikacione ose shërbime të reja, edhe në qoftë se bëhet fjalë për “të dhëna të hapura” në raste të caktuara ata do të duhet të kërkojë një leje të veçantë.

“Kërkesat do të zbatohen vetëm për të dhënat që nuk janë të hapura, d.m.th. nuk janë publikuar në portalin e institucionit”, thanë nga Ministria e Transformimit Digjital.

Për shembull, sipas Projekt-ligjit, nëse një IT kompani që zhvillon një aplikacion orari, një gazetar që bën vizualizim të të dhënave statistikore ose një startup që përdor informacion gjeografik, do të duhet të kërkojë leje nga ministria, komuna ose agjencia shtetërore për t’i përdorur ato të dhëna.

Sipas projekt-ligjit institucionet do të emërojnë një “zyrtar të të dhënave të hapura” i cili çdo kërkese duhet t’i përgjigjet brenda një afati prej 20 ditësh.

Sipas përgjigjes nga Ministria e Transformimit Digjital kjo kërkesë mund të refuzohet nëse të dhënat nuk përfshihen me ligjin ose janë lëndë e një marrëveshjeje ekskluzive, pra nëse qasja e tyre është e kufizuar për shkak të mbrojtjes së informacionit konfidencial, autorial ose të ndjeshëm.

Kjo iniciativë është për shkak të detyrimeve të Ministrisë për t’u harmonizuar me Direktivën e BE-së 2019/1024, ndërsa siç është deklaruar nga institucioni, qëllimi është që projekt-ligji të krijojë mekanizma që do ta lehtësojnë ndjeshëm qasjen në të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e të dhënave nga sektori publik.

“Direktiva jep udhëzime që shumica e të dhënave të jenë plotësisht të disponueshme për ripërdorim dhe për të marrë një vlerësim pozitiv nga KE-ja vendi ynë duhet të ofrojë mekanizma për ta përfshirë këtë drejtim në legjislacionin kombëtar. Kjo do të thotë që për të dhënat nga sektori publik që tashmë janë publikuar nuk do të ketë nevojë të kërkohet leje për ripërdorimin e tyre”, thonë nga ministria.

Në vend të transparencës, pengesa të reja?

Por sipas Misha Popoviq nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis”, teksti krijon paqartësi dhe hapësirë ​​për interpretime të ndryshme nga institucionet.

Ai paralajmëron se qasja e propozuar me prezantimin e një procesi për miratimin e kërkesave për ripërdorimin e të dhënave nuk është në përputhje me standardet evropiane.

“Sipas meje një proces i tillë në direktivën e BE-së nuk ekziston, por ekziston një proces për të kërkuar hapjen e të dhënave të reja – domethënë të dhënave që më parë nuk kanë qenë të qasshme. Ndoshta qëllimi i Ministrisë ishte i njëjtë, e bëhet fjalë për transponim të dobët të dispozitave. Në një pjesë tjetër në tekst, arsyet për refuzimin e kërkesës tuaj lidhen pikërisht me gjendjen ku të dhëna të tilla nuk ekzistojnë, ose nuk janë të lira për përdorim, ose lidhen me marrëveshje ekskluzive”, thotë Popoviq.

Ai e thekson edhe një kontradiktë në tekstin e ligjit: në një vend thuhet se promovohen parimet e hapjes, ndërsa në një tjetër prezantohen mekanizma që e kufizojnë përdorimin e të dhënave me leje dhe procedura administrative.

“Të dhëna të hapura do të thotë se ato janë të lira për t’u përdorur (përdorimi i licencave që e promovojnë ripërdorimin) dhe nuk i nënshtrohen proceseve shtesë të kërkesave për ripërdorim, nëse ato tashmë janë të disponueshme online për përdorim”, thotë ai.

Nga Ministria thonë se do të ketë situata të definuara qartë në të cilat përdorimi i të dhënave publike mund të refuzohet ose kufizohet – siç është mbrojtja e informacionit personal dhe konfidencial, ose të dhënave në të cilat qasja është tashmë e kufizuar me ligje të tjera.

Transparenca “me lugë” nuk është standard evropian

Aleksandra Temenugova nga Instituti për Studime të Komunikimit thotë se nëse Projek-ligji i referohet vërtet Direktivës së BE-së për të Dhënat e Hapura dhe Ripërdorimin e Informacionit nga Sektori Publik, atëherë ai duhet t’i ndjekë edhe qëllimet e tij – hapje më të madhe, interoperabilitet, baza të të dhënave dhe regjistra publikë që do jenë në dobi të institucioneve, biznesit, medias dhe qytetarëve.

“Të qenurit i hapur nuk duhet të nënkuptojë transparencë ‘me lugë’. Institucionet duhet të publikojnë të dhëna në mënyrë proaktive, të qartë, të kuptueshme dhe pa pengesa të panevojshme. Nëse ekziston rreziku i zbulimit të të dhënave të ndjeshme, kjo duhet të definohet në mënyrë të qartë dhe të mos përdoret si justifikim për llogaridhënie të dozuar”, shton Temenugova.

Ajo i thekson absurditetet që do të rezultonin nga një politikë e tillë: “Nuk mund ta kufizoni qasjen në të dhënat për transportin publik në kohë reale, e t’i leni qytetarët pa informacion nëse autobusi që e presin po vonon.”

Sipas saj zgjidhjet tashmë ekzistojnë: “Ne nuk jemi vendi i parë që po përballet me këto sfida, mjafton t’i ndjekim zgjidhjet pozitive nga zbatimi i këtyre ligjeve në vendet e tjera”, thotë Temenugova.

Ku përfundon hapja, përjashtimet nga ligjet

Nga Ministria shpjegojnë se kërkesat për përdorimin e të dhënave mund të refuzohen nëse të dhënat nuk janë të përfshira me Ligjin për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik, ose nëse qasja në të dhënat është e kufizuar me ligj.

Mund të ketë kufizime edhe nëse të dhënat i përkasin shërbimit radiodifuziv publik, korrespondentëve të tij dhe institucioneve përgjegjëse për mundësimin e transmetimit të shërbimit radiodifuziv publik.

Kufizime mund të ketë edhe nëse të dhënat krijohen nga institucione kulturore me përjashtim të bibliotekave, muzeve dhe arkivave;

Nëse të dhënat për të cilat nuk lejohet qasja ose qasja është e kufizuar në përputhje me rregulloret për mbrojtjen e të dhënave personale;

Nëse të dhënat përbëjnë konfidencialitet statistikor ose konfidencialitet tregtar (si sekretet afariste, profesionale dhe tregtare);

Nëse të dhënat janë krijuar nga persona juridikë dhe fizikë që ushtrojnë autorit publik jashtë fushëveprimit të ofrimit të shërbimeve me interes publik të përcaktuara me ligj dhe të dhëna që lidhen me aktivitete që janë të ekspozuara drejtpërdrejt ndaj konkurrencës të ndërmarrjes publike (ose aktivitete që do ta ekspozonin drejtpërdrejt ndërmarrjen publike ndaj veprimeve konkurruese);

Dhe të dhënat për të cilat nuk lejohet qasja ose qasja është e kufizuar për shkak të mbrojtjes nga ndërprerja ose shkatërrimi i instalimeve të infrastrukturës kritike të ndjeshme.