Protesta e katërt në Gjenevë: Diaspora shqiptare mobilizohet kundër shitjes së Shqipërisë

Protesta e katërt në Gjenevë: Diaspora shqiptare mobilizohet kundër shitjes së Shqipërisë
Diaspora shqiptare zhvilloi të mërkurën e kaluar protestën e katërt me radhë në Sheshin e Kombeve në Gjenevë, duke përsëritur thirrjen “Shqipëria nuk është në shitje”. Aktivistët kërkuan më shumë transparencë nga institucione, duke theksuar mbrojtjen e pasurive natyrore dhe interesit publik të vendit.
Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, pjesëmarrësit u ngritën kundër shitjes së tokave të mbrojtura dhe vendimeve që prekin të ardhmen e brezave të rinj. Organizatorët theksuan se kauza nuk është kundër Shqipërisë, por një thirrje për të mbrojtur atë nga interesat e jashtme.
Vale Stasa, organizatore e protestës, foli për rritjen e mobilizimit të diasporës nga një protestë në tjetrën. “Çdo protestë sjell njerëz të rinj. Nuk është e lehtë të mobilizosh diasporën, por kur bëhet fjalë për Shqipërinë, shohim se gjithnjë e më shumë shqiptarë po kuptojnë se distanca nuk na përjashton nga përgjegjësia”, tha ajo për Albinfo.ch.
Sipas saj, suksesi i këtij lëvizje nuk matet vetëm me numra, por me rritjen e ndërgjegjësimit. “Çdo zë që bashkohet është një fitore. Presim që institucione të dëgjojnë zërin e qytetarëve, sepse një demokraci e fortë ndërtohet duke dëgjuar, jo duke i injoruar ata”, shtoi Vale Stasa.
Politologja Dorina Xhixho e cilësoi mobilizimin e diasporës si të jashtëzakonshëm, duke theksuar se protestat po zgjerohen në vende të ndryshme të botës. “Po protestohet në të gjithë botën, kudo ku ka shqiptarë. Kjo tregon se diaspora mbetet gjithmonë me zemër në Shqipëri dhe përgjigjet sa herë që mëmëdheu ka nevojë”, tha ajo.
Sipas saj, mobilizimi do të vazhdojë derisa institucione të përmbushin kërkesat e qytetarëve. “Jemi të organizuar edhe për të siguruar pjesëmarrje në protestat në Tiranë. Qytetarët presin që sovrani të dëgjohet dhe veprohet në interes të vendit”, theksoi Dorina Xhixho.
Vlora Rashiti, një tjetër aktiviste, theksoi rëndësinë e vazhdimësisë së angazhimit qytetar. “Çdo zë që ngrihet për Shqipërinë ka vlerë. Kjo kauzë kërkon kohë, këmbëngulje dhe zemër. Ne do të vazhdojmë të jemi këtu, sepse kur bëhet fjalë për vendin tonë, nuk dorëzohemi”, tha ajo.
Ajo bëri thirrje shqiptarëve të gjitha vendeve të bashkohen, duke theksuar se Shqipëria është e të gjithëve. “Nuk ka rëndësi nëse je në Gjenevë, Londër, Nju Jork apo Tiranë. Kur bëhet fjalë për vendin tonë, zëri i secilit ka vlerë. Edhe nëse nuk mund të vini në protestë, informohuni, flisni dhe mos qëndroni indiferentë”, u shpreh Vlora Rashiti.
Sipas organizatorëve, protestat do të vazhdojnë edhe në qytete të tjera të Zvicrës dhe jashtë saj, duke mbajtur gjallë debatin për mbrojtjen e pasurive natyrore, transparencën dhe të ardhmen e Shqipërisë. Aktivitetet e radhës do të njoftohen në ditët në vijim.
Me pak fjalë
Diaspora shqiptare zhvilloi protestën e katërt në Gjenevë, duke kërkuar transparencë dhe mbrojtje të pasurive natyrore të Shqipërisë. Aktivistët theksuan se kauza nuk është kundër vendit, por një thirrje për të mbrojtur atë nga interesat e jashtme. Mobilizimi po rritet, ndërsa institucioneve u kërkohet të dëgjojnë zërin e qytetarëve.
Personat e përmendur
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



