Punonjësit në “Parqe dhe Gjelbërim”, “Florakom” dhe “Luna” sërish në protesta, kërkuan pagesën e rrogave të shtatorit

Punonjësit e Ndërmarrjes Publike “Parqe dhe Gjelbërim” dhe kompanive të saj “Florakom” dhe “Luna” kanë protestuar për ditën e dytë për shkak të pagave të papaguara të shtatorit. Ata shprehin pakënaqësinë e tyre duke bllokuar të dy hyrjet e ndërmarrjes, çdo ditë nga ora 9 deri në orën 11, transmeton Portalb.mk. Stojançe Kashikovski, kryetar i […]

Punonjësit në “Parqe dhe Gjelbërim”, “Florakom” dhe “Luna” sërish në protesta, kërkuan pagesën e rrogave të shtatorit
Punonjësit e Florakom dhe Luna Shkup në protestë për pagat e papaguara. Foto: LSM

Punonjësit e Ndërmarrjes Publike “Parqe dhe Gjelbërim” dhe kompanive të saj “Florakom” dhe “Luna” kanë protestuar për ditën e dytë për shkak të pagave të papaguara të shtatorit. Ata shprehin pakënaqësinë e tyre duke bllokuar të dy hyrjet e ndërmarrjes, çdo ditë nga ora 9 deri në orën 11, transmeton Portalb.mk.

Stojançe Kashikovski, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve në Hoteleri, Turizëm, Shërbime, Strehim, Zejtari, SUTKOZ, deklaroi se si sindikata e vetme përfaqësuese dhe me organizatën sindikale të “Parqeve dhe Gjelbërimit”,  janë përpjekur të kontaktojnë me menaxhmentin e ndërmarrjes në disa raste.

“Për fat të keq, nuk morëm përgjigje nga pala tjetër. Nëse paga e shtatorit nuk paguhet sot, për të cilën ka një afat ligjor deri më 15 tetor, punonjësit do të vazhdojnë të shprehin pakënaqësinë e tyre duke bllokuar të dy hyrjet e ndërmarrjes deri të premten nga ora 9 deri në orën 11”, tha ai.

Sipas tij, nëse paga nuk paguhet deri të premten, punonjësit janë të gatshëm të radikalizojnë protestat e tyre duke bllokuar bulevardet dhe udhëkryqet në Qytetin e Shkupit.

Ai njoftoi se të premten punonjësit e këtyre tre kompanive, së bashku me Sindikatën SUTKOZ, do të marrin vendim për rrjedhën e mëtejshme të protestave për shkak të pagës së papaguar të shtatorit dhe për shkak të shpërblimeve jubilare të papaguara, regresin vjetor dhe shtesave të tjera të pagave.

“Financimi aktual i ‘Parqeve dhe Gjelbërimit’ është i paqëndrueshëm. Presim që udhëheqësia e re e Qytetit të Shkupit, menjëherë pas zgjedhjeve, të mbajë takim në të cilin do të paraqesim mendimet tona, të nxjerra nga përvoja e financimit të ndërmarrjeve të tilla dhe të ngjashme në rajon”, tha ai.

Aktiviteti kryesor i “Parqeve dhe Gjelbërimit” përbëhet nga dy pjesë. Njëra është krijimi i gjelbërimit të ri, dhe tjetra është mirëmbajtja e gjelbërimit publik ekzistues në territorin e Qytetit të Shkupit.

Si shembull, ai deklaroi se në vitin 2022, punëtorët nga “Parqet dhe Gjelbërimi” punuan në mirëmbajtjen e gjelbërimit publik në shumën prej 383 milionë denarësh, por përmes faturave të ujit, ku ngarkohet ajo tarifë për mirëmbajtjen e gjelbërimit publik, u mblodhën rreth 240 milionë denarë. Ka mungesë të asaj që është bërë dhe asaj që kanë ofruar si shërbim, ndërsa nuk arritën të mbledhin rreth 140 milionë denarë.

“Ne mendojmë se është e mundur të gjejmë një mënyrë të re financimi”, thotë ai.

Në fillim të muajit, punonjësit në Florakom dhe Luna, të cilat janë degë të Parqeve dhe Gjelbërimit, protestuan për disa ditë për pagat e papaguara të gushtit. Punonjësit e ‘Florakom’ dhe ‘Luna’ gjithashtu kanë protestuar pothuajse gjatë gjithë verës për shkak të pagesës së parregullt të pagave.