Refuzimi i Kurtit për të dëshmuar në Prokurori, Ambasada Amerikane: Të gjendet zgjidhje që ruan integritetin e institucioneve
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka folur lidhur me rastin e refuzimit të kryeministrit Albin Kurti për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës për rastin e rezervave shtetërore kanë thënë se palët duhet të gjejnë një zgjidhje të përshtatshme që ruan integritetin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka folur lidhur me rastin e refuzimit të kryeministrit Albin Kurti për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës për rastin e rezervave shtetërore kanë thënë se palët duhet të gjejnë një zgjidhje të përshtatshme që ruan integritetin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka më shumë se dy muaj që refuzon ftesën e Prokurorisë Speciale për t’u paraqitur para prokurorëve në cilësinë e dëshmitarit për rastin e rezervave shtetërore. Kreu i Qeverisë dhe LVV-së s’ka përfillur as urdhrin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për t’u paraqitur në Prokurori dhe ka insistuar në vazhdimësi se duhet të intervistohet ne zyrën e tij në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.
Lidhur me këtë shpërfillje të Kurtit ndaj institucioneve të drejtësisë një përgjigje për Gazetën Express kanë folur nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë. Ambasada amerikane ka kërkuar nga palët e përfshira në këtë rast që të gjejnë një zgjidhje të përshtatshme që ruan integritetin e institucioneve të Kosovës.
“Ne kemi besim në demokracinë e Kosovës dhe kërkojmë nga palët që të gjejnë një zgjidhje të përshtatshme që ruan integritetin e institucioneve të Kosovës”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së.
Ftesa nga Prokuroria fillimisht i kishte shkuar Kurtit në dhjetor të vitit të kaluar. Kjo nga Qeveria ishte interpretuar edhe si ndërhyrje në zgjedhje, meqë Kosova me 9 shkurt do të mbante zgjedhjet e përgjithshme.
“Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor, i cili ia kishte pamundësuar [Kurtit] kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit, 2021, kurse tash, përmes kësaj ftese, po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2025”, kishte shkruar zëdhënësi i Qeverisë, Perparim Kryeziu.