Rrugët e lëna në baltë në Llojan, banorët kërkojnë zgjidhje urgjente

Banorët e fshatit Llojan, të Komunës së Likovës, ankohen për gjendjen e keqe të rrugëve të lëna në baltë, pa asfalt apo begatona, të cilat u shkaktojnë vështirësi në lëvizje, sidomos gjatë reshjeve të shiut. Ata kërkojnë nga pushteti lokal të ndërmarrë masa urgjente për rregullimin e infrastrukturës rrugore, nga ana tjetër komuna hesht ndaj […]

Rrugët e lëna në baltë në Llojan, banorët kërkojnë zgjidhje urgjente
Rrugët në fshatin Llojan, Komuna e Likovës. Foto nga Portalb.mk

Banorët e fshatit Llojan, të Komunës së Likovës, ankohen për gjendjen e keqe të rrugëve të lëna në baltë, pa asfalt apo begatona, të cilat u shkaktojnë vështirësi në lëvizje, sidomos gjatë reshjeve të shiut. Ata kërkojnë nga pushteti lokal të ndërmarrë masa urgjente për rregullimin e infrastrukturës rrugore, nga ana tjetër komuna hesht ndaj këtij problemi, shkruan Portalb.mk.

Banorët e fshatit Llojan, të Komunës së Likovë, përmes një postimi në faqen zyrtare të fshatit në Facebook, shprehën shqetësimin për gjendjen e keqe të rrugës, e cila është me gropa, dhe sa herë që bie shi gropat mbushen me ujë duke e bërë të vështirë lëvizjen për ta. Ata kërkuan nga komuna ndërhyrje të menjëhershme për rregullimin e rrugës. 

Portalb.mk vizitoi fshatin Llojan dhe bisedoi nga afër me banorët, ku pamë se rrugët ishin të lëna në baltë.

“Është turp që në vitin 2025 të ecim ende nëpër baltë. Kjo rrugë ka qëndruar me gropa dhe baltë për dekada, dhe deri tani asnjë punë nuk është bërë nga komuna,” tha një banor. 

“Kjo është katastrofë. Tani jemi në kohë vjeshte dhe dimër, dhe dihet se do të ketë shi ose borë. Oborret i kemi të rregulluara, por kur dalim në rrugë, është krejt baltë,” tha një banor tjetër. 

“S’kam koment, në këtë shtet na ka mallkuar zoti, asnjë punë në fshatin tonë nuk është bërë siç duhet. Ju kujtohet vetëm kur afrohen zgjedhjet, sa për sy e faqe, dhe pastaj harrohet gjithçka,” tha një banor. 

Pyetëm Komunën e Likovës, se pse ende nuk kanë intervenuar në rrugët në fshatin Llojan, si dhe a ka ndonjë plan, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm asnjë përgjigje.

Nga ana tjetër, muajin shtator banorët e fshatit Ropalcë, të Komunës së Likovës, u ankuan për gjendjen e keqe të rrugëve.

Kujtojmë se, pak para zgjedhjeve Komuna e Likovës nisi rikonstruksionin e rrugëve, ku në disa lagje u realizua shtrimi me pllaka betoni, ndërsa në disa të tjera punimet vazhduan. 

Pavarësisht premtimeve nga Komuna e Likovës, në disa fshatra ende ka rrugë të lëna në harresë, ku banorët përballen çdo ditë me baltën dhe vështirësitë e lëvizjes.