Rubio: Serbia e përfshirë në çështje potencialisht problematike dhe shpërthyese

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Serbia është e përfshirë në çështje “potencialisht problematike dhe shpërthyese”, të cilat kanë tërhequr vëmendjen ndërkombëtare.
Rubio i bëri këto deklarata më 23 shtator në Nju Jork, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë. Ai nuk specifikoi se cilave çështje u referohej.“Është e qartë se Serbia është e përfshirë në çështje të caktuara që janë potencialisht problematike dhe shpërthyese dhe që tërheqin vëmendjen ndërkombëtare”, tha Rubio.
Pavarësisht kësaj, kryediplomati amerikan tha se Uashingtoni synon të thellojë partneritetin strategjik me Beogradin.
“Është një partneritet strategjik që duam ta thellojmë dhe synojmë ta bëjmë këtë, ndërkohë që menaxhojmë disa nga çështjet potenciale që mund të shfaqen”, deklaroi Rubio.Ai bëri të ditur se zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit dhe agjencive të tjera qeveritare tashmë kanë vizituar Serbinë.
Rubio shprehu gjithashtu gatishmërinë që edhe vetë ta vizitojë këtë shtet.
“Shpresoj që edhe unë të kem mundësinë ta vizitoj”, tha ai.Deklaratat e Rubios vijnë në kohën kur Uashingtoni dhe Beogradi po zhvillojnë dialogun strategjik. Në korrik, SHBA-ja dhe Serbia nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi për infrastrukturën energjetike dhe sigurinë energjetike rajonale.
Ndërkohë, në gusht, ligjvënës republikanë dhe demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve paraqitën një projektligj lidhur me Serbinë.
Në të ngrihen shqetësime për gjendjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit, si dhe për marrëdhëniet e Beogradit me Rusinë, Kinën dhe Iranin.Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por prej vitesh nuk ka hapur kapituj të rinj negociues. Ndër çështjet që kanë ndikuar në proces janë sundimi i ligjit dhe mospërputhja e plotë e politikës së jashtme të Beogradit me atë të BE-së.
Serbia, ndër të tjera, nuk u është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.
Rubio, megjithatë, nuk sqaroi nëse këto çështje apo zhvillime të tjera në rajon ishin ato që kishte parasysh kur foli për çështje “potencialisht problematike dhe shpërthyese”.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



