Samiti i Ballkanit Perëndimor në Londër, Mickoski: Investim 150 milionë dollarë në industrinë ushtarake në RMV
Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili kryeson delegacionin qeveritar në Londër në Samitin e Ballkanit Perëndimor – Procesi i Berlinit, njoftoi këtë pasdite se kishte nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me kompaninë amerikano-britanike “Burstock”, e cila do të investojë në industrinë ushtarake në Maqedoni, transmeton Portalb.mk. “Sot nënshkruam memorandum mirëkuptimi me kompaninë amerikano-britanike “Burstock”, e cila do të […]


Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili kryeson delegacionin qeveritar në Londër në Samitin e Ballkanit Perëndimor – Procesi i Berlinit, njoftoi këtë pasdite se kishte nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me kompaninë amerikano-britanike “Burstock”, e cila do të investojë në industrinë ushtarake në Maqedoni, transmeton Portalb.mk.
“Sot nënshkruam memorandum mirëkuptimi me kompaninë amerikano-britanike “Burstock”, e cila do të investojë deri në 150 milionë dollarë në industrinë ushtarake në Maqedoni, do të kemi 1,000 vende të reja pune me paga të larta dhe ky është vetëm fillimi”, njoftoi Mickoski në Facebook.
Ai shtoi se presin që investimet në industrinë ushtarake të arrijnë më shumë se 1 miliard dollarë.
“Burstock” ka shumë vite përvojë në fushat e mbrojtjes, diplomacisë, sigurisë dhe inteligjencës, trajnimit, shërbimeve të konsulencës dhe menaxhimit të projekteve, si dhe specializim në sektorët komercialë detarë dhe të aviacionit”, shtoi Mickoski në njoftim.
Ministri Murtezani takoi ministrin Britanik për Evropën, Doti
Ministri për Çështje Evropiane i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, sot në Londër mbajti takim bilateral me Ministrin e Shtetit për Evropën, Amerikën e Veriut dhe Territoret të Mbretërisë së Bashkuar, Stiven Doti, në margjinat e Konferencës në nivel të lartë për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit. Takimi ishte mundësi për riafirmimin e mbështetjes së vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i jep Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në kuadër të partneritetit strategjik mes dy vendeve.
Ministrat Murtezani dhe Doti shkëmbyen mendime lidhur me zhvillimet më aktuale politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe rëndësinë e Procesit të Berlinit si kornizë kyçe politike dhe zhvillimore që për më shumë se një dekadë ka kontribuar në përforcimin e bashkëpunimit rajonal, lidhjes ekonomike dhe përputhshmërisë me standardet evropiane. Ministri Murtezani theksoi rëndësinë e kësaj nisme si mekanizëm që mundëson projekte konkrete në fushat e infrastrukturës, tranzicionit energjetik, agjendës së gjelbër, lidhjes digjitale dhe kohezionit social, duke theksuar se Maqedonia e Veriut fuqishëm mbetet e përkushtuar në qëllimet e saja në Procesin e Berlinit dhe të ardhmes evropiane të të gjithë rajonit.
Theksi i veçantë gjatë bisedës u vendos në bashkëpunimin bilateral për zhvillim, i cili paraqet një nga shtyllat më të rëndësishme të partneritetit strategjik midis Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ministri Murtezani shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme britanike, e cila gjatë dekadës së fundit ka rezultuar në zbatimin e me shumë se 160 projekteve të financuara nga buxheti britanik në fusha të ndryshme: nga qeverisja e mirë, administrata publike dhe sundimi i së drejtës, deri te promovimi i multikulturalizmit dhe gjithëpërfshirjes. Njëkohësisht, u theksua bashkëpunimi i suksesshëm në kuadër të TWINNING projekteve me partnerët britanikë në fushat e reformës policore, kontrollit të ndihmës shtetërore dhe përforcimit të kapaciteteve institucionale për barazi dhe përfaqësim të drejtë. Ministri theksoi se mbështetja britanike në kohë krize, si gjatë krizës së migrantëve dhe pandemisë COVID-19, është dëshmi e miqësisë dhe partneritetit të qëndrueshëm midis dy vendeve.
Ministri i shtetit Doti riafirmoi përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit më të gjerë, duke theksuar se edhe pas daljes nga Unioni, MB mbetet mbështetëse e fuqishme e integrimit evropian të Ballkanin Perëndimor. Në këtë kontekst, ai përshëndeti dinamikën e proceseve reformuese në vend dhe konfirmoi gatishmërinë për zgjerimin e mëtejshëm të partneritetit, veçanërisht në fushat e infrastrukturës, sigurisë energjetike dhe transformimit digjital
Murtezani dhe Doti konstatuan se partneriteti i vendosur strategjik paraqet kapitull të ri në marrëdhëniet bilaterale, i cili do të mundësojë thellimin e mëtejshëm të dialogut politik, projekteve të përbashkëta dhe aktiviteteve të koordinuara brenda NATO-s, Procesit të Berlinit dhe nismave të integrimit evropian.
Nikolloski në një takim me UKEF në Londër: Maqedonia, me mbështetjen e Britanisë, po lançon projektin më të rëndësishëm rajonal të hekurudhës me shpejtësi të lartë në Korridorin 10
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski, në kuadër të vizitës së tij të punës në Mbretërinë e Bashkuar, u takua sot me përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Financimit të Eksportit – UKEF.
Në takim u diskutua mbështetja që UKEF u ofron vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushat e burimeve të energjisë së rinovueshme, transportit dhe kujdesit shëndetësor.
Në takim, Zëvendëskryeministri Nikolloski theksoi planet strategjike kombëtare të Maqedonisë për zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës, me theks të veçantë në lidhjen rajonale të rrjetit rrugor dhe hekurudhor, si dhe politikat e tranzicionit të gjelbër.
Ai theksoi ndërtimin e hekurudhës me shpejtësi të lartë si një projekt me rëndësi kombëtare dhe rajonale që po zbatohet me mbështetjen e madhe të Mbretërisë së Bashkuar përmes mbështetjes financiare, si dhe transferimit të njohurive dhe praktikave të ekspertëve.
“Maqedonia është një shembull se si bashkëpunimi me UKEF ndikon në zhvillimin ekonomik rajonal”, theksoi Nikolloski në takim, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar është një partner strategjik i Maqedonisë në zhvillimin e vendit dhe në atë kontekst bashkëpunimi synon mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe social.
Gjithashtu u shkëmbyen informacione mbi bashkëpunimin midis Maqedonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me mbështetjen që ofron kjo Agjenci në kuadër të politikave të saj shtetërore.
Përveç zëvendëskryeministrit Nikolloski, në takim morën pjesë edhe ministrat e linjës nga Serbia, Mali i Zi, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria.
Samiti i 12-të i Ballkanit Perëndimor mbahet sot në Londër, si pjesë e Procesit të Berlinit, i cili bashkon udhëheqësit e vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian me qëllim forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe infrastrukturor dhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit PerëndimorSamiti është organizuar nga kryeministri britanik Keir Starmer, dhe pjesëmarrësit përfshijnë kryeministrat e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, të Serbisë, Gjuro Macut, të Kosovës, Albin Kurti, të Malit të Zi, Milojko Spajiq, të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentin e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Krshto.
Në Samit marrin pjesë edhe përfaqësues nga Gjermania, Franca dhe anëtarë të tjerë të Bashkimit Evropian.
Sipas një deklarate nga Ministria e Jashtme Britanike, udhëheqësit do të diskutojnë stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon, si dhe luftën kundër migracionit të paligjshëm.
Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian janë takuar 11 herë deri më tani – katër herë në Berlin dhe nga një herë në Londër, Vjenë, Paris, Trieste, Poznan, Sofje dhe Tiranë.
Të gjitha vendet e rajonit do të ftohen të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme dhe përfundimtare për mosmarrëveshjet dhe çështjet dypalëshe të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës.
Takimet BE-Ballkani Perëndimor kanë qenë periodike në dy dekadat e fundit.
Procesi i Berlinit u krijua në vitin 2014 si një platformë për të rritur bashkëpunimin midis Gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve pritëse të Procesit të Berlinit, si dhe BE-së. Para së gjithash, është një format i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës për të gjitha 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
Përfaqësues të lartë zyrtarë të Gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB6) dhe kolegët e tyre në vendet pritëse të Procesit të Berlinit takohen të paktën një herë në vit në Samit dhe në takimet përgatitore ministrore. Procesi përfshin gjithashtu institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile, të rinjtë dhe bizneset e rajonit. Ai ofron mbështetje politike të nivelit të lartë dhe shtrirje dhe dukshmëri të gjerë për iniciativat e bashkëpunimit rajonal dhe politikat përkatëse, si dhe për projektet e lidhshmërisë së BE-së në rajon.
Gjatë viteve, Procesi i Berlinit ka evoluar vazhdimisht dhe aktualisht përbëhet nga vetë Samiti, Takimet Ministrore (të Jashtme, të Brendshme, Ekonomike, Rome) dhe ngjarje të shumta anësore (Samiti Digjital, Forumi i Biznesit, Forumi Rinor, Forumi i Shoqërisë Civile, Forumi Gjinor, Konferenca e Shkencës, Iniciativa e Blerjes e Biznesit Gjerman dhe Forumi i Politikave Bujqësore). Këto ngjarje zakonisht shpërndahen gjatë muajve në prag të samitit kryesor.