Të gjithë e duan postin e kryeministrit/ Pak mundësi për kompromis, më të mundshme zgjedhjet
Një muaj pas përfundimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë, liderët e subjekteve politike parlamentare kanë qartësuar pozicionet e tyre në lidhje me formimin e Qeverisë së Kosovës. Lëvizja ‘’Vetëvendosje’, ndonëse subjekti më i madh politik në vend me 48 vende të fituara në Kuvendin e Kosovës, po mbetet si opsioni më i padëshiruar

Një muaj pas përfundimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë, liderët e subjekteve politike parlamentare kanë qartësuar pozicionet e tyre në lidhje me formimin e Qeverisë së Kosovës.
Lëvizja ‘’Vetëvendosje’, ndonëse subjekti më i madh politik në vend me 48 vende të fituara në Kuvendin e Kosovës, po mbetet si opsioni më i padëshiruar për koalicion nga partitë opozitare.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, subjekt politik ky me 24 mandate të fituara në Kuvend, të hënën në mbrëmje deklaroi se nuk preferojnë një koalicion me LVV-në e Albin Kurtit. Njëjtë deklaroi po të njëjtën ditë edhe Lumir Abdixhiku nga LDK-ja, subjekt ky politik me 20 mandate të fituara në Kuvend. Koalicion me Kurtin nuk ka preferuar as Ramush Haradinaj nga AAK-ja.
Ndonëse ende rezultatet e fundit zgjedhore nuk janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nuk dihet nëse Kurti do ta formojë Qeverinë e re, apo këtë do ta bëjnë partitë politike opozitare. Në të kundërtën vendi do të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
Deputeti i VV-së: Abdixhiku kryeministër, kërkesë absurde
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi,në një deklaratë për FrontOnline ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj pretendimeve të Lidhjes Demokratike të Kosovës për postin e kryeministrit, duke i cilësuar ato të pabaza.
Sipas Thaçit, është e paarsyeshme që një subjekt politik që ka dalë i treti në zgjedhjet nacionale të synojë drejtimin e Qeverisë.
‘’Për mua personalisht është absurd të kërkohet pozita e kryeministrit nga një subjekt i cili doli I treti në garën e zgjedhjeve nacionale’’, tha për FrontOnline deputeti i VV-së.
Ai thotë se qytetarët e Kosovës e kanë shprehur qartë vullnetin e tyre në zgjedhjet e fundit, duke i dhënë mbështetje të madhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas tij as Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe as Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk kanë arritur ndonjëherë suksesin që LVV-ja siguroi në këto zgjedhje.
‘’Qeveria i takon atij të cilit i kanë besuar qytetarët. E qytetarët i kanë besuar LVV-së , as PDK e as LDK asnjëherë nuk kanë arritur këtë sukses që e ka arritur LVV gjatë këtyre zgjedhjeve’’, thotë Thaçi.
Elmi Reqiça: Nëse Albin Kurti nuk e bënë Qeverinë, e bënë opozita me Bedri Hamzën kryeministër
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, ka komentuar mundësinë e formimit të Qeverisë, duke theksuar se, sipas Kushtetutës dhe ligjit, formimi i qeverisë i takon fituesit të zgjedhjeve, që duhet të sigurojë shumicën prej 61 deputetëve për të konstituuar Qeverinë.
Ai ka shtuar se paraprakisht duhet të konstituohet Kuvendi dhe të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e tij.
‘’Me kushtetutë dhe ligj i takon fituesit që t’i bëj 61 deputetë për të konstituar Qeverinë, paraprakisht duhet të konsituohet kuvendi ,kryetari dhe nënkryetarët e kuvendit ‘’, tha Reqiça për FrontOnline.
Sipas Reçicës, mundësitë për formimin e qeverisë janë të barabarta, si për partinë fituese, ashtu edhe për opozitën, e cila, me shumicën e deputetëve, mund të formojë gjithashtu një Qeveri. Megjithatë, ai ka theksuar se duhet të provojnë të parët ata që kanë fituar zgjedhjet, duke evituar çdo përpjekje për “kontrabandimin” e deputetëve nga partitë e tjera.
‘’Unë mendoj që gjasat për formimin e qeverisë janë të barabarta, si partia që i ka fituar zgjedhjet po ashtu edhe opozita e cila është më e shumtë në numër mund të formojë Qeverinë. Por në radhë të parë duhet të provojë ai I cili ka fituar, nuk do të ishte mirë të mendohej të kontrabandohen deputetet e tjerë’’, tha Reqiça.
Në rast se partia fituese nuk arrin ta formojë qeverinë, ai ka thënë se opozita, me Bedri Hamzën si kryeministër, do të jetë e gatshme të krijojë një qeveri
‘’Nëse partia fituese nuk arrin ta formojë qeverinë, atëherë do ta formojë opozita në krye me Bedri Hamzën kryeministër’’, përfundoi deputeti I PDK-së.
Lahi Brahimaj: AAK-ja në Qeveri me Kurtin, asnjëherë
Lahi Brahimaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka deklaruar se partia e tij nuk do të bëhet pjesë e një qeverie të udhëhequr nga kryeministri aktual, Albin Kurti.
‘’Sido që të jetë, çfarëdo që të vendoset, AAK-ja nuk do të jetë në Qeveri me Kurtin’’, tha për FrontOnline Brahimaj
Ai theksoi se opozita ka numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë, duke përfshirë bashkëpunimin mes tri subjekteve opozitare dhe deputetëve të minoriteteve, të cilët së bashku mund të sigurojnë mbi 60 vota në Kuvend
Analisti Muhaxhiri: Opozita e Kosovës nuk ka harmonizim dhe nuk mund të krijojë Qeveri pa bashkëpunim
Analisti politik Artan Muhaxhiri ka komentuar situatën aktuale në opozitën e Kosovës, duke theksuar se ajo është e përçarë dhe pa harmonizim të veprimeve.
Sipas tij, opozita nuk ka indicie të një afërsi të qëndrimeve dhe pa bashkëpunim dhe kompromis nuk ka mundësi për krijimin e një Qeverie nga ana e saj.
‘’Për fat të keq opozita e Kosovës duket e çakorduar , nuk ka asnjë harmonimizim të veprimeve , nuk ka indikacione se ka ndonjë përafrim të qëndrimeve ‘’, tha për FrontOnline Muhaxhiri.
Muhaxhiri ka kritikuar qasjen e opozitës për kërkesa maksimaliste, veçanërisht për postin e kryeministrit, duke thënë se kjo i bllokon mundësitë për një marrëveshje të mundshme.
Ai ka sugjeruar që, për të krijuar një qeveri, opozita duhet të ndryshojë qasjen e saj, të jetë më fleksibile dhe të shmangë kërkesat ekstreme, pasi pa kompromis nuk mund të shkohet përpara dhe opozita vetëm do të forcojë pozitat e kryeministrit Albin Kurti.
‘’Nuk është qasje e duhur që kërkesat maksimal të thuhen në fillim, pra posti i kryeministrit të kërkohet nga të gjitha palët, sepse kjo e bllokon idenë e një marrëveshjeje potenciale nëse duan ta krijojnë qeverinë duhet ta ndryshojnë qasjen krejtësisht duhet të jenë më fleksibil sepse me kërkesa maksimaliste nuk mund të ketë hapa përpara por vetëm e fuqizojnë z.Kurtin’’, përfundoi Muhaxhiri