Tetova sërish pa ujë të pijshëm: Reshjet zbulojnë turbullirat në menaxhim

Ashtu si çdo vjeshtë kur ka reshje, ditët e fundit Tetova është përballur përsëri me ndalesa dhe restrikcione të ujit, kjo për shkak të ndotjes dhe turbullimit në disa burime. Ndërsa për shkak të pamundësisë së trajtimit te stacioni i filtrimit në Lisec, u ndal furnizimi me ujë të pijshëm nga Leshnica. Nga Ndërmarrja Publike Komunale për […]

Tetova sërish pa ujë të pijshëm: Reshjet zbulojnë turbullirat në menaxhim
Rezervarët e ujit në Tetovë. Foto: NPK "Sharri"

Ashtu si çdo vjeshtë kur ka reshje, ditët e fundit Tetova është përballur përsëri me ndalesa dhe restrikcione të ujit, kjo për shkak të ndotjes dhe turbullimit në disa burime. Ndërsa për shkak të pamundësisë së trajtimit te stacioni i filtrimit në Lisec, u ndal furnizimi me ujë të pijshëm nga Leshnica. Nga Ndërmarrja Publike Komunale për ujësjellës “Sharri” bëjnë apel që uji të mos përdoret për pije derisa të marrin rezultatet e analizave. Qytetarët janë të revoltuar, shkruan Portalb.mk. 

Në pamundësi për trajtim të ujit në filtrat te stacioni i filtrimit- Lisec, për shkak të normës së lartë të turbullirës si pasojë e reshjeve të fundit, u ndal furnizimi me ujë të pijshëm nga linja e Leshnicës. 

Ndërkaq për shkak të reshjeve të dendura të shiut, në rezervuarët e ujit ka depërtuar ujë i ndotur nga disa burime.

“Ekipet tona janë në terren dhe po punojnë pandërprerë për të garantuar cilësinë dhe sigurinë e ujit që shpërndahet në rrjetin e qytetit”, thanë nga NPK “Sharri”. 

Ndërkaq në një njoftim tjetër mbrëmë vonë ndërmarrja tha se uji do të lëshohet për shkurt kohë, megjithatë i papërshtatshëm për pije. 

“Qytetarët luten që ujin ta përdorin vetëm për nevoja elementare (si higjienë dhe pastrim), derisa të përfundojnë analizat e reja laboratorike”, thanë nga NPK “Sharri”. 

Foto: NPK Sharri
Foto: NPK Sharri

Kjo situatë ka nxitur reagime dhe nervozë te qytetarët.

“Po në cilin vend të botës turbullohet ujti i pijshëm me atë të shiut?! Po në cilin vend të botës vihen gypat mbi tokë?! Hajde bre se nuk konkurojmë me Indinë, por edhe bari nuk hamë. E tepërt”, thotë një qytetare. 

“Nuk është normale kjo punë. Edhe nëse uji nuk është për pije do i njoftoni qytetaret se uji nuk është për pije por shfrytëzohet për punë tjera. Gjatë gjithë muajit tetor ju keni pasur mbi 20 defekte që i bjen mbi 20 ditë pa ujë, kjo nuk është normale e malltretoni popullin,talleni me popullin”, tha një qytetar. 

“Defektet duhet të parandaloni ju që mos të vijë deri te ato, çfarë faji kemi ne, çdo ditë kemi restrikcione, nëse jo ditën, natën me siguri”, thotë një qytetar

“Ne gjithë botën bien gjethe, por ata bazenin e kanë të mbuluar me beton dhe mrezha, këtu te ne në Maqedoni, sidomos në Tetovë krejt është e zbuluar, qentë shkojnë e pshurrin aty, mos e bëftë zoti dikush të hedhë ndonjë helm dhe gjithë Tetova do të helmohen për neglizhencën e NPK”, tha një qytetar.

Portalb.mk kërkoi sqarime nga NPK “Sharri” se përse me vite nuk ka zgjidhje konkrete të përhershme që kur ka reshje mos të ketë ndotje në burime dhe bllokim nga gjethet, pse stacioni i filtrimit nuk mund të trajtojë ujin në filtra kur ka turbullira të mëdha nga shiu, pse nuk investohet në këtë drejtim, a ka zgjidhje konkrete për këtë problem, nëse po, cila është ajo dhe pse nuk është implemetuar deri tani? Nëse është në plan, kur? 

Por deri në publikim të këtij teksti nuk morëm përgjigje. Lajmi do të përditësohet në rast se arrin përgjijge nga NPK “Sharri”.

Kujtojmë se ditë më parë, NPK-ja njoftoi se për shkak të rënieve të gjetheve në këtë stinë të vitit në linjën kryesorë të ujësjellësit në Leshnicës ka rënie të sasisë të ujit që e furnizon qytetin. 

Defektet janë bërë përditshmëri dhe tetovarët shpesh ngelin pa pikë uji në çezmat e tyre. 

Viteve të fundit, qyteti është përballur vazhdimisht me restrikcione të ujit, sidomos gjatë verës dhe dimrit, të cilat kanë shkaktuar revoltë te qytetarët. 

Përndryshe, Tetova përdor dy rrjete-sisteme të ujësjellësit, gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit furnizohet nga i riu, ai i Leshnicës ndërsa në pranverë dhe verë nga ai i Kodrës së Diellit, rezervarët e Malit Sharr apo njohur ndryshe si burimet e vjetra.

Edhe pse rrjeti i ujësjellësit qytetarëve u ka kushtuar miliona, ai vazhdimisht pëson defekte. 

Premtimet e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit nuk janë realizuar siç ai ka premtuar.

Pavarësisht se ka pasur intervenimeqytetarët në këto katër vite janë përballur me mungesa, restrikcione dhe probleme të ndryshme të furnizimit me ujë. Kasami është arsyetuar se punët që nuk janë bërë brenda dyzet viteve nuk mund të bëhen brenda një viti apo katër viteve.

Para zgjedhjeve lokale 2021 në #Debatpërnime tha se si Lëvizje Besa prioritet mbi prioritetet do të kenë që njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” për katër vite të zgjidhin këtë çështje.

Në programin e tij zgjedhor 2021-2025 për menaxhimin me Tetovën, Kasami te pjesa e urbanizmit premtoi rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.

Ndërsa edhe në programin e tij zgjedhor 2025-2029 për menaxhimin me Tetovën, te pjesa e urbanizmit vazhdon të premtojë rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.