Trump i mohon Ukrainës raketat Tomahawk, bën thirrje për ndaljen e menjëhershme të luftës

Presidenti amerikan Donald Trump ka refuzuar t’i japë Ukrainës raketa të tipit Tomahawk pas një takimi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke i bërë thirrje të dyja palëve, Kievit dhe Moskës, që të ndalin menjëherë luftën dhe të pranojnë vijën aktuale të frontit. Zelensky kishte udhëtuar drejt Uashingtonit me shpresën për të siguruar raketat me […] The post Trump i mohon Ukrainës raketat Tomahawk, bën thirrje për ndaljen e menjëhershme të luftës appeared first on Ditar.al.

Presidenti amerikan Donald Trump ka refuzuar t’i japë Ukrainës raketa të tipit Tomahawk pas një takimi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke i bërë thirrje të dyja palëve, Kievit dhe Moskës, që të ndalin menjëherë luftën dhe të pranojnë vijën aktuale të frontit.

Zelensky kishte udhëtuar drejt Uashingtonit me shpresën për të siguruar raketat me rreze të gjatë veprimi, që sipas tij mund të godasin objektiva strategjikë brenda territorit rus dhe të dëmtojnë ndjeshëm ekonominë e luftës së Kremlinit. Por gjatë një dreke pune në Shtëpinë e Bardhë, Trump u shpreh se konflikti duhet zgjidhur “pa menduar për Tomahawkët”, duke shtuar se këto armë janë “të nevojshme për SHBA-në”.

Në përfundim të takimit, Zelensky e quajti takimin produktiv, por refuzoi të komentojë mbi raketat, duke shtuar se “SHBA nuk dëshiron përshkallëzim”.

Pak orë më vonë, Trump bëri një deklaratë publike nga Florida, ku u shpreh qartë:

“Të dyja palët duhet të ndalojnë luftën menjëherë. Të kthehen në shtëpi, tek familjet e tyre. Mjaft më me vrasje.”

Takimi me Zelenskyn erdhi vetëm një ditë pasi Trump kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, me të cilin ka rënë dakord të takohet së shpejti në Hungari. Gjatë asaj bisede, Putin mësohet të ketë paralajmëruar se dërgimi i raketave Tomahawk në Ukrainë nuk do të kishte ndikim domethënës në terren, por do të dëmtonte rëndë marrëdhëniet SHBA-Rusi.

Megjithëse Trump nuk e përjashtoi përfundimisht dërgimin e raketave, ai shmangu një përgjigje të qartë për këtë çështje.

Zelensky, nga ana tjetër, propozoi një marrëveshje shkëmbimi duke ofruar dronët ukrainas si kundërvlerë për raketat amerikane:

“Ukraina ka mijëra dronë të prodhimit vendas, por nuk kemi Tomahawkë. Ata mund të marrin dronët tanë, aty mund të bashkëpunojmë.”

Pas takimit, presidenti ukrainas zhvilloi një komunikim virtual me liderët evropianë, të cilët rikonfirmuan mbështetjen e tyre të palëkundur për Ukrainën përballë agresionit rus.

The post Trump i mohon Ukrainës raketat Tomahawk, bën thirrje për ndaljen e menjëhershme të luftës appeared first on Ditar.al.