Tualeti në Laboratorinë e Kumanovës në gjendje të keqe: Inspektorati konstatoi mangësi, drejtori premtoi rikonstruim për dhjetë ditë

Tualeti në Repartin e Laboratorisë në Spitalin e Kumanovës është në gjendje të keqe, gjatë kohës që vizituam këtë hapsirë, aty nuk kishte pajisje higjienike, lavamanët ishin të prishur dhe hapsira përdorej nga të gjitha gjinitë. Kjo situatë ngre shqetësime te pacientët si dhe alarmin për rreziqe të infektimeve. Pas kontaktimit nga Portalb.mk, Inspektorati Shtetëror […]

Tualeti në Laboratorinë e Kumanovës në gjendje të keqe: Inspektorati konstatoi mangësi, drejtori premtoi rikonstruim për dhjetë ditë
Tualeti në Repartin Laboratorik, në Spitalin e Përgjithshëm Kumanovë. Foto nga Portalb.mk

Tualeti në Repartin e Laboratorisë në Spitalin e Kumanovës është në gjendje të keqe, gjatë kohës që vizituam këtë hapsirë, aty nuk kishte pajisje higjienike, lavamanët ishin të prishur dhe hapsira përdorej nga të gjitha gjinitë. Kjo situatë ngre shqetësime te pacientët si dhe alarmin për rreziqe të infektimeve. Pas kontaktimit nga Portalb.mk, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor kreu inspektim, ku u konstatuan mangësitë, ndërsa drejtori i spitalit premtoi rikonstruim të hapsirës brenda dhjetë ditëve.

Tualete të papastra, pacientë të revoltuar 

Pacientët e Kumanovës ankohen për mungesën e kushteve bazë higjienike në Spitalin e Përgjithshëm, veçanërisht në Repartin Laboratorik, ku tualeti ngjan më shumë si një vend i braktisur sesa një tualet spitali. 

Gjatë kohës që vizituam tualetin në laboratori, takuam K.O. e cila ishte shtatzënë. Ajo u ankua se kjo situatë e bën atë të ketë frikë për shëndetin e saj. 

“Lavamanët janë të prishura, dritaret dhe dyert nuk mbyllen si duhet, e të mos flasim për sapunin, pecetat dhe shumë gjëra të tjera që duhet të jenë gjithmonë për përdorim. Kjo është e tmerrshme dhe mund të rrezikojë shëndetin, dikush mund të infektohet vetëm për shkak të kushteve të këqija. Sidomos për ne gratë shtatzëna, higjiena duhet të jetë në nivel të lartë. Është një katastrofë që ende hasim këso lloj problemesh, ndërsa vendet publike duhet të jenë shembull i mirë për të gjithë. Institucionet përkatëse duhet të ndërmarrin urgjentisht masa për rregullimin e gjërave bazë”, tha K.O.

Shqetësime të ngjashme kanë edhe disa qytetarë të tjerë me të cilët biseduam. 

“Tualeti përdoret nga gratë dhe burrat, gjë që e bën situatën edhe më të papranueshme, pasi në spitale lihen tualetet në gjendje të mjerueshme. Mund të them se pothuajse të gjithë tualetet nuk ofrojnë kushtet minimale. Bëhet fjalë për një institucion publik shëndetësor, ku pastërtia duhet të jetë prioritet”, tha një qytetare.

“Është e papranueshme që tualetet në spital janë në gjendje kaq të keqe. Nuk ka pastërti, pajisje elementare mungojnë dhe kushtet janë poshtë çdo standardi minimal higjienik. Për një institucion shëndetësor publik, kjo është turp”, tha një qytetar. 

Tualeti në Repartin Laboratorik, në Spitalin e Përgjithshëm Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Tualeti në Repartin Laboratorik, në Spitalin e Përgjithshëm Kumanovë. Foto nga Portalb.mk

Papastërtia rrezikon shëndetin e pacientëve 

Doktoresha Elveda Rustemi-Alili thekson se mungesa e higjienës në tualetet e spitalit ndikon drejtpërdrejt në shëndetin dhe mirëqenien e pacientëve, mund të rrisë rrezikun e infeksioneve, të përkeqësojë gjendjen e pacientëve me imunitet të dobët dhe të shkaktojë parehati apo stres psikologjik. 

“Përdorimi i tualeteve mund të ketë disa pasoja për pacientët, nëse nuk respektohen kushtet e higjienës. Mund të ndodhin rrëshqitje apo rënie, veçanërisht te pacientët me lëvizshmëri të kufizuar, gjë që rrit rrezikun për lëndime. Po ashtu, nëse higjiena nuk mbahet mirë, mund të shtohet rreziku për infeksione urinare apo të tjera. Prandaj, është e rëndësishme që pacientët të kenë ndihmë kur u nevojitet, të përdorin tualete të pastra dhe të pajisura mirë, për të ruajtur si sigurinë ashtu edhe dinjitetin e tyre”, tha Alili.

Ajo rekomandon pastrimin dhe dezinfektimin e rregullt disa herë në ditë, furnizim të vazhdueshëm me sapun, letra dhe dezinfektues, si dhe mbikëqyrje të kujdesshme nga stafi për të siguruar standarde të larta higjienike.

Po ashtu, Alili nënvizon rëndësinë e rritjes së ndërgjegjësimit si te stafi ashtu edhe te pacientët për ruajtjen e higjienës, pasi kjo ndihmon në parandalimin e infeksioneve dhe krijon një ambient më të sigurt për të gjithë.

Tualeti në Repartin Laboratorik, në Spitalin e Përgjithshëm Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Tualeti në Repartin Laboratorik, në Spitalin e Përgjithshëm Kumanovë. Foto nga Portalb.mk

Inspektim i jashtëzakonshëm nga Inspektorati Sanitar dhe Shëndetësor 

Pasi Portalb.mk i kontaktoi për këtë problem, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor kreu inspektim të jashtëzakonshëm më 30 tetor në I.SH.P. Spitali i Përgjithshëm Kumanovë, në laboratorin biokimik, ku siç thanë nga Inspektorati, u konstatua gjendja faktike e mëposhtme. 

  • Gjendja e përgjithshme sanitare-higjienike në hapësirën sanitare të laboratorit biokimik është në nivel të kënaqshëm. Pastrohet dhe mirëmbajtët rregullisht, përdoren mjete për dezinfektim “Dezintal” dhe acid klorhidrik. Në tualet ka dy lavamanë, prej të cilëve një është funksional, ndërsa tjetri nuk ka rubinet as ujë të rrjedhshëm. 
  • Në momentin e inspektimit, në tualetin e laboratorit biokimik ka dy kabina, nga të cilat njëra është funksionale, ndërsa tjetra nuk funksionon (është e mbyllur) për shkak të një defekti shumëvjeçar të pa rregulluar, konkretisht rrjedhjes nga rrjeti i kanalizimit vertikal. 
  • Nuk janë konstatuar sende të ndotura në tualet, përveç pajisjeve për pastrim dhe mirëmbajtje të higjienës në hapësirën sanitare. 
  • Në momentin e inspektimit nuk është gjetur sapun i lëngshëm për larjen e duarve, ndërsa kazani për ujin e tualetit është i thyer. Sipas deklaratave të të punësuarve, sapuni dhe dezinfektuesi vendosen çdo ditë, por shpenzohen nga pacientët, ndërsa inventari dëmtohet dhe thyhet. 

“Për mangësitë e konstatuara do të pasojë vendim për urdhër që të mënjanohen të njëjtat”, thanë nga Inspektorati Sanitar dhe Shëndetësor. 

Që higjiena nuk është në nivel të dëshiruar e konfirmon edhe kontrolli paraprak nga Inspektrati Sanitar dhe Shëndetësor, siç informuan nga atje, kontrolli i fundit inspektues në laboratorin që është pjesë e institucionit ishte kryer më datë 12.06.2025. Ku nga gjendja faktike e konstatuar u vërejt se nuk kishte sapun të lëngshëm, dhe gjatë kohës së inspektimit u vendosën sapun të lëngshëm.

Reparti Laboratorik në I.SH.P Spitali i Përgjithshëm Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Reparti Laboratorik në I.SH.P Spitali i Përgjithshëm Kumanovë. Foto nga Portalb.mk

Ministria e Shëndetësisë hesht 

Pyetëm edhe Ministrinë e Shëndetësisë, nëse do të merren masa për përmirësimin e infrastrukturës dhe kujdesit higjienik në tualetet e Repartit Laboratorik në Kumanovë, si dhe nëse ministria ka ndonjë plan për zgjidhjen e këtij problemi. Megjithatë, deri në publikimin e këtij teksti, nuk morëm asnjë përgjigje.

Drejtori i Spitalit premtoi zgjidhje brenda 10 ditëve 

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Kumanovës, Sasho Stoshevski, theksoi se në të ardhmen planifikohet edhe rikonstruksioni i tualetit në repartin Laboratorik, me afat realizimi prej dhjetë ditësh.

“Në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës është në vijim e sipër rinovimi i disa reparteve, ndër të cilat edhe laboratori. Standardet minimale higjienike janë përmbushur, gjë që, sigurisht, nuk është e mjaftueshme. Në periudhën e ardhshme planifikohet rikonstruksioni i disa tualeteve, zëvendësimi i pajisjeve sanitare brenda tyre, si dhe mirëmbajtja e tyre e vazhdueshme, konkretisht për tualetin në laborator, brenda afatit prej dhjetë ditësh”, tha Stoshevski.

Spitali i Përgjithshëm Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Spitali i Përgjithshëm Kumanovë. Foto nga Portalb.mk

Probleme të vazhdueshme në spital 

dhjetor 2024 Portalb.mk raportoi se në repartin Laboratorik pacientët e Kumanovës detyroheshin të prisnin mbi tre orë për shkak të mungesës së infermierëve.

Ndërsa, në repartin e Oftalmologjisë nuk ka mjekë kujdestar dhe se mjekimet dhe kontrollet e tyre i bëjnë infermieret. Gjithashtu në korrik qytetarët u ankuan se nuk ka pajisje ekografike dhe detyrohen që incizimet t’i bëjnë nëpër ambulanca private. 

Kujtojmë se, më 13 korrik 2025, Spitali i Përgjithshëm në Kumanovë ka paraqitur kërkesë për miratimin e 72 punonjësve të rinj, mes të cilëve do të jenë infermierë, mjekë dhe të tjerë. Nga Ministria e Shëndetësisë theksuan se procedura është duke vijuar në bashkëpunim me institucionet përkatëse, por nuk kanë treguar ndonjë afat se kur do të përmbyllet ky proces. 

Pavarësisht ankesave të pacientëve, Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës përballet çdo ditë me mungesë të kushteve higjienike dhe me probleme të tjera.