16 ushtarë të FSK-së certifikohen pas trajnimit të avancuar për Kërkim-Shpëtim

Në Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim (QNTKSH), në kuadër të Komandës së Gardës Kombëtare, FSK ka përfunduar trajnimin e avancuar për Kërkim-Shpëtim, i cili kishte për qëllim avancimin e njohurive dhe aftësive profesionale të pjesëtarëve në operacionet e kërkim-shpëtimit.
Trajnimi dyjavor përfshiu një program të avancuar teorik dhe praktik, me fokus në teknikat e specializuara për operim në terrene të vështira dhe në situata emergjente.
Sipas njoftimit, gjatë trajnimit, pjesëmarrësit zhvilluan njohuri dhe aftësi në fusha të ndryshme, përfshirë lidhjet dhe sistemet e ankorimit, boltimet, sistemet e litarëve, evakuimin e viktimave, teknikat e alpinizmit, si dhe procedura të tjera të rëndësishme për operacionet e kërkim-shpëtimit.
Në përmbyllje të programit u zhvillua një ushtrim 72-orësh në zonën e Rugovës. Gjatë këtij ushtrimi, pjesëmarrësit zbatuan në praktikë, në kushte të simuluara operacionale, njohuritë dhe teknikat e fituara gjatë trajnimit.
Ushtrimi kishte për qëllim vlerësimin e aftësive individuale dhe ekipore, koordinimin në terren dhe reagimin ndaj skenarëve të ndryshëm të kërkim-shpëtimit.
Në përfundim të trajnimit, 16 pjesëtarë u certifikuan me sukses, duke përmbyllur një program intensiv të përgatitjes profesionale dhe praktike.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



